Dializa në kushte të vështira, Thereska: Duam një buxhet më vete
duhen hapur në vazhdim reparte të reja që trajtojnë këta të sëmurë. Kështu është shprehur ditën e djeshme shefi i pavijonit të Nefrologjisë në QSUT, Nestor Tereska i cili thotë se do të ishte ideale që vetëm për dializën të kishte një buxhet më vete pasi kostoja për një pacient në vit që vuan nga dializa shkon në 15 mijë euro. Në qoftë se sot në Shqipëri kemi 350 ose 400 të sëmurë që bëjnë dializë, ne do të na duhet që këtyre ti shtojmë çdo vit dhe 150-200 të sëmurë të rinj. Pra vend për dializë na duhet. Kostoja e dializës është shumë e lartë, thotë Tereska. Ndërkohë Tereska thotë se edhe me transplantet vendi ynë është mbrapa, megjithatë tashmë ato vazhdojnë që të kryhen normalisht, edhe pse të pakta në numër. Brenda muajit prill, pritet të kryhen disa transplante. Të sëmurët që do u bëhet transplantim i kemi caktuar. Familjarët që do u japin organin i kemi caktuar. Tani jemi në kolaudimet e fundit, thotë Tereska. Transplanti i parë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza u krye rreth një vit më parë nga mjekët shqiptare dhe italianë tek një vajze 19 vjeçe nga Korça. Transplantimi i dytë i veshkës pritet të bëhet në fund të këtij muaji. Burimet zyrtare nga drejtoria e QSUT bëjnë me dije për gazetën se kërkesa për transplantin e veshkës janë të shumta, por në Transplantin e radhës janë përzgjedhur vetëm dy veta. Shqiptarët po vuajnë gjithnjë e më shumë nga sëmundjet e veshkave. Në ditën botërore të veshkave e cila ishte pak kohë më parë mjekët nefrologë japin alarmin se sëmundjet në këtë organ, po prekin gjithmonë e më shumë shqiptarët. Çdo vit regjistrohen 180 pacientë të rinj, që kanë nevojë për dializë, por ajo që është edhe më shqetësuese është se sëmundjet e veshkave po prekin edhe fëmijët. Ndaj në QSUT është menduar të hapet një pavijon dialize për këtë kategori. Janë me dhjetëra pacientë që presin të realizojnë transplantin e veshkave në sistemin publik, por me sa duket, kjo ka mbetur vetëm një ëndërr për ta. Premtimi se do të ofrohej të paktën një transplant në muaj ka mbetur vetëm premtim. Mjekët e shërbimit të Nefrologjisë shpjegojnë se mjekët italianë që asistuan në transplantin e parë nuk kanë ardhur, pasi edhe kontratat e tyre me Interreg III mbaroi ndaj dhe ka pasur ndërprerje të ndërhyrjeve të tilla kaq të specializuara.
180 pacientë të sëmurë me veshka trajtohen në dializë
Të dhënat bëjnë më dije se 1 në 10 banorë shfaq probleme në këto organe, Ushqimet e thata, teprimi i kripës, mbipesha dhe duhani, janë disa nga faktorët që 5 vitet e fundit kanë shtuar me shpejtësi pacientët e sëmurë nga veshka. Më alarmante situata duket tek fëmijët e vegjël. Vitet e fundit mjekët shqiptarë po përballen me probleme serioze tek këto grup-mosha sa që është bërë e nevojshme ngritja e dializës edhe në spitalin pediatrik. Nëse më parë vetëm 44 persona në vit kishin nevojë për shërbimin e dializës sot kërkesat janë 9 herë më të mëdha