Shuarja, zgjidhje e vetme
Më në fund, dy nga akterët kryesor të zhvillimeve të fundit në basketbollin e kryeqytetit të mërkurën e kanë mbajtur një konferencë për media, në të cilën zyrtarisht i kanë treguar arsyet e shuarjes së KB Prishtinës dhe formimit të Prishtinës BC.
Siç kishte raportuar gazeta Express, ata konfirmuan se borxhet e mëdha, të trashëguara nga ish-kryesia qysh prej vitit 2002, ishin të papërballueshme për KB Prishtinën, me ç’rast kuvendarëve në njëfarë mënyre u ishte ‘imponuar’ vendimi për t’ia vënë drynin kampionit të shumëfishtë të Kosovës.
“Më 10 shtator, kuvendi i KB Prishtinës mori vendimin për shuarjen e klubit. Nuk ka qenë e lehtë të merret një vendim i tillë. Por, ka qenë thuajse rrugëdalja e vetme, sepse borxhet e tubuara nga viti 2002, që nuk ishin të vogla, bënin që sponsorët mos ta mbështesnin KB Prishtinën për edicionin 2011/2012”, tha Qerim Gashi, kryetar i klubit të ri Prishtina BC.
Aty nuk u tregua shifra e saktë e borxheve që i kishte KB Prishtina. Mirëpo, ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit të atij klubi, Artan Rugova theksoi se klubi bardh e kaltër i kishte borxh një ish-anëtari të kryesisë dhe dy ish basketbollistëve. Fjala është për borxhet ndaj ish-drejtorit të KB Prishtinës, Ismet Rexhepi dhe ish-basketbollistëve, Florian Miftari e Edis Kuraja.
Mirëpo, sipas Rugovës, KB Prishtina u kishte borxhe akoma më të mëdha disa menaxherëve të huaj të lojtarëve, të cilët e kishin paraqitur rastin në FIBA. “Shkaku i atyre borxheve, KB Prishtina do të pengohej për të marrë pjesë në gara ndërkombëtare, pas inkuadrimit të Kosovës në FIBA”, tha ai.
Mirëpo, Rugova sqaroi një gjë interesante: “Klubi i Komunës së Prishtinës, KB Prishtina themeluar në vitin 1970, nuk është shuar. Ai klub kurrë nuk do të shuhet dhe s’ka kush ta shuajë. Por, është shuar OJQ KB Prishtina e formuar në vitin 2005, trashëgimtare e KB Prishtinës së vitit 1970. Andaj, gjithë historia, titujt, trofetë e KB Prishtinës i takojnë Komunës së Prishtinës”, tha ai.
Sipas tij, Komuna e Prishtinës me kohë ishte njoftuar me vendimin e Kuvendit të KB Prishtinës për shuarje. “Për këtë janë njoftuar me kohë edhe përfaqësuesit e tifozëve ‘Plisat’. Fillimisht vendimi ishte i rëndë për ata, por ‘Plisat’ e kuptuan situatën dhe u pajtuan me realitetin, andaj ata kanë shprehur gatishmërinë për ta përkrahur klubin e ri Prishtinën BC”, tha drejtori i këtij klubi të ri.
Rugova e tregoi edhe procesin e formimit të klubit të ri Prishtina BC.
“Më 15 shtator është mbajt një kuvend i përbërë nga dashamirë të basketbollit të kryeqytetit, ish basketbollistë, etj, dhe formuam OJQ Prishtinën BC, të cilën e regjistruam në Ministri, pastaj u regjistruam në Federatë, e cila pranoi kërkesën tonë për të garuar në rangun më të ulët të garave si klub i ri. Mirëpo, ne bëmë menjëherë kërkesë për ta plotësuar vendin e zbrazët në Superligë. Këtë kërkesë e aprovoi FBK-ja duke u bazuar në rregulloret e saj që janë në fuqi”, shtoi Rugova sipas të cilit, Prishtina BC shumë shpejt do të regjistrohet edhe në Komunën e Prishtinës.
Ai theksoi se logoja e klubit të ri do të dallojë nga ajo e KB Prishtinës së shuar. “Kurse, sa u përket ngjyrave të fanellave, vendimin do ta marrim pasi të konsultomi me ‘Plisat’, të cilët kanë shprehur gatishmërinë ta mbështesin klubin e tyre të kryeqytetit”, tha ai. Sipas tij, ky klub është pranë finalizimit të marrëveshjes me kompaninë Sigal, andaj skuadra në sezonin e ri pritet të quhet Sigal Prishtina BC.
Arben Krasniqi, zyrtarisht trajner i Prishtinës BC
Ashtu siç kishte paralajmëruar gazeta Express, tashmë është konfirmuar se Prishtina BC në sezonin e parë në Superligë do të udhëhiqet nga strategu Arben Krasniqi, i cili me KB Prishtinën s’kishte lënë trofe pa e rrëmbyer. “Me shuarjen e KB Prishtinës, lojtarët janë liruar nga kontratat. Shumica nga ta e kanë zgjedhur Prishtinën BC. Bordi i klubit, në mbledhjen e vet të mbajtur të martën mbrëma, trajner të ekipit e ka emëruar Arben Krasniqin, kurse ndihmës të tij, Fikret Shatrin”, theksoi kryetari i Prishtinës BC, Qerim Gashi. Drejtori i këtij klubi, Artan Rugova premtoi se Prishtina BC, si klub i ri vazhdimisht do të luftojë për të rrëmbyer sa më shumë trofe, ashtu siç bënte KB Prishtina. Ai shprehu bindjen e tij se Prishtina BC do të jetë skuadra e parë kosovare që do të garojë në gara ndërkombëtare, pasi Federata e Basketbollit e Kosovës të anëtarësohet në FIBA.