Policia merr donacion për ruajtjen e të dhënave

Policia e Kosovës ka pranuar sot një donacion që ti ndihmojë në ruajtjen e dëshmive.
Në ambientin e ndërtesës se administratës së Policisë së Kosovës u mbajt një ceremoni me qëllim të dhurimit të sirtarëve dhe pajisjeve tjera për ruajtjen e dëshmive, donacion kap vlerën rreth 400 mijë dollar.
Ky i është dhuruar Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit nga Qeveria Amerikane.
Në këtë ceremoni u bë edhe nënshkrimi i dokumentacionit për pranim dorëzim të donacionit nga Zëvendës shefja e misionit në ambasadën e SHBA-ve në Republikën e Kosovës, Kelly Degman, Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, Kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.
Zëvendës shefja e misionit në ambasadën e SHBA-ve, Kelly Degnan, tha se ky projekt do t’i mundësojë Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës që të sigurojnë më mirë dëshmitë e mbledhura gjatë hetimeve të krimeve duke cekur se projekti vjen si si rezultat i investimit prej rreth 400 mijë dollarësh prej Fondit për ndihmë të jashtme të ShBA-ve.
Degnan potencoi se aftësia për të deponuar dhe ruajtur dëshmitë në mënyrë të sigurt përbën një hap tjetër të rëndësishëm në përpjekjet e Kosovës për të ndërtuar një sistem të besueshëm të drejtësisë sepse mundëson ndjekjen e suksesshme dhe të drejtë të kriminelëve dhe përmbylljen e ndjekjeve penale që marrin shumë kohë dhe përpjekje nga zyra e Prokurorisë së Shtetit dhe Policia.
Edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, pranimin e këtij donacioni e vlerësoi si një ditë të shënuar për Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit duke cekur se kjo do të lehtësojë punën e hetuesve të policisë, por edhe të prokurorisë.
Kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, duke theksuar rëndësinë e një projekti të tillë tha se provat e siguruara në procedurën penale duhet të mbahen të siguruara, për arsye se ato prova nevojiten edhe në shqyrtimin gjyqësor.
Donacioni nga i cili ka përfituar Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit përfshin dhurimin sirtarëve për ruajtjen e dëshmive në 36 stacione të Policisë së Kosovës, në gjashtë drejtori rajonale, 13 pikë-kalime kufitare dhe 10 zyra të Prokurorisë Publike të Kosovës.
Gjithashtu, projekti ka përfshirë renovimin, përforcimin dhe pajisjen e dhomave për ruajtjen e dëshmive të drejtorive rajonale të Policisë së Kosovës, si dhe ri-dizajnimin, pajisjen dhe sigurimin e dhomës qendrore për ruajtjen e dëshmive në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës. /Indeksonline/