Dikens me 500 lekë faqja
Në Tiranë diskutohej dje në nivel institucionesh dhe përfaqësish diplomatike evropiane se ku është Shqipëria me mbrojtjen e të drejtës së autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të. Raportet zyrtare flasin për ndjeshmëri të ulët ndaj çështjes, ndërsa ministri i Kulturës premton një projektligj të ri të standardit evropian.
Diskutimi për pronën intelektuale, përgjithësisht, kur ka ardhur në debat publik, përqendrohet në shkeljen e të drejtave të autorit në kuptimin klasik të termit.
Por shkelje e të drejtave është edhe një punë intelektuale e paguar keq në kushtet e një tregu të vogël si Shqipëria, që është vrasës për autorin i cili do duhej të jetonte nga haka që merr nga qarkullimi i veprës në një rreth të mjaftueshëm konsumatorësh.
Java që shkoi shënoi 200-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Çarls Dikens. Vendasit e kujtuan ndër të tjera si nismëtar, – si pakkush me autoritetin e tij, – të mbrojtjes së të drejtave të shkrimtarit britanik. Me Dikensin të drejtat e pronës intelektuale nuk do të ishin më çështje abstrakte për etikën e biznesit.
Përkthimi në shqip i një pjese të veprës së Çarls Dikensit u bë kur gjithçka në fushën e botimit funksiononte brenda ndërmarrjeve shtetërore e sipas të drejtave kolektive intelektuale. Çfarë ka ndryshuar sot?
Përkthyesi Klodian Briçi (34 vjeç), ka rimarrë traditën e mjeshtërve të përkthimit të veprës së Dikensit, traditë që kishte mbetur në vitet gjashtëdhjetë në përkthimet e Skënder Luarasit, Vedat Kokonës e Bujar Dokos. Briçi, emri i të cilit u kritikua rëndë më 2003 për përkthimin e veprës së parë në shqip të nobelistit John M. Coetzee, ka sjellë tri vepra voluminoze nga Çarls Dikens: Shpresat e mëdha, Klubi Pikuik dhe Kohë të vështira (pritet të dalë në qarkullim, nga i njëjti botues Fan Noli). Mbi 2000 faqe përkthim paguar me 500 lekë faqja. Kjo punë ka kaluar në heshtje, e për pasojë asnjë fjalë për nivelin e përkthimeve të Klodianit. Ka përkthyer në vite nga Oskar Uajlld Portretin e Dorian Greit, përrallat e Dikensit, Bashkë me erën e Margaret Miçëll.
Dhe pa dashur rasti i tij, flet se të drejtat e përkthyesit shqiptar kanë mbetur në nivelin e të drejtave të përkthyesit çirak të dikurshëm.
Lexuesi në shqip e ka lënë kontaktin me veprat e Dikensit te vëllimet e ndërmarrjeve shtetërore të botimeve. Si vazhdon me ty?
Në adoleshencë kam pasur leximet e para nga ky autor me David Koperfildin. Më kishin pëlqyer dhe ekranizime të hershme të veprës së tij që i qëndrojnë besnik veprave burimore. Të rejat priren të humbasin nga realizmi dikensian. Në vitet e universitetit kisha menduar për përkthimin e tij. Që prej vitit 2008 nisa punën intensive për këtë dëshirë të rinisë që vazhdon. Para tij kam përkthyer të tjera gjëra, ca me hir e ca me pahir. Letërsia që bën Dikensi është letërsia që pëlqej. Realizmi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, një epizëm-lirik si i Dikensit, është realizmi që më pëlqen.
Kokona, Doko, Luarasi, bëhet mbi gjysmë shekulli nga përkthimet e tyre. A ka vend për të diskutuar këtu për ripërkthimin e klasikëve?
Vedat Kokona është i pari që ka përkthyer Dikensin. David Koperfildi i tij është një përkthim i mirë, i viteve gjashtëdhjetë. Ribotuar disa herë, sepse etja ka qenë e jashtëzakonshme për të si vepër. Përkthyesi ka dhënë më të mirën për atë periudhë.
Është Oliver Tuisti i Skënder Luarasit, përkthim shumë i mirë, rreth 1957-ës dhe Dombi e biri i Bujar Dokos, një përkthyes i rrallë, skrupuloz.
Gjithsesi mendoj që duhen risjellë në shqip, duhen rifreskuar, pajisur me shënime. Është nevojë e zhvillimit të gjuhës. Nuk do doja të thyeja ndonjë mit të përkthyesve të vjetër të pagabueshëm. Por përkthimi është çështje rrethanash, pasqyrim i gjendjes emocionale, lodhjes e të tjerave kushtëzimeve që përkthyesi ka pasur. Një përkthyes nuk mund të japë gjithmonë maksimumin.
Cili është maksimumi me këtë autor sipas teje?
Gjuha angleze ka një frazë të tensionuar. Në përkthimin letrar duhet çliruar në shqip ky tensionim. Dhe kjo bëhet me një ripërkthim. Është i nevojshëm krahasimi nga një gjuhë tjetër, për shembull nga italishtja, sepse ka gjëra që për mua janë të errëta në përkthimin anglisht.
Personazhet e Dikensit vijnë nga shtresa të ndryshme shoqërore dhe nuk mund të pretendohet që këta të flasin gjuhë zyrtare angleze. Mirëpo në përkthimet tona ndodh që personazhet jepen sikur flasin gjuhë zyrtare. Personalisht, i rri larg këtij unifikimi. Kush flet me një anglishte gati-gati të pakuptueshme, e kam dhënë me një dialekt të veriut.
Për mua, botimet bazë janë Botimet e Oksfordit, të pajisura me shënime kritike. E njëjta gjë për të tri veprat: Shpresat e mëdha libri i parë që përktheva, Klubi Pikuik dhe Kohë të vështira që pritet të dalë në mars.
Dikensi shkrimtar social: do të ishe dakord me këtë etiketë apo edhe me përjashtimin që i bëjnë këtij emri nga lista e autorëve të shquar viktorianë?
Natyra njerëzore ka një të metë të madhe. Njerëzit japin lloj-lloj justifikimesh vetëm e vetëm për të përligjur mendimet e tyre. Dikujt i pëlqen Dikensi, dikujt Uilliam Thekëri që mbahet si rivali i tij i mundshëm. I pari shkroi për fisnikët e bujarët, i dyti për shtresat e mesme e të ulëta. Unë shijoj frazën e Dikensit që është e qëmtuar, e lëmuar, e bukur, qoftë kur është e zgjatur e ndërlikuar, qoftë kur është thukët. Për të mos folur për vlerat aktuale e të pakoha që ka vepra e tij. Me Britaninë kapitaliste të shek. XIX në veprat e Dikensit, lexuesi merr një pamje të përpiktë të shoqërive ku u zbatua kapitalizmi.
Respektivisht: Shpresa të mëdha vlerësohet nga kritikët si më e arrira, veçanërisht në pikëpamje të stilit. Ai nuk shkroi ndonjë vepër më të bukur, në perëndim të jetës. Dhe Klubi Pikuik, libri i fillimit të karrierës si shkrimtar kur Dikensi vinte nga gazetaria. Duken influencat. Pa Klubin Pikuik nuk mund të kuptohen dot as David Koperfildi, as Dombi e biri, as Shtëpia e shkretë, as Nikolas Nikëllbi.
Cila vepër duhet të ndjekë serinë e përkthime?
Secila nga veprat që ai shkroi ka individualitetin e vet. E gjithë kjo vepër duhet të vijë e plotë në shqip. Unë do të vazhdoja me O miku ynë i përbashkët, vepër voluminoze, një mijë faqe, e cila ka përshkrime drithëruese të mjerimit shoqëror të shek. XIX. Dhe tjetra është një vepër shumë aktuale për kohën tonë: Shtëpia e shkretë, me korrupsionin e zyrave, hipotekave, prona që nuk i shkon pronarit. Këto di ti japë mendja pjellore e Dikensit. Vepra e tij është si një teatër me digresione ku futen shumë ngjarje, por të gjitha rikthehen dhe lidhen me trungun, me historinë kryesore.
Me interes do të ishin Leksionet mbi gazetarinë. Mahnitesh!
Ke ardhur te Dikensi nëpërmjet përkthimeve të dy veprave të nobelistit J. M. Coetzee, nga të cilat Turpi është kritikuar për rezultatin e dobët.
Është një njollë Turpi për mua. Përmenda rrethanat e përkthimit pak më lart. Përkthimi i Turpit është bërë në rrethana jetësore krejt të papërshtatshme në vitin 2003. Unë si çdo përkthyes që ka bërë gabime, kam bërë gabime me atë vepër. Pastaj përktheva Jeta dhe koha e Majkëll K.-së. J. M. Coetzee ka vepra të madhërishme.
Aktualisht po përkthej nga Thekëri Kujtimet e Barry Lyndonit. Nuk është porosi e ndonjë botuesi. Më ka pëlqyer libri, po e punoj.
Sa paguhesh? A ka ndryshuar gjë në ment
