Dibër/ Flakët i afrohen banesave në Lurë, era e fortë vështirëson betejën me zjarrin

Momente tensioni në zonën e përfshirë nga zjarri në Dibër, ku flakët janë afruar deri pranë dy banesave. Ndërhyrja e forcave në terren ka bërë që rreziku për shtëpitë të largohet për momentin, por situata mbetet problematike.
Era e fortë po favorizon përhapjen e zjarrit dhe po vështirëson përpjekjet për ta vënë nën kontroll. Në terren po punohet për hapjen e një vije ndarëse, me synim ndalimin e avancimit të flakëve.
Në operacion janë angazhuar zjarrfikës, strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Dibër, Policia e Shtetit, punonjës të Zonave të Mbrojtura, vullnetarë dhe familjarë.
Ndërkohë, pritet që në operacion të angazhohen edhe avionët për shuarjen e zjarrit dhe trupa të Forcave të Armatosura, për të përforcuar përpjekjet për izolimin e flakëve.
/rtsh.al/