E Diel, 1 Nëntor 2026

Dialogu Prishtinë-Beograd, jo krejtësisht teknik

Nga Express më 26 janar 2011 në ora 13:33

Beogradi është duke u përballur me presion të madh nga bashkësia ndërkombëtare që të fillojë sa më shpejtë dialogun me Prishtinës.

Kjo është arsyeja përse zyrtarët e lart të Serbisë, javëve të fundit janë duke kërkuar që sa më shpejtë ky dialog të fillojë.

Kështu shprehet analistja nga Beogradi Jelka Jovanovic, e cila është edhe nënkryetare e Asociacionit të Pavarur të Gazetarëve të Serbisë (NUNS), në një intervistë për Zhurnal.

Përveç kësaj, ajo thotë se dialogu që pritet të fillojë, nuk do të jetë krejtësisht teknik sepse çështjet për të cilat do të flitet edhe pse tingëllojnë si teknike, kanë peshë politike.

Si shembull ajo përmend targat ku për pranimin e tyre, Serbia duhet të pranojë edhe simbolet e reja të Kosovës.

Por ajo më tej beson se këto bisedime nuk do të shkojnë shumë larg sepse në vitin tjetër do të mbahen zgjedhjet në Serbi dhe partitë në pushtet atje, nuk do të rrezikojnë të bëjnë ndonjë hap që do të rrezikonte pozitën e tyre.

Zhurnal: Beogradi gjatë javëve të fundit është duke bërë një lloj trysnie publike se ata duan të kenë sa më shpejtë dialog me Kosovën. Pse mendoni se është gjithë ky presion?

Jelka Jovanovic: Nuk kemi nevojë të tregohemi shumë të mençur për ta kuptuar pse ndodh kjo. Kjo ka të bëjë me faktin se bashkësia ndërkombëtare është duke i bërë presion Serbisë. Serbisë i nevojitet që të mos ketë situatë konfliktuoze me Kosovën në mënyrë që të hyjë në Bashkimin Evropian, por kjo nuk do të thotë se Serbia do të pranojë pavarësinë e Kosovës, por unë nuk jam kompetente që të flas në lidhje me këtë çështje më tepër sepse edhe vetë BE-ja nuk dëshiron të krijojë njëfarë lloj konflikti me Serbinë. Çështja kyçe në këtë rast është një stabilitet rajonal dhe pa ndonjë relacion të duhur ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, nuk mund të arrihet ky stabilitet.

Zhurnal: Ju mendoni se Beogradi nuk është duke e bërë këtë presion, duke kërkuar dialog që të zgjidhen problemet e qytetarëve, por është duke e bërë sepse vetë është nën presion?

Jelka Jovanovic: Mendoj se kemi një situatë të dyfishtë në këtë rast. Nëse shikojmë Serbinë në gjerësi, ka OJQ të forta dhe disa parti politike që janë për zgjidhjen e problemeve dhe çështjeve të caktuara. Edhe disa nga partitë politike që janë në koalicionin qeveritar janë për zgjidhjen e këtyre problemeve përmes dialogut, por ka edhe parti të tjera si ajo Radikale e Serbisë e cila tash për tash ka numrin më të madh të deputetëve në Parlamenti Republikan dhe mund të jetë kundër dialogut sepse kjo në njëfarë mënyre paraqet edhe pranimin e pavarësisë së Kosovës. Në këtë rast mund të bëhet edhe një paralele sepse ky vit është vit parazgjedhor në Serbi dhe një gjë e mirë për pjesën e Kosovës në këtë periudhë parazgjedhore është se gjithnjë është insistuar në bisedime teknike sepse edhe shoqëria civile në Kosovë dhe ajo qeveritare, gjithmonë kanë deklaruar se nuk do të flasin për çështjen e statusit sepse kjo çështje është zgjidhur. Kurse në Serbi, partitë udhëheqëse në këtë vit parazgjedhor nuk guxojnë të shkojnë shumë larg. Ato nuk mund të bisedojnë për statusin e Kosovës e ta konsiderojnë si çështje e kryer sepse do të sillte probleme për ta. Në këtë rast gjithmonë insistohet për çështje teknike edhe pse unë gjithmonë them se targat e veturave për shembull, nuk janë vetëm çështje teknike. Çështja e targave apo lëvizja e lirë dhe dokumentacioneve është edhe një çështje praktike.

Zhurnal: A ka rrezik që këto bisedime të shtyhen pafundësisht, kur secila palë, ka zgjedhje afërsisht çdo dy vjet. Të jem direkt, a mendoni se do të ketë fare bisedime?

Jelka Jovanovic: Mendoj se po. Do të ketë bisedime sivjet sepse Serbia nëse dëshiron të marrë statusin e kandidatit për BE, ajo duhet të hyjë në bisedime dhe të mendojë së paku të zgjidhë çështjen e lëvizjes së lirë të njerëzve. Mendoj se bisedimet duhet të fillojnë para kohës së zgjedhjeve dhe nëse gjithçka shkon pa ndonjë ngjarje dramatike, nuk do të ketë probleme.

Zhurnal: Por tash kur Serbia kërkon dialog, vetë BE-ja duket sikur ka heshtur. Pse ndodh kjo?

Jelka Jovanovic: Kuptohet se ata presin rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë. Që të kalojnë në fazën tjetër, duhet të përfundojë faza e parë (mbarimi i zgjedhjeve).

Zhurnal: Si mendoni se do të fillojë dialogu?

Jelka Jovanovic: Serbia ka caktuar shefin e ekipit për negociata dhe ky është një vendim mjaft i rëndësishëm. Ky është Borko Stefanovic, bashkëpunëtor i ngushtë i ministrit të Punëve të Jashtme Vuk Jeremiq. Ky nuk është një funksion politik por është mjaft i kushtëzuar dhe i rëndësishëm. Sa jemi të njoftuar, ata janë duke përgatitur platformën dhe kanë filluar me prezantimet. Është në theks të gjetjes së njerëzve dhe kuptohet të kësaj lëvizje. Mendoj se pika më e rëndësishme në këto bisedime do të jenë serbët në Kosovë dhe gjithashtu mendoj se ata duhet të jenë pjesë e ekipit të Prishtinës dhe kur dëgjojmë se Serbia e ka pranuar këtë pa kundërshtuar, atëherë do të kemi shenjë se bisedimet do të vazhdojnë mirë.

Zhurnal: Ivica Dacic, ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë tha se Serbia kërkon marrëveshje historike me shqiptarët. Çfarë mendoni se ka dashur të thotë ai me këtë?

Jelka Jovanovic: Unë Ivica Dacicin nuk e kuptoj me seriozitet kur thotë fjalë të mëdha. Pa dyshim është politikan i aftë dhe është një fakt i gjallë se MPB të Serbisë së bashku me EULEX-in ka arritur të bisedojë me MPB të Kosovës që të luftojë në zhdukjen e kriminalitetit. Kuptohet se këtë nuk e ka bërë vetëm Ivica Dacic dhe për këtë është dashur të ketë përkrahje edhe të qeverisë së Serbisë dhe Presidentit Tadiq. Në këtë kuptim, Dacic mund të jetë ende i shfrytëzueshëm. Personalisht unë nuk komunikoj me të, por mund t’iu siguroj kontakt që ta pyesni vetë atë se çfarë ka dashur të thotë.
Por unë besoj se derisa Boris Tadiqit t’i kalojë mandati në këtë detyrë, gjërat deri diku do të rregullohen. Ndoshta do të ishte më e rëndësishme dhe kuptimplotë që në zgjedhjet e mbajtura në Kosovë të cilat nuk do t’i komentoj se në çfarë shkalle demokratike janë mbajtur, do të ishte mirë që Parlamenti të zgjedhë një president që do të ishte pro-dialogut.

Zhurnal: Sa mendoni se do të zgjasë ky dialog?

Jelka Jovanovic: Mendoj se do të zgjasë disa vite. Që mos të gabojmë, bota asnjëherë nuk do të bëjë presion që Beogradi zyrtar të pranojë pavarësinë e Kosovës siç do të ishte edhe sikur të kishte qenë situata ndryshe. Por do të kërkohet nga Beogradi që të bëjë çmos që të jetë në marrëdhënie sa më të mira për shkak të stabilitetit në rajon. Këtu kemi të bëjmë me fitimin lirisë hap pas hapi. Kjo nuk është puna e skllavërisë që kur të lirohet të mësojë dikë se si të sillet. Për të arritur një nivel të arsyeshëm të bashkëjetesës në këtë vend është e nevojshëm të bëhen shumë hapa në mes të hapave. Dhe çdo largim së paku i një pengese na afron te qëllimi për jetë normale.
Unë disi jam e sigurt se tërë rajoni do të hyjë përnjëherë në BE në një komunitet që nuk ka kufi.

Zhurnal: Rajoni do të hyjë në BE edhe me Serbinë e cila në Kushtetutë e ka të shkruar se Kosova është pjesë e saj?

Jelka Jovanovic: Kosova në Kushtetutë të Serbisë është e vendosur ashtu në preambulë. Nuk jam e sigurt por mendoj se ndryshimet e para të kushtetutës do të bëhen menjëherë pas zgjedhjeve, por nuk jam e sigurt nëse kjo preambulë do të hiqet. Por që nuk do të thotë se njerëzit në Serbi nuk janë të vetëdijshëm për situatën reale, por në një periudhë të ardhshme për të hyrë në BE ka kohë e kohë, e kjo me siguri do të ndryshohet. Ndoshta, edhe pse unë nuk jam politikane. /zhurnal/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›