Ngritja e temperaturave ringjallë parkun e Gërmisë

Përmirësimi i motit dhe ngritja e temperaturave ka nisur të ngjallë Gërminë, pasi që shumë qytetarë ia kanë mësyrë këtij parku për të pushuar gjatë këtij vikendi.
Fillimi i muajit mars ka sjellë edhe ditët me diell në Prishtinë. Këtë të diel parku i Gërmisë ishte plot me vizitorë që kishin dalë për të pushuar.
Qytetari Isak Spanca thotë se Gërmia është një vend i përshtatshëm për të pushuar dhe kaluar një ditë vikendi, mirëpo sipas tij komuna e Prishtinës duhet të investojë më shumë për ta bërë këtë park më atraktiv.
“Problemi më i madh është se pak investohet për t’u rregulluar disa shtigje. Lëvizja e fëmijëve nëpër baltë është problem. Komuna duhet të investojë, nuk ka rrugë dhe zgjidhje tjetër. Prishtinës i ka mbetur vetëm kjo”, shprehet ai.
Njëri prej atyre që në këtë ditë të bukur ia kishte mësyrë parkut Gërmia është edhe Xhemajl Krasniqi së bashku me familjen e tij.
“Gërmia është shumë e mirë e domosdoshme për Prishtinën, por e pamjaftueshme”, ka thënë Krasniqi.
Ajo me çfarë vërtet mund të krenohet kryeqyteti i Kosovës është pikërisht parku i Gërmisë i cili ka një natyrë të mrekullueshme dhe për këtë arsye Mexhidi nga Prishtina thotë se ka zgjedhur Germinë për të pushuar.
“Natyra, shkaku i natyrës, këtë vend tjetër vend Prishtina nuk ka”, ka thënë ai.
Ata që me të vërtetë kanë filluar t’i gëzohen diellit pranveror janë fëmijët, të cilët në Gërmi i shihje kudo duke luajtur dhe u kënaqur me kohën e mirë që mbretëronte. /kosovapress/