E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora, PS paraqet planin e masave, Patozi: Qeveria ka përveshur llërët

Pas ndërprerjes për rreth një orë, seanca  e sotme parlamentare ka rinisur me prezantimin e planit të socialistëve për masat për përballimin e situatës së krijuar në zonat veriore për shkak të borës.

Në kushtet kur kryeministri refuzon të bëjë detyrën pas shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore duke mos informuar Kuvendin, në kushtet kur ngjarjet e dy ditëve të fundit dëshmojnë për mungesën e një plani të ndërhyrjes konkrete në terren, një plan masash financiare, ne duke insistuar për të bashkëpunuar, ofrojmë masat që duhen ndërmarrë, u shpreh deputeti socialist Erion Braçe.

Ja masat e PS
Identifikimi i kostove të emergjencës për mbajtjen hapur të rrugëve që lidhin komunat me njëra-tjetrën, fshatrat me njëri-tjetrin dhe fshatrat me komunat.
Hapjen e rrugëve që lidhin qytetet me komunat dhe fshatrat, hapjen e rrugëve kombëtare.
Kthimin në efiçencë të plotë të ujësjellësve
Furnizim të menjëhershëm me ujë të qyteteve dhe komunave
Furnizim të menjëhershme me barna edhe për 2 muaj, si dhe mbajtjen hapur të të gjitha qendrave shëndetësore
Furnizim me veshmbathje në fshat e qytet për dy muaj
Furnizim të menjëhershëm me gaz, qymyr dhe dru për 3 muaj
Furnizim me ushqim në sasi të mjaftueshme edhe për 3 muaj
Identifikimin e kostove për dëmet në rrugë rurale dhe kombëtare, në rrugët e brendshme të qyteteve.
Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në rrjetin e kanalizimeve, të ujërave të bardha dhe të zeza.
Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në shkolla në qytet dhe në fshat.
Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në banesat e qytetarëve në qytet dhe në fshat.
Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në bagëti.
Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në bazën ushqimore të këtyre familjeve.
Duhen alokuar grantet e planifikuara në buxhetin e shtetit për komuna dhe bashkitë në nevojë.
Alokim i fondeve për ndërhyrje të menjëhershme
Alokim i fondeve për ndihmën ekonomike në një masë të plotë 4 mujore.
Alokim i fondeve shtesë për familjet që do bien në varfëri për shkak të dëmeve, në masë të plotë dhe të paktën për 4 muaj.
Alokim i menjëhershëm i fondit të buxhetit të shtetit për ndërtimin e digave, për ti paraprirë atyre fenomeneve që mund të ndodhin nga shkrirja e menjëhershme e borës.
Alokim i menjëhershëm i fondeve operative për funksionimin e hidrovorëve dhe kanaleve kulluese.
Të ndërhyhet në mënyrë konkrete dhe emergjente në terren.

Ndërsa deputeti demokrat Astrit Patozi e ka cilësuar të pavlerë planin e paraqitur nga socialistët, duke u shprehur se e vetmja gjë që mund të bëjë ai është të vonojë ministrat në punën e tyre. Ky përshkrim vjen në një kohë kur qevria ka përveshur llërët për të ndihmuar banorët. Kuvendi nuk miraton plane. Kongreset e bënin dikur këtë. Ne miratojmë ligje. Çfarë është kjo që u lexua, as ligj, as vendim,  as mocion me debat apo rezolutë.

Kur nuk mund të ndihmoni, të paktën mos prishni punë. Në asnjë vend, opozita nuk i ngatërrohet nëpër këmbë qeverisë, tha Patozi.

Më pas, seanca vijoi me rendin e ditës.

Bora “bllokon” edhe seancën në Kuvend. Topalli: Nuk është në rendin e ditës  

Situata e krijuar në vend nga reshjet e mëdha të borës është bërë shkak i mbylljes së seancës së sotme parlamentare, ende pa nisur mirë.

Seanca plenare e radhës, e cila filloi me 40 minuta vonesë, nuk ka zgjatur më shumë se 10 minuta, pasi kryeparlamentarja Topalli ka deklaruar mbylljen e saj me arsyetimin se po diskutohet jashtë rendit të ditës.

Ka qenë  kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, ai që e ka marrë fjalën i pari në nisje të seancës, duke u përqendruar në situatën e vështirë të krijuar në veri dhe verilindje, ku me mijëra banorë janë të izoluar nga bora prej më shumë se 2 javësh.

Ruçi është shprehur se vendi ndodhet në një situatë fatkeqësie, për përballimin e të cilës duhet të bashkohen të gjithë dhe ka shtuar se kryeministri Berisha duhej të ishte i pranishëm në seancë për të raportuar mbi gjendjen.

Por kryetarja e Kuvendit i ka prerë fjalën Ruçit, duke u shprehur se kjo nuk ka të bëjë me rendin e ditës.  Insistimit të Ruçit për të vazhduar fjalën, Topalli i është përgjigjur me vendimin për mbylljen e seancës.

Një ditë më parë, opozita vendosi ti paraqesë Kuvendit në seancën e së enjtes, planin e veprimit afatshkurtër dhe afatmesëm për daljen nga situata e jashtëzakonshme, për shkak të motit të keq që ka mbuluar vendin. G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›