Kotorri: Kampionët flasin në fushë!
"Gardiani" blu Elvis Kotorri tregon përjetimin e minutave të fundit të takimit me Partizanin
Dinamo tashmë ndodhet në qiellin e 17 të, pas derbit të fituar ndaj Partizanit në një mënyrë heroike. Dinamovitët për 33 minuta kanë luajtur me 2 lojtarë më pak, por duke parë mënyrën se si rrodhën ngjarjet deri në fund, kur kampionët e rinj shënuan një gol të bukur me anë të Nertil Ferrajt, titulli në kampin blu ishte plotësisht i merituar. Në fakt, gjyqtari italian Taljavento, duke qenë me profesion parukier, me sa duket i kishte mprehur mirë "gërshërët" e tij më parë se të mbërrinte në Tiranë, pasi për 2 minuta ai nxori më të kuq dy futbollistë të Dinamos, duke e "qethur" shkurt formacionin dinamovit. Ndërkohë që gjatë një faulli të kapitenit të kuq Ardit Beqirit, ndaj mesfushorit Igli Allmuça, bëri rolin e një gjyqtari shqiptar, duke bërë sikur nuk pa asgjë. Por krenaria dhe sedra sportive e futbollistëve blu doli në pah që nga ky moment. Nëntë futbollistët e mbetur në fushë dhanë përshtypjen e "luftëtarëve" të betuar, të cilët edhe pse mbetën me 2 të tillë më pak nuk u dorëzuan deri në fundin e "betejës" së "Selman Stërmasit". Një protagonist i padiskutuar i këtij takimi ishte pajtetër dhe "gardiani" blu Elvis Kotorri, i cili në minutën e 92-të u bë për të disatën herë shpëtimtari i portës dinamovite me një pritje të bukur, kur sulmuesi i kuq Abilaliaj po i drejtohej portës. Ndeshjet që Kotorri ka shkëlqyer me skuadrën blu janë të shumta, pasi edhe shifrat janë në krahun e elbasanasit, teksa gjatë të gjithë kampionatit Dinamo ka pësuar më pak gola se çdo skuadër tjetër, por këtu sigurisht meritë kanë të gjithë, duke filluar që nga Kotorri e deri tek sulmuesi Pero Pejiç, cili në derbi ishte në një ditë vërtet shumë të mirë, duke fituar një 11 metërsh dhe duke dhënë një asist perfekt për Ferrajn në fundin e takimit. Për "Sportin shqiptar", portieri i Dinamos ka treguar momentet e përjetimit të skuadrës së tij dhe komunikimin e tyre në fushën e blertë. "Jemi shumë të lumtur për fitimin e titullit kampion, pasi kemi kurorëzuar një punë shumë të mirë. Personalisht nuk kam pasur emocione në këtë takim, pasi na duhej të ruanim gjakftohtësinë, pasi me 2 lojtarë më pak nuk kishim se çfarë të humbisnim. Të jeni të bindur se, nëse nuk pësuam gol, ka të bëjë siguria që kishim në vetvete. Së bashku me kapitenin Pisha dhe me çunat e tjerë kemi komunikuar në fushë, duke iu betuar njëri tjetrit se sot ne nuk do të pësojmë gol dhe tani në fund kështu ndodhi, tashmë jemi heronj. Sekreti i Dinamos qëndron në forcën e grupit, këtë gjë unë e kam thënë që në ditën e parë që kam mbërritur këtu. Këtë sukses ia dedikoj familjes sime, të gjithë fansëve dinamovitë, drejtuesve të klubit e me radhë, por një dedikim të veçantë për prezantimin tim të mirë gjatë këtij edicioni do t'ia adresoja trajnerit tim personal, Ilir Bozhiqi, pasi falë punës sonë në bashkëpunim shumë të mirë jemi sot këtu. Unë e kam thënë edhe herë të tjera se Partizani është i madh, por Dinamo është akoma më e madhe dhe këtë gjë e tregoi dhe në përballjen direkte, pasi të fitosh me 2 lojtarë më pak nuk është rastësi apo koincidencë. Kam fituar dhe një titull shumë të bukur në Elbasan, por nga mënyra e fitimit të këtij tek Dinamo në sekondat e fundit dhe me dy lojtarë më pak, ky titull do të jetë gjithmonë tepër i veçantë për mua,"përfundon deklaratën e tij Elvis Kotorri, i cili fiton titullin e dytë kampion gjatë karrierës së tij me skuadrën e Dinamos, pas atij të fituar në sezonin 2005 2006 me skuadrën e Elbasanit.