E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dialog në emër të Nënë Terezës

Instituti Italian i Kulturës dhe shoqata italo-shqiptare me emrin e bamirëses, promovojnë iniciativën në Tiranë. Një maratonë me bluzat e firmosura nga Nobel për Paqen 

TIRANE- Kanë shfrytëzuar ditën në të cilën Nënë Tereza ka tërhequr çmimin Nobel për Paqen, për të dhënë një mesazh dialogu dhe tolerance në Tiranë. Një nismë italo-shqiptare e prezantuar pasditen e djeshme në Institutin Italian të Kulturës. Një dokumentar rreth 8 minuta, i cili nis me imazhin e bamirëses shqiptare dhe një bluzë e firmosur nga disa Nobel të Paqes, është ftesa për të përkrahur këtë iniciativë. Materiali do t’i shpërndahet rrjetit diplomatik shqiptar dhe italian për të kërkuar nga ata më shumë impenjim për dialog, për të përqafuar mesazhet dhe vlerat që Nënë Tereza promovoi me veprën e saj konkrete. Ndërkohë që një nismë ligjore do të përcaktojë edhe një ditë ndërkombëtare pro dialogut dhe kundër dhunës. Nënë Tereza ka qenë frymëzimi më i mirë për Shoqatën italo-shqiptare “Nënë Tereza”. Dy motoçiklistë kanë udhëtuar pothuaj në të gjithë botën, në shtetet evropiane, Kazakistan, Ikzikistan, kanë mbërritur deri në Kinë, për të “mbjellë” dialog kudo që prekin. Të dielën do të mbërrijnë në Tiranë. Giovanni Abelli, përfaqësuesi i shoqatës tregon se ato do t’i dorëzojnë ambasadorit italian bluzën e firmosur, ndërsa do të zhvillohet edhe maratona e përvitshme e “People Runners Telesystem”, ku të rinj do të vrapojnë në kujtim të Nënë Terezës. Njëkohësisht, kjo maratonë nis në Modena dhe Pulja të Italisë. Këtë vit, e diela shënon një tjetër datë simbolike. Atë të Lumturimit të Nënë Terezës nga vet Papa Gjon Pali i II. Ideja e krijimit të një shoqate me emrin e bamirëses, sipas Abellit nuk ka lidhje me përkatësinë e saj fetare, por universalitetin e figurës së saj. “Unë jam katolik, jam pagëzuar, por nuk jam praktikant apo frekuentues i kishave. Nënë Tereza është një figurë universale që e duan katolikët, myslimanët apo praktikues të besimeve të tjera. Këtë e kemi kuptuar në të gjithë botën. Unë jam mahnitur nga vlerat dhe mesazhet e Nënë Terezës si person dhe jo besimit që i përkiste. Ajo ndihmonte këdo që gjente në rrugë e kishte nevojë, pa e pyetur nëse ishte hindu, i krishterë apo mysliman”. Përmes ndihmës së përfaqësive diplomatike, Abelli ka prezantuar iniciativën e tij në shumë vende të botës. Ka tentuar të ngjallë një reagim për komunikim mes kulturave të ndryshme. Ç’mendon ai për dialogun sot mes njerëzve të kombësive, kulturave e besimeve të ndryshme fetare? “Paradoksalisht, teknologjia në të gjithë botën ka arritur në atë nivel që të gjithë mund të komunikojnë në kohë reale. Informacion ndoshta ka edhe shumë më tepër, por në disa raste nuk arrijmë të kuptohemi. Kemi më shumë njerëz që flasin në vend që të dëgjojnë e të kuptojnë, e për këtë nuk mund të themi se dialogu është rritur shumë”, - thekson Giovanni Abelli. Në fakt, veprimtaria e shoqatës “Nënë Tereza” nuk fokusohet vetëm në këtë veprimtari. Abelli tregon se ajo lindi për të realizuar në Tiranë muzeun e Nënë Terezës, që sipas tij do të jetë një nga iniciativat më të mëdha për të promovuar imazhin e Shqipërisë në botë. Ndonëse ende janë në fazë studimi, ai e sheh këtë si një mundësi që ka lidhje edhe me turizmin, duke u dhënë njerëzve një arsye të fortë të mbërrijnë në Tiranë. “Ne jemi konsultuar edhe me Vatikanin për ngritjen e këtij muzeu, për më tepër që atje ka shumë materiale, foto e dokumente. Por Nënë Tereza nuk ka lënë shumë gjëra për të parë. Ajo ka vizituar gjithë vendet e botës ku ka lënë mesazhe, imazhe dhe kjo është bërthama. Por do të na duhen edhe rreth 2 vjet të tjera për të arritur në një ide të plotë”, - tregon Abelli në këtë vizitë të radhës në Tiranë.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›