E Diel, 1 Nëntor 2026

Digitalb në avantazh

Udhëheqësit e FFK-së dhe përfaqësues të klubeve të enjten pritet ta shpallin fituesin e të drejtave televizive për transmetimin e ndeshjeve të Superligës së Kosovës në futboll. Oferta e Digitalbit po i josh më shumë klubet sesa ajo e DigiWorks dhe KosovaPress. Andaj, përfaqësuesi i Digitalbit, Andin Lokaj, beson në fitore. Nga Valon Konushevci më 22 shtator 2011 në ora 09:39

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), sipas të gjitha gjasave, të enjten do ta shpallë fituesin e të drejtave televizive për transmetimin e ndeshjeve të Superligës së Kosovës në futboll.

Në fakt, për ta fituar këtë të drejtë kishin aplikuar pesë shtëpi mediale, derisa Digitalb, DigiWorks dhe KosovaPress janë kualifikuar në konkurrencën e ngushtë.

Ishte paraparë që të martën e kaluar të shpallej fituesi, por një gjë të tillë nuk e bëri FFK-ja, me arsyetimin se ofertat nuk ishin krejtësisht të qarta.

Mirëpo, të enjten do të mblidhen përfaqësuesit e klubeve të Superligës, të cilët bashkë me krerët e FFK-së pritet ta shpallin fituesin. “Të enjten do të takohemi me krerët e klubeve dhe do t’i shqyrtojmë edhe njëherë ofertat. Nëse ka paqartësi në oferta, do të kërkojmë qartësi dhe pastaj ofertuesin më të mirë do ta shpallim fitues”, ka thënë për Express nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi.

Burimet të Express-it bëjnë të ditur se Digitalb është më së afërmi të shpallet fitues, pasi oferta e saj është më joshëse për dallim prej asaj të DigiWorks dhe KosovaPress. Kjo e fundit kishte ofruar 77 mijë euro, derisa DigiWorks me ofertën serioze arriti shumën prej 86 mijë euro, por me TVSH.

Sipas burimeve, më joshëse duket të jetë oferta e Digitalb, e ofruar në tri variante: Varianti më joshës ishte ky: Transmetim live i tri ndeshjeve në javë, transmetime satelitore dhe tokësore, ato kabllore dhe IPTV. Oferta financiare për variantin e parë është 80 mijë euro, pa TVSH. Përveç ofertës financiare, Digitalb ka ofruar mundësinë e promovimit të Superligës së Kosovës në kanalet e platformës Digitalb nëpërmjet transmetimit të spoteve televizive në vlerë prej rreth 50 mijë eurosh.

Digitalb ka ofruar mundësinë edhe të organizimit të një turneu miqësor në kuadrin e promovimit të ligës ndërmjet dy skuadrave nga Superliga e Kosovës dhe dy skuadrave nga Superliga shqiptare.

Klubet duket se më së shumti janë joshur nga oferta e Digitalbit. “Oferta e Digitalb është larg më mirë prej ofertave tjera dhe një kompanie si kjo, me një teknikë superiore, ndër më të mirat në Evropë, është mëkat mos t’i jepet e drejta”, ka thënë kryetari i Trepçës, Nexhmedin Haxhiu. Njëjtë shprehet edhe menaxheri i Vëllaznimit, Ahmet Morina. “Ne jemi për kompaninë më reale, më të drejtë me ofertën më të mirë. Në shikim të parë Digitalb duket më joshës”, pohoi Morina. Për Digitalbin ishin edhe disa përfaqësues të klubeve tjera, por nuk dëshironin të flisnin publikisht.

Andaj, Andin Lokaj, përfaqësuesi i Digitalbit, është i bindur se kjo kompani do të shpallet fituese. “Oferta jonë është dukshëm më e mirë. Ne ofrojmë 80 mijë euro pa TVSH, që i bie ndryshe rreth 92 mijë euro, plus hapësirë reklamuese në vlerë prej rreth 50 mijë euro. Ofertë më të mirë nuk ka dhe si e tillë duhet të fitojë”, ka pohuar Lokaj.

FFK-ja ka premtuar se ofertuesi më i mirë do të shpallet fitues dhe se nuk do të ketë asnjë tendencë për manipulim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›