E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e re, barna me rimbursim edhe në formë-doza



Lista e re e barnave të rimbursueshme do të hyjë në fuqi që në 1 janar 2010. Ministria e Shëndetësisë ka nisur tashmë punën për hartimin e listës së re dhe dërgimin për miratimin e saj brenda këtij viti, në mënyrë që lista të jetë në çdo farmaci dhe te çdo mjek familjeje në ditën e parë të vitit të ardhshëm. Për këtë brenda këtij muaji organizohet mbledhja paraprake e komisionit hartues të listës dhe palëve të përfshira në projekt. Më pas, do të ketë një sërë mbledhjesh ku komisioni për caktimin e çmimeve të barnave do të vendosë për rinovimin e çmimeve të barnave të listës. Gjithashtu, komisioni do të diskutojë edhe për barnat që do të hiqen nga lista, konkretisht barnat që nuk tregtohen më, për heqjen e barnave të paefektshme dhe për futjen e alternativave edhe në formë-doza.

Projekti

Ministri i Shëndetësisë, z. Petrit Vasili, ka angazhuar Drejtorinë Farmaceutike në ministri nga ku bëhet e ditur se janë marrë të gjitha masat e nevojshme që ky projekt-listë të jetë gati në fillim të dhjetorit. Më pas, do të kalojë për miratim në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Drejtësisë dhe së fundi do të aprovohet nga Këshilli i Ministrave. Hyrja në fuqi me datë 1 janar 2010 e listës së re të barnave të rimbursueshme do të jetë e njëkohshme me lidhjen e kontratave që ISKSH bën me farmacitë dhe depot farmaceutike.

Lista

Burime pranë Ministrisë së Shëndetësisë bëjnë të ditur se mbledhja vjetore e komisionit të caktimit të çmimeve të barnave për vitin 2010 dhe mbledhja e komisionit të hartimit dhe rishikimit të listës së barnave të rimbursueshme do të bëhen brenda muajit nëntor. “Në këtë mënyrë projekt-lista do të ketë kohën e nevojshme për t’u miratuar nga qeveria në muajin dhjetor që në datë 1 janar 2010 të jetë në dorë të mjekëve dhe farmacistëve në të gjithë Shqipërinë”, - deklarojnë burimet.

Në mbledhjen paraprake të këtij komisioni do të prezantohen të gjithë anëtarët, do të miratohet rregullorja e funksionimit të këtij komisioni, do të miratohen kriteret e përfshirjes ose heqjes së barnave nga lista e rimbursimit si dhe do të caktohet data e mbledhjes, nga e cila do të dalë projekt-lista e barnave të rimbursueshme 2010.

Gjithashtu, mësohet se në këtë mbledhje do të diskutohet rinovimi i çmimeve të barnave të listës ekzistuese sipas çmimeve të miratuara nga mbledhja; do të diskutohet për barnat që do të hiqen nga lista, konkretisht barnat që nuk tregtohen më (p.sh. për shkak të mbarimit të afatit të regjistrimit dhe mos riregjistrimit të tyre) etj., për heqjen e barnave të paefektshme ose për të cilat ekzistojnë alternativa që kanë efekte shumë më të mira se këto. Sipas të njëjtave burime, diskutohet edhe për futjen e alternative të reja si formë-doza të barnave të listës ekzistuese, barna të reja për sëmundje të tjera që nuk janë në listën aktuale të barnave si dhe alternativa të tjera të barnave që janë në listën ekzistuese.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›