Masa; Gjykata, “arrest shtëpie” për drejtoreshën e Tatimeve në Fier
Gjykata e Tiranës ka vleftësuar dje masat e arrestit për ekspertët kontabël, që akuzohen për abuzime dhe falsifikime në materialet e vlerësuara të kërkuara nga gjykata apo organi i akuzës. Pasi ka vleftësuar kushtet e zbatimit të masave, si dhe nëse ka ndonjë arsye apo shkak për ndryshimin e tyre, gjyqtarja Manjola Bejleri ka lënë në “arrest shtëpie” katër nga ekspertët, si dhe “detyrim paraqitjeje” për dy të tjerë. Kështu, në përfundim të vleftësimit të masave, gjykata vendosi të caktojë masën “detyrim paraqitjeje” për shtetasin Shkëlqim Sako, si dhe është vendosur “ndalimi i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale ose afërsitë”, pasi akuzohet për veprën penale të “falsifikimit të vulave stampave ose formularëve”; “vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën”, në bashkëpunim dhe “falsifikim të dokumenteve”. Gjithashtu, është vleftësuar masa edhe për Ajeta Shkëmbin, e cila është lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe “ndalimit të përkohshëm të ushtrimit të veprimtarive, të caktuara profesionale ose afërsitë”, pasi akuzohet për veprat penale të “falsifikimit të vulave stampave ose formularëve”; “vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën”, në bashkëpunim dhe “falsifikimit të dokumenteve”; Marjana Palla është lënë me masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe “ndalimit të përkohshëm të ushtrimit të veprimtarive, të caktuara profesionale ose afërsitë”, pasi akuzohet për veprën penale të “falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”; “vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën”, në bashkëpunim dhe “falsifikim të dokumenteve”; me po të njëjtën masë është lënë edhe Nevila Bami, ish-drejtoresha e Tatimeve në Fier, e akuzuar për veprën penale të “falsifikimit të vulave stampave ose formularëve”; “vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën”, në bashkëpunim dhe “falsifikim të dokumenteve”. Ndërsa Klodian Çela është lënë me masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, pasi akuzohet për veprën penale të “falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”; “vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën”, në bashkëpunim dhe për “falsifikim të dokumenteve”. Një tjetër e implikuar në këto falsifikime rezulton edhe gruaja e të ndjerit Kosta Trebicka, Brunilda (Krasniqi) Trebicka, e cila është lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi akuzohet për veprën penale të “falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”; “vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën”, në bashkëpunim dhe “falsifikimit të dokumenteve”.