E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dialogu Kosovë-Serbi AAK dhe VV: Të ndërpriten bisedimet

PRISHTINË- Dy partitë opozitare në Kosovë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, i bëjnë thirrje Qeverisë të ndërpresë dialogun e filluar me Serbinë. AAK dhe VV e vlerësojnë si veprim të papërgjegjshëm faktin që partia më e madhe opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës ka hyrë në bisedime pa miratimin e kuvendit. AAK-ja dhe Vetëvendosje thonë se ky dialog, siç ka filluar ka gjasa të vazhdojë, kështuqë nuk do i sjellë vetëm dëme Kosovës.

Në një deklaratë për mediat kosovare deputeti Vetëvendosjes Visar Ymeri, thotë se negociatat me Serbinë duhet të ndërpriten, pasi sipas tij ato janë të dëmshme dhe nuk mund t'i sjellin asnjë të mirë Kosovës.
“Rrjedhimisht, çfarëdo marrëveshjeje me Beogradin do ta cenojë në një formë apo tjetër sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, si dhe do ta legalizojë këtë okupim të pjesëve të territorit të Kosovës, që ka bërë Serbia prej vitit 1999 përmes strukturave të saj paralele”,:- ka deklaruar Ymeri.

Thirrje për ndërprerjen e bisedimeve Qeverisë i bën edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Deputeti dhe sekretari i përgjithshëm i AAK-së Burim Ramadani, thotë se procesi duhet të ndërpritet dhe të përgatitet më mirë, pasi vlerëson se Kosova ka hyrë e papërgatitur në bisedime.
“Së pari, ne mendojmë se do të duhet të ndalet procesi dhe të rifillojnë përgatitjet. Ne besojmë se në formën se si është futur Qeveria e Kosovës në këto bisedime, nuk do të ketë përfitime për vendin. Ne do të jemi aktivë gjatë krejt kësaj periudhe dhe do të insistojmë që ky dialog të ndalet dhe të shohim se si zhvillohen gjërat”, ka theksuar Ramadani. 

(e.m/koha/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›