Dialogu vazhdon
Lirimi i Ramush Haradinajt nuk do ta pengojë vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi. Pavarësisht se lidershipi serb ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Tribunalit të Hagës, ata nuk do të tërhiqen nga procesi i nisur i bisedimeve. Mediat serbe duke u thirrur në burime diplomatike kanë paralajmëruar vazhdimin e raundit të ri të bisedimeve, ku do të marrin pjesë kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic.
Zyrtarë të BE’së duke komentuar deklaratat në Serbi se dialogu mund të ndërpritet nëse lirohet Haradinaj, kanë thënë se një gjë e tillë nuk do të ishte në interes të askujt.
“Kur bëhet fjalë për rregullat e demokracive perëndimore, duhet të respektohet pavarësia e gjykatave edhe nëse ato sjellin aktgjykime që janë të kundërta me aktakuzën për shkak të mungesës së dëshmive”.
Sipas zyrtarëve anonimë të Bashkimit Europian, autoritetet serbe janë qartësisht të përcaktuara që pavarësisht të gjithave të vazhdojë dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, në mënyrë që të forcohen shanset e Serbisë për të marrë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE.
Madje sipas njoftimeve, ekipet e Prishtinës dhe Beogradit kanë biseduar për çështjen e Menaxhimit të Integruar të Kufirit edhe në të enjten pavarësisht vendimit të Tribunalit të Hagës.
Këto bisedime sipas shefit të ekipit serb, Dejan Pavicevic, do të zhvillohen edhe të premten, ndërsa pritet të vazhdojnë edhe gjatë javës së ardhshme.
Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic ka thënë se Serbia është sjellë para aktit të kryer pa e implementuar IBM’in.
“Jemi sjellë para aktit të kryer, ose do ta implementojmë marrëveshjen IBM që është një nga kushtet e dhimbshme të BE’së”, ka thënë Dacic.
Serbia dhe Kosova kanë filluar bisedimet më 17 tetor, me një takim mes Kryeministrit të Thaçit dhe Dacicit, të ndërmjetësuar nga Baronesha Ashton. Në proces pritet të diskutohen një mori çështjesh duke përfshirë edhe Veriun e Kosovës.