E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekonomia e E. Lindore 'më rezistente'

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH ka thënë se vendet e Evropës Lindore dhe të ish-Bashkimit Sovjetik, çuditërisht po tregojnë rezistencë më të madhe ndaj problemeve që po përjeton ekonomia globale.Por ekspertët e bankës kanë paralajmëruar për rrezikun e rritjes së inflacionit.

Në një raport të bërë publik në takimin e përvitshëm të BERZH-it në Kiev, banka parashikoi rritje ekonomike të rajonit me 6 përqind gjatë këtij viti.

BERZH tha se bankat rajonale kishin përfituar nga ekspozimi shumë i kufizuar ndaj aseteve të lidhura me krizën në tregun e kredive në Amerikë.

Por ajo paralajmëroi se inflacioni, që tani është dyshifror në shumë vende, përbënte problemin më të mprehtë për rajonin.

Sipas BERZH-it, inflacioni në rritje dhe mund të çojë në mungesë të stabilitetit financiar në këto vende.

Ekonomia globale në rënie

Në parashikimin e tij të fundit për gjendjen e ekonomisë botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) para disa javësh parashikoi që ritmet e rritjes së ekonomisë në shkallë globale këtë vit të bien në 3.7% nga diçka më pak se 5% që ishte vitin e shkuar.

FMN-ja parashikoi që edhe Evropa Perëndimore të ketë ritme të ulta rritjeje gjatë këtij viti.

Ndërkohë, ekonomitë e vendeve në zhvillim, si Kina dhe India, pritet të vazhdojnë të kenë rritje të fuqishme, edhe pse më të ngadalta se vitet e fundit.

Kjo situatë i ka rrënjët në krizën e shtëpive dhe të tregut të kredive në SHBA.

Ndonëse FMN-ja parashikon një përmirësim vitin e ardhshëm, ai pritet të jetë më pak i fuqishëm se ç'ndodh normalisht pas një reçesioni.

Bankat dhe institucionet e tjera financiare po bëjnë çmos për të normalizuar llogaritë e tyre pas humbjeve që kanë pësuar, pjesërisht edhe nga mosshlyerja e kredive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›