E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidentet në Skënderbeu-Tirana, procedim penal 4 personave

Policia e Korçës ka nisur procedimin penal për 4 persona të cilët shkaktuan trazira gjatë ndeshjes së futbollit Skënderbeu-Tirana. Burime nga policia bëjnë me dije se ka nisur procedimin penal për shtetasit Theodhoraq Cipi 33 vjeç, Sonil Jovan 29 vjeç, Nandi Firaj 39 vjeç dhe Elvis Lera 28 vjeç të cilët , gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit Skënderbeu-Tirana, kanë prishur rendin dhe qetësinë publike.
Sipas policisë këta persona kanë hedhur sende të forta si bidona plastike, gurë dhe fishekzjarre ndaj tifozëve të Tiranës.
Njëkohësisht nga ana e policisë po punohet edhe për identifikimin dhe shoqërimin e disa personave të tjerë, të cilët para fillimit të kësaj ndeshjeje kanë shkaktuar probleme dhe kanë prishur rendin dhe qetësine publike. Ndërkohë materialet për këtë rast i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale "Prishje e rendit dhe qetësisë publike”.
Ndërkohë Tirana është fituesja e Superkupës së Shqipërisë, e 9-a kjo në historinë e klubit bardheblu. Kryeqytetasit kanë mundur 0-1 Skënderbeun në Korçë falë golit të Bekim Balës në minutën e 63 të ndeshjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›