Europa në luftë me flakët- Zjarret përhapen me shpejtësi, mijëra banorë e turistë evakuohen

Zjarret po përhapen në disa vende të Europës, ndërsa temperaturat e larta dhe erërat e forta po e vështirësojnë betejën me zjarret. Në Kroaci, një zjarr i fuqishëm në zonën e Omišit plagosi të paktën 36 persona dhe detyroi rreth një mijë banorë e turistë të largoheshin nga zonat e rrezikuara. Mbi një mijë hektarë tokë u dogjën, ndërsa flakët iu afruan banesave dhe tymi mbuloi zonën bregdetare.
Në Greqi, situata ishte dramatike në Halkidiki, ku qindra turistë u futën në det për t’i shpëtuar zjarrit, ndërsa më shumë se 300 persona u larguan me varka. Flakët iu afruan shtëpive dhe zonave turistike, duke detyruar autoritetet të ndërhyjnë me mjete tokësore dhe ajrore.
Edhe Franca po përballet me vatra të reja zjarri, ndërsa në rajonin Landes më shumë se 500 banorë janë evakuuar.
Rreziku mbetet i lartë edhe në Spanjë, ku temperaturat pritet të arrijnë deri në 42 gradë Celsius, ndërsa zona të mëdha të vendit ndodhen në nivel shumë të lartë ose ekstrem rreziku.
Sipas të dhënave europiane, që nga fillimi i vitit janë djegur më shumë se 505 mijë hektarë tokë, një shifër shumë më e lartë se mesatarja e 20 viteve të fundit.
Ekspertët paralajmërojnë se vala e të nxehtit mund ta zhvendosë rrezikun e zjarreve drejt Europës Qendrore dhe Jugore në ditët në vijim.
/rtsh.al/