Digjen 7000 zogj në një fermë të pulave
Janë djegur 7000 zogj në një fermë të pulave në fshatin Akrashticë të Vushtrrisë, si dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, si pasojë e zjarrit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 3:30 të mëngjesit të së martës, ndërkohë që njësitë e zjarrfikësve kanë arritur që rreth orës 7, të lokalizojnë zjarrin.
Mësohet se dy objekte afër njëra tjetrës, pronë private, ferma për kultivimin e zogjve të pulave, ishin kapluar tërësisht në zjarr, ndërsa vlera e dëmit sipas pronarit konsiderohet të arrijë shumën rreth 15-mijë euro.
Sipas zëdhënësit rajonal të policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, hetuesit policorë më deri tani nuk kanë arritur të gjejnë ndonjë element të ndonjë vepre të mundshme penale në këtë rast për të cilësuar rastin si zjarr-vënie të qëllimshme.
“Policia është duke zhvilluar hetimet mbi shkaktarin e zjarrit, i cili fillimisht besohet të ketë qenë shkaktuar nga rryma elektrike, ndërsa rasti është regjistruar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ka thënë Hoti.