Në Radiologji u kryen 11.369 CT dhe 78.685 rentgene
Në shërbimin e Radiologjisë të Qendrës Diagnostike, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), janë kryer 11.369 Tomografi të Kompjuterizuara (CT).
Prej numrit të përgjithshëm, 7.959 pacientët kanë qenë ambulatorë, të referuar nga Qendrat e Mjekësisë Familjare, kurse 3.410 raste ishin spitalore.
Në kudër të QKUK-së, ekzistojnë 4 aparate CT-je, prej tyre, aktualisht 3 janë në funksion, 2 janë të vendosura në Radiologji, 1 në Klinikën e Neurologjisë dhe 1 në Institutin e Onkologjisë, e cila pas riparimit së shpejti pritet të futet në punë, saktëson Zyra për informim e QKUK-së.
Në Radiologji, janë kryer edhe 78.685 rëntgene, përfshirë gjymtyrët e ndryshme, rëntgenet e skeletit, mushkërive dhe të tjera.
"Në kuadër të Radiologjisë, me plot sukses është duke u punuar edhe me Rezonancën Magnetike(RM), e cila fizikisht është vendosur në Institutin e Onkologjisë. Kërkesat për kryerjen e RM-së, janë jashtëzakonisht të mëdha, meqë është vetmi aparat në institucionet publike në vend", thuhet në një komunikatë shtypi të QKUK-së.
QKUK-ja apelon tek mjekët e spitaleve rajonale dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare që të jenë shumë të kujdesshëm me rastin e referimit të pacientëve për Rezonancë Magnetike, meqë aparati në fjalë është tejet i ngarkuar. Në shërbimin e Radiologjisë, punojnë 38 radiologë dhe 44 teknik të radiologjisë, të shpërndarë në klinika të ndryshme.
Shërbimi i Radiologjisë, ka të organizuar 24-orë shërbimin e kujdestarisë, i cili ofron shërbime për të gjitha rastet emergjente.