Digjet banesa, vdes 33-vjeçari, rëndë 25-vjeçarja
Vlorë- Një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër është plagosur si pasojë e një zjarri që përfshiu shtëpinë në të cilën banonin. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në Vlorë, ku apartamenti në katin e katërt të një pallati në lagjen “28 Nëntori” u shkrumbua nga flakët. Sipas të dhënave të para zjarri mendohet se ka qenë aksidental, i shkaktuar nga një bombël gazi. “Si pasojë e flakëve është dëmtuar rëndë e më pas ka humbur jetën në spital, 33-vjeçari Daut Selimaj, dhe njëkohësisht femra me të cilën bashkëjetonte Klodiana Hoxha, 25-vjeçe”- thonë burimet e policisë.
Zjarri ka përfshirë menjëherë dhomën e ndjenjës në banesë ndërsa dy personat që jetonin me qira aty prej një viti nuk kanë mundur t’i shpëtojnë flakëve. Ka qenë ndërhyrja e zjarrfikëses që ka evituar përhapjen e zjarrit edhe në hyrje të tjera.
Dy të lënduarit u transportuan me urgjencë në spitalin Ushtarak të Tiranës, por
33-vjeçari Duat Selimaj ka ndërruar jetë si pasojë e djegieve të shumta në pjesë të ndryshme të trupit. Sipas mjekëve, Klodiana Hoxha është ende në gjendje kritike për jetën. Ngjarja është dokumentuar si aksidentale, por policia po heton për zbardhjen e plotë të ngjarjes.