Goditet me thikë simpatizanti, kapet autori i plagosjes
DURRËS- Simpatizantët e shtabeve elektorale goditen me thika, policia përjashton sfondin politik. Në një kohë që fushatës zgjedhore të 8 majit të dy kandidatët e Bashkisë së Durrësit i dhanë fund ditën e djeshme, pak orë përpara mbylljes së saj, ka ndodhur incidenti i parë elektoral me pasoja të rënda. Dy të rinj janë konfliktuar, duke goditur njëri-tjetrin me thika, ndërkohë që njëri prej tyre ka përfunduar me tre të çara në spital. Ngjarja është regjistruar pak para mesnatës, rreth orës 22:30 në lagjen nr. 1, para zyrës elektorale të kandidatit Vangjush Dako te Vollga, janë përfshirë në sherr një aktivist i PS-së dhe një i PD-së. Burimet e policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se Ervin Muça, 33 vjeç, është qëlluar me thikë nga 23-vjeçari Ergert Ferhati, i cili është vënë në pranga menjëherë pas ngjarjes. Që të dy të rinjtë janë banorë të Durrësit, ndërkohë që aktivizoheshin në zyrat e PS dhe PD që gjenden shumë afër njëra tjetrës tek Vollga. Debati ka nisur para një lokali pranë shtabit të PS-së, i cili shume shpejt ka vazhduar me konfrontime fizike. Burimet e policisë kanë bërë të ditur se shtetasi Ervin Muça (djali i shahistit të mirënjohur Fatos Muça) ka qenë nën efektin e pijeve alkoolike dhe ka tentuar ta godasë 23-vjeçarin me thikë. Në sherr janë përfshirë edhe persona të tjerë nga të dy kampet, por në konflikt e sipër Ervin Muça ka marrë dy plagë në trup nga goditja me thikë. Pas plagosjes 33-vjeçari është dërguar në spital, ku i është nënshtruar ndërhyrjes mjekësore dhe e ka kaluar rrezikun për jetën. Policia është njoftuar për ngjarjen dhe menjëherë ka arrestuar 23-vjeçarin, Ergert Ferhati, duke e shoqëruar atë në ambientet e policisë. “Nga ana e strukturës për Hetimin e Krimeve u bë i mundur identifikimi, shoqërimi dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar të kësaj ngjarje, për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje. Nga hetimi rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive krejt banale, që nuk kanë lidhje me fushatën zgjedhore, si dhe jo në brendësi të ambienteve elektorale”, bëhet e ditur në komunikatën për shtyp të policisë. Rreth orës 01:00 pas mesnate, Prokuroria e Durrësit ka kërkuar ndjekje penale për 23-vjeçarin duke e akuzuar atë për plagosje të rëndë me dashje. Policia në njoftimin e saj për mediat ka theksuar se ngjarja nuk ka lidhje me fushatën zgjedhore, por konflikti ka ndodhur për motive banale.