Dialogu, zgjidhje në kuadër të kushtetutës

Është me rëndësi që Kosova ka shprehur dhe po vazhdon të shprehë gatishmëri për të gjetur zgjidhje për preokupimet e qytetarëve në vend, në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Kështu pohoi Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, i cili bëri një vlerësim të rrjedhës së bisedimeve, të cilat të hënën u mbajtën në Bruksel, në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Haradinaj tha se po bëjnë përpjekje, që të gjinden zgjidhjet më kualitative, në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, shkruan express.
“Për takimin e djeshëm, kemi pasur informata për qëndrimet. Është me rendësi që Kosova ka shprehur dhe ka vazhduar të shprehë, një gatishmëri me gjet zgjidhje për preokupimet e qytetarëve në vend, në kuadër të kushtetutës dhe Ligjeve të vendit. Pra mos me improvizu si herëve tjera. Besojmë që procesi të mbetet në këtë rrugë. Shihet se nuk është arritur ndonjë marrëveshje, ndonjë zgjidhje e duhur, por procesi do të mbetet në këtë rrugë, që zgjidhjet të gjinden në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit”, pohoi Haradinaj.
Ai po ashtu tha se e dinë që procesi i bisedimeve dhe temat që diskutohenm, janë të ndjeshme, por se duhet të jemi të kujdesshëm, që çështjet për të cilat kërkohet zgjidhje të bëhen në kuadër të kushtetutës dhe ligjeve.
Ndërsa i pyetur se a është shqetësuese fakti që delegacioni kosovar, siç është parë dhe nga fotot e publikuara ka shkuar në bisedime pa laps dhe pa letër, ai tha se kjo mund të ndodh si pasojë e mungesës së interesimit apo Kosova nuk ka shkuar me ndonjë ofertë shtesë.
“Mundet me u komentu në dy mënyra. Njëra është mungesa e interesimit. E dyta mund të jetë që Kosova nuk ka shkuar me ndonjë ofertë shtesë, por mbesim në kushtetutë dhe në ligjet”, tha Haradinaj./Indeksonline/