Dialogu për njohje reciproke

Ai ka thënë se NATO në Kosovë nuk ka vullnet dhe dëshirë që për të zgjidhur si duhet çështjen e veriut dhe se tani për tani, Ballkani nuk është top-prioritet për Uashingtonin.
Duke folur për dialogun Kosovë Serbi ai ka theksuar se ky dialogu duhet të bëhet për njohje të dyanshme dhe themelim të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.
“Kur evropianët dhe amerikanët flasin privatisht ata duhet ta kenë të qartë se dialogu nuk është vetëm sa për dialog, po është shumë më shumë për njohje reciproke dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike”, ka theksuar ai.
Ndërkaq, duke folur për zhvillimet në veri, Daniel Serwer ka thënë se NATO në veri nuk ka vullnetin për të vepruar në mënyrë të nevojshme në veri. Madje, ai ka thënë se bashkësia ndërkombëtare mund të dërgojë sinjale të gabuara tek banorët në veri, ngase nuk po vepron në të njëjtën mënyrë si në fushën diplomatike dhe atë ushtarake.
“NATO në veri nuk është edhe aq e pafuqishme si EUFOR-i në Bosnje, por nuk ka vullnet dhe mundësi për të zgjidhur çështjet e nevojshme. Sepse, amerikanët dhe të tjerët duan t’i tërheqin trupat e tyre nga Kosova, pa njohje dhe marrëdhënie diplomatike. Përgjegjësia për mbrojte të integritetit territorial të Kosovës, me tërheqjen e KFOR-it, bien mbi institucionet e Kosovës, të cilët nuk e kanë momentalisht dhe as për të paktën pesë vjetët e ardhshme një mundësi të tillë”, ka thënë ai, transmeton RTK.
Duke folur për mosnjohjen e Kosovës nga pesë vendet evropiane, Serwer ka thënë se 22 vendet tjera të BE-së duhet të bëjnë presion mbi vetë ato shtete. Ai ka theksuar se mbizotërimi i ligjit, mbrojtja e pakicave dhe e gruas duhet të jenë po ashtu prioritet për Kosovën si vend në tranzicion. /Kosovapress/