E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borë e dendur në Kukës, 9 komuna të izoluara

Kukës- Nëntë komuna në rrethin e Kukësit janë plotësisht të izoluara. Në disa prej tyre si në Arrën, Grykë Cajë, Kalis, Zapod, trashësia e dëborës ka arritur në 1,5 metra.

"Në situatën e krijuar, e gjithë vëmendja jonë është përqendruar në mbajtjen hapur të aksit kryesor rrugor Morinë - Kukës - Qafë Shllak, ku janë përqendruar mjetet tona, bile për ndihmë ka ardhur edhe një borëpastruese e forcave të ushtrisë nga Tirana",- tha sot për ATSH-në, drejtori rajonal i ndërmarrjes së mirëmbajtjes së rrugëve Rushit Gashi.

Reshjet e dendura të dëborës në qytetin e Kukësit, aktualisht kanë krijuar një trashësi prej rreth 40 centimetrash, ndërsa në zonat mbi 700 metër trashësia e dëborës ka arritur në një metër. Reshjet po vazhdojnë me një dendësi të madhe duke rritur nga momenti në moment trashësinë e duke vështirësuar mbajtjen hapur të akseve rrugore.

"Aktualisht me përjashtim të aksit kryesor rrugor dhe të aksit Kukës - Krumë, është vështirë të mbahen hapur akset rrugore që lidhin komunat me Kukësin. Kjo pasi edhe në Domaj, afër Kolosjanit, rreth 20 kilometra larg qytetit të Kukësit trashësia e dëborës ka arritur në një metër",- thotë Gashi.

Ndërkohë, aksi rrugor Kukës - Shishtavec, aktualisht është i pakalueshëm, ndonëse3 mjete kanë lëvizur, por janë bllokuar në afërsi të Topojanit, rreth 16 kilometra larg Shishtavecit, duke i detyruar pasagjerët që këtë segment rrugor ta bëjnë në këmbë. Po ashtu është krejtësisht i bllokuar edhe aksi rrugor nacional Kukës - Peshkopi.

Në segmentin kryesor rrugor që lidh Kosovën me Shqipërinë janë përqendruar të gjitha forcat për mbajtjen hapur të tij. "Edhe pse tashmë trashësia e dëborës ka arritur në mbi një metër ky aks rrugor është i kalueshëm në një drejtim nga mjetet",- thotë Gashi. Sipas tij, në këtë aks rrugor po punojnë pa ndërprerje 3 borëpastruese dhe një kamion 24 tonësh për hedhjen e kripës. Po ashtu në aksin rrugor Kukës - Domaj, po punon një borëpastruese dhe një kamion 12 tonësh për hedhjen e skorjes e kripës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›