Heroi i Bragës, Beqaj: E ka radhën Ibrahimoviç
TIRANE- Ishte Zoti dhe Beqaj. Kështu tha Altin Lala pas barazimit 0-0 të Shqipërisë me Portugalinë ditën e mërkurë. Takimi i Bragës ka patur edhe personazhin e vet kryesor, që për çudi të të gjithëve, nuk ishte Kristiano Ronaldo, por portieri i kombëtares shqiptare. Beqaj bën si gjithnjë modestin: "Jam krenar për këtë ekip", thotë menjëherë ai kur e quan hero. Por, të mërkurën ka një tjetër sfidë me një tjetër yll, me Zllatan Ibrahimoviç në Champions League. Numri 1 i Shqipërisë duket sërish gati.
Portugalia ishte sfida më e vështirë dhe morëm një pikë. Si ndjehet Arjan Beqaj pas një mbrëmje prej heroi?
Unë nuk i shoh kurrë gjërat kështu, barazimi me Portugalinë është meritë e gjithë ekipit, që tregoi se ka vlera dhe mund të konkurrojë me të gjithë. Nëse ne luajmë të bashkuar, nëse nuk dorëzohemi, kemi treguar se mund të bëjmë gjëra të mira. Jam shumë i lumtur që arritëm të merrnim këtë pikë, për më tepër ndaj një ekipi si Portugalia.
Pavarësisht modestisë tuaj, shpëtove të paktën 5 gola të sigurtë. Diçka duhet të ketë ndodhur pas asaj mbrëmje të keqe në Budapest...?
Mbrëmje e keqe...Më shumë do të thoja e çuditshme. Ne luajtëm shumë mirë në pjesën e parë dhe më pas pësuam dy gola. OK, unë e pranoj se tek goli i dytë ishte faji im, por besoj se problemi ishte që ne nuk reaguam. Mbetëm pak si të hutuar në ato momente dhe nuk ishim më "ne". Nuk ishim më një skuadër. Humbëm sepse nuk ishim si në pjesën e parë. Por, me Portugalinë treguam se kjo skuadër ka karakter.
Në Bragë kishe përballë një skuadër yjesh. Pate frikë në ndonjë moment?
Jo, jo. Unë nga natyra nuk kam frikë asnjëherë dhe nuk kisha as ndaj Portugalisë. Por, kur mbetëm me 10 futbollistë, fillova të kisha frikë nga lodhja. Sepse çunat duhet të konsumonin më shumë energji dhe të vraponin më shumë. Mendoja se do të lodheshim, por arritëm t'i përballojmë.
E keni menduar ndonjëherë se në fushë kishit kundër skuadrën më të shtrenjtë që jemi ndeshur ndonjëherë?
Shikoni, të marrësh një barazim me Portugali nuk është e lehtë për asnjë skuadër të botës. Për më tepër, të luash 50 minuta me 10 futbollistë, kundër tyre bëhet akoma më e vështirë. Nuk mund t'i frenosh kollaj. Megjithatë, dua të them se portieri nuk mund të bëjë asgjë i vetëm. Unë jam krenar që kam në ekip këta futbollistë.
Familja apo miqtë, kush të përgëzoi më shumë pas ndeshjes?
Për çdo lojtar është e rëndësishme që pas një ndeshje të dëgjojë njerëzit që ka më shumë për zemër. Mendoj se jo vetëm për ne futbollistët, por çdo njeri ka nevojë të ketë përkrahjen e miqve dhe të familjes.
Po lojtarët e Anorthosis të kanë uruar?
Kam marrë telefonata të shumta nga të gjithë këtu, por vetëm sot (dje) kemi stërvitjen e parë dhe do takohemi.
Pesë pikë në katër ndeshje, deri tani çdo gjë duket sipas parashikimit. Ku mund të shkojë kjo kombëtare, pasi vendi i katërt duket ende i arritshëm?
Them se kemi ecur mirë, pasi deri tani kemi gabuar vetëm në ndeshjen me Hungarinë. Ndonëse, aty nuk duhet të kishim gabuar. Por, të barazosh me Suedinë dhe Portugalinë, dy prej skuadrave më të mëdha të botës dhe që luftojnë për kualifikim, nuk është e lehtë. Tani ne kemi një sfidë me Maltën që duhet ta fitojmë dhe më pas presim Hungarinë. Ajo është ndeshje kyçe, pasi duhet të fitojmë. Dhe kjo nuk do të jetë e lehtë. Hungarezët nuk kanë ekip të keq, por ne na duhet të fitojmë me një rezultat të thellë për të lënë pas humbjen në Budapest.
Pas Kristiano Ronaldos, të mërkurën ndaj Ibrahimoviç. Sfidat duken se nuk mbarojnë për Beqajn...?
Ndaj Ibrahimoviç dhe Interit. Është një prej skuadrave më të forta të botës, mjafton të kujtosh që ka fituar tre vite rresht Serinë A. Pastaj, nëse i keni dëgjuar deklaratat, ata këtë vit synojnë vetëm Champions League, kështu që do të jetë shumë e vështirë. Por, ne do të luajmë si zakonisht, nuk do të ndryshojmë strategji. Deri tani ia kemi dalë mirë.
Ashtu si ndaj Verderit, që krijoi shumë raste, por nuk shënoi. Duket se mbrojtja juaj është nga më të fortat apo jo?
Anorthosis, nëse e shihni, është një ekip. Forca jonë është kolektiviteti dhe jo individët.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)