Nënë Tereza dhe ndërtimi i një qytetërimi të dashurisë

Është evidente tashmë që mjaft shoqata serioze po krijojnë një klimë të re ripërtëritje shpirtërore, si bazë për një dashuri dhe bamirësi, që shkon drejtpërsëdrejti në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor për çdo shtetas të këtij vendi.
Fondacioni, synon të ndërtojë “Qytetërimin e Dashurisë dhe Paqes” ndër shqiptarë. Përvjetori i Lumturimit në Nënë Terezës, përbën për ne kurdoherë një shtysë të fortë dhe një energji të pashtershme, në rrugën tonë drejt këtyre objektivave të fisshme.
“Nuk është rastësi konferenca e sotme e shtypit edhe për faktin tjetër se, sot është Dita Ndërkombëtare kundër Varfërisë dhe Fondacioni ynë shpall përpjekjet e tij për krijimin e një kulture të re të luftës, edhe kundër kësaj dukurie”, deklaroi Adelina Mazreku, drejtoreshë ekzekutive e Fondacionit Kulturor “Nënë Tereza”.
Një nga objektivat kryesorë të afërm të Fondacionit Kulturor “Nënë Tereza”, i cili ka kohë që ushtron aktivitetin e tij, është krijimi i qendrës kulturore dhe muzeale, për promovimin e vlerave më të spikatura njerëzore të figurës së madhe të Nënë Terezës, si përfaqësuese brilante e universit shqiptar dhe kontributit të tij në sistemin botëror të vlerave.
Nëpërmjet impenjimit serioz të studiuesve të historisë, muzeologjisë, artit dhe arkitekturës, fondacioni ka nisur punën për gjurmimin dhe mbledhjen e materialeve dhe dokumenteve me vlera muzeale për prezantimin e jetës, aktivitetit dhe dimensioneve njerëzore të Nënë Terezës.
Synimi është që ky prezantim të mos jetë një grumbullim statik faktesh, por të bazohet në parimet më bashkëkohore të promovimit kulturor dhe muzeologjisë, për një komunikim interaktiv me vizitorin dhe veçanërisht brezat e rinj.
Përveçse qendër muzeale në nderim të vlerave më të bukura dhe universale shqiptare, kjo mendohet të jetë një qendër e vërtetë kulturore aktive në promovimin e parimeve jetësore të Nënë Terezës, mësimeve dhe aspiratave të saj për thelbin e përparuar dhe dimensionin thellësisht human të shoqërisë moderne.
Për më tepër, qendra do të impenjohet të gjejë format më të larmishme për theksimin e rolit të madh që secili individ ka për të luajtur, nëpërmjet aksioneve të tij të përditëshme, në përmirësimin e vetvetes, të tjerëve (veçanërisht ndihmën për ata në nevojë) dhe shoqërisë në tërësi.
“Impenjimi ynë është tashmë maksimal, për sensibilizimin e strukturave shtetërore dhe të shoqërisë mbarë për ngritjen e kësaj qendre me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës vitin e ardhshëm”, - theksoi Mazreku.
Ajo shfrytëzoi rastin të inkurajojë “të gjithë ata që kanë mundësi të japin ndihmesën e tyre veçanërisht me materiale muzeale, t’i bashkohen nismës sonë”.
Këtu, Mazreku pohoi se “ky do të ishte një kontribut konkret në procesin e kthimit të Nënë Terezës me dinjitetin që i takon, në jetën kulturore shqiptare”.
a.l/NOA