Digjen flamujt e PD, palët dënojnë veprimin
ELBASAN- PD dhe deputeti Luçiano Boçi kanë dënuar dje aktin e djegies së flamujve të PD-së në këtë qytet. Në një prononcim publik, Boçi u shpreh “U njoha me lajmin e zakonshëm të djegieve të flamujve të PD, nga eksponentë ose militantë të frymëzuar nga pjesa më e egër e PS në lagjen “Partizani”. Kjo për PS është një ngjarje e zakonshme, pasi PS që në fillim të fushatës ka aplikuar një lloj terrori psikologjik, duke luftuar me simbole dhe flamuj, si edhe duke kërcënuar nëpërmjet telefonatave. Doja të thosha se në PS ekziston një skalion pune, i cili nismën dhe vazhdën e ka që nga data 21 janar. Të gjithë i kemi në konsideratë pamjet e hedhjes së flamurit shqiptar, nga eksponentë kriminalë. Por këto skalione, janë jo vetëm te militantët, por shkojnë përtej militantëve, dhe unë pretendoj se shkojnë edhe deri në strukturat më të larta të PS. Kjo është një lloj strategjie për të prishur imazhin e zgjedhjeve, një strategji e aplikuar edhe në vitin 2009. Por ajo që është më kryesore është se në këto ditët e fundit, PS e ka kapluar paniku i humbjes, jo vetëm në Bashkinë e Elbasanit, por edhe në bashkitë e tjera edhe në Tiranë. I bëj thirrje kryebashkiakut në ikje Sejdinit dhe Ramës, që të ruajnë qetësinë e tyre dhe me qytetari të bëhen gati të dorëzojnë çelësat e bashkive përkatëse. Ne denoncojmë këto akte antiqytetare të djegieve të flamujve, ashtu si dhe grisjet e posterave, që po bëhen në vende të ndryshme të qytetit nga militantët socialist”. Në një konferencë për shtyp, deputeti socialist Ilir Bejtja ka dënuar djegien e flamujve të PD-së dhe e ka cilësuar këto farsë elektorale, “Ne jemi kundër klimës, kundër çdo lloj mesazhi që ne kemi transmetuar në këtë fushatë elektorale. Asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk është në stilin tonë një akt i tillë. Simbolet janë të shenjta dhe ne do t’i respektojmë kushdo qofshin këto. Përsa i përket anatemimeve që ne jemi të dhunshëm, mua më duket qesharake, socialistët janë ata që kanë vrarë në 21 janar 4 njerëz, socialistët janë ata që kanë vrarë 26 njerëz në Gërdec, socialistët janë që kanë lënë 1 milion vetë të papunë apo lojëra me qendrat e votimit, duke nxjerrë njerëzit në mitingje duke i marrë firmat? Kjo është e gjithë një farsë qesharake. Ne jemi forcë politike shumë e civilizuar. Socialistët janë të gatshëm ta mbrojnë votën e tyre dhe i ftojnë të dalin çdo ditë të gjithë qytetarët që të gjejnë emrat për një pjesëmarrje masive në votime”.