Dialogu letrar
Krahas dialogut tekniko-politik që po zhvillohet me Serbinë, ka filluar edhe dialogu letrar ndërmjet dy vendeve. Ndryshe prej të parit, ky dialog nuk ka filluar në Bruksel, por në Panairin e Librit në Leipzig. Vazhdoi në Prishtinë dhe do të përfundojë në Beograd.
Iniciativa e ndërmarrë nga Qendra Multimedia nga Prishtina dhe Kompleti Kulturor-Propagandistik “Beton”, e përkrahur nga rrjeti letrar Tradukki, ka rezultuar me botimin e dy antologjive letrare “Nga Beogradi, me dashuri” dhe “Nga Prishtina, me dashuri”, të cilat u promovuan të shtunën mbrëma në librarinë Dit’ e Nat’ në Prishtinë.
Duke folur për këtë projekt, Jeton Neziraj, udhëheqës i qendrës Multimedia dhe një prej ideatorëve të projektit, u shpreh se ky është projekt i përbashkët që është realizuar prej kompletit propagandistik-kulturor ‘Beton’ në bashkëpunim me shtëpinë botuese MM të Prishtinës. Ai tha se autorët që janë përfshirë në antologji i takojnë një gjenerate të re.
“Në antologjinë që ka dalë në Beograd është përfshirë proza, poezia dhe drama. Ndërkohë që antologjia që ka dalë në Prishtinë në gjuhën shqipe përfshinë kryesisht autorë të rinj të lindur mbas viteve të shtatëdhjeta, mirëpo, këtu është përfshirë vetëm proza për shkak se, siç e kuptuam edhe prej përmbajtjes, proza atje është më së shumti e zhvilluar dhe ka autorë të rinj që merren me prozë, ndërkohë që këtu ka qenë pak më problem të gjejmë shumë prozatorë, posaçërisht për sa i përket tregimit të shkurtër”, tha Neziraj.
Ai tregoi se të dy botimet për herë të parë janë promovuar në Lajpcig, në Panairin e Librit atje, bashkë me një edicion special në gjuhën gjermane të një përzgjedhjeje ad hoc të autorëve të dy antologjive.
Në anën tjetër, Sasha Ilic, ideator i këtyre dy botimeve, tregoi se që nga viti 2006, kur është themeluar Kompleti Kulturor-Propagandistik ‘Beton’, e kanë pasur idenë për të pasur bashkëpunim rajonal me shkrimtarë dhe njerëz që merren me letërsinë në rajon.
“Gjithashtu që moti kemi pasur dëshirë që ta krijojmë këtë kontakt me Kosovën dhe kjo faktikisht ka ndodhur vitin e kaluar në Lajpcig. Kur jam takuar me Jeton Nezirajn në Lajpcig fjalia e tretë që i kam thënë ka qenë që kishte me qenë interesant për ta bërë njëfarë përmbledhje apo pasqyre të letërsisë bashkëkohore të Kosovës dhe përgjigjja e Nezirajt ka qenë anasjelltas. Brenda një viti kemi krijuar asi kontakte që në fund kemi pasur mbi pesëdhjetë emra që janë përfshirë këtu në antologji”, tha Ilic.
Ndërkaq Shkëlzen Maliqi, botues i antologjisë në gjuhën shqipe, u shpreh se edhe nëse nuk është një antologji që mas vetes ka një autoritet, megjithatë është një panoramë e mirë që së paku na detyron të mendojmë se cila është letërsia që krijohet në Kosovë, cilët janë autorët. Duke mos përmendur emra konkretë, Maliqi tregoi se disa autorë nuk kanë pranuar të marrin pjesë në këtë antologji.
“Janë ftuar edhe disa autorë të tjerë, disa s’kanë dashur të marrin pjesë, disa kanë pasur arsye pse nuk kanë marrë pjesë e disa ndoshta i kemi harruar, por është bërë një punë që është reflektuese”, tha Maliqi.
Pas tij folën edhe dy poetë që janë prezantuar në këto antologji, Halil Matoshi dhe Tomislav Markovic, njëri nga Prishtina dhe tjetri nga Beogradi. Ndërsa me lexime të poezive u paraqitën poetët Arben Idrizi, Ervina Halili dhe Avni Rudaku.
Mbas promovimit në Prishtinë, këto dy antologji pritet të promovohen së shpejti edhe në Beograd.