E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afera e kromit, Nishani shpjegon shkarkimin e Prençit

Ministri i Brendshem, Bujar Nishani, dhe Drejtori i Pergjithshem i Policise, Hysni Burgaj

Luis Tanushi

Aferat e kromit në minierën e Bulqizës kanë qenë në qendër të akuzave të opozitës ndaj ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani në Komisionin e Integrimit. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Saimir Tahiri, kërkoi sqarime nga ministrin i Brendshëm për gjobën që Komisariati i Policisë së Rrethit të Burrelit është i detyruar të dëmshpërblejë një prej kompanive private që punojnë në fushën e nxjerrjes së kromit. Gjoba prej një milion euro, sipas deputetit Tahiri, përligj dyshimet se policia e Bulqizës ka vepruar në kundërshtim me ligjin duke u bërë palë me krimin e organizuar. Vendimi i gjykatës thotë: Policia e shtetit ka shkuar në pronën private duke përdorur autoritetin e shtetit, me praninë e tyre ka mbështetur persona të panjohur në çmontimin dhe dëmtimin e fabrikës, madje duke e shoqëruar pronarin e ligjshëm dhe persona të tjerë në komisariat. Për këtë, komisariati i Bulqizës është dënuar me 1 milionë euro gjobë nga gjykata. Kush i paguan këto 1 milion euro gjobë?- theksoi Tahiri. Por, i menjëhershëm ishte reagimi i ministrit të Brendshëm i cili deklaroi se nuk duhet pasur frikë nga hetimet, pasi nga hetimet e policisë kanë frikë vetëm ata që janë të implikuar në krime. Nëse nga hetimi i policisë së shtetit cenohen interesat e kujtdo, kjo nuk duhet të na prekë asnjërin prej nesh. Për sa kohë dikujt i cenohen interesat gjatë një hetimi të policisë, natyrisht, policia nuk ndalet e nuk sprapset. Çdo pretendim mbi veprime abuzive të policisë drejtohet në prokurori dhe gjykata, deklaroi Nishani. Në vijim të debatit për minierën e Bulqizës, Sekretari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, hodhi dyshime për implikimin e Policisë së Shtetit  dhe të anëtarëve të qeverisë me botën e krimit. Duke komentuar dorëheqjen dhe akuzat e ish Drejtorit të  Policisë së Qarkut Dibër, Shemsi Prenci, deputeti Balla u shpreh se krimi në Bulqizë është prezent dhe këtë e tregojnë sipas tij vrasjet dhe përplasjet e rënda me armë. Ende me uniformën e Policisë së Shtetit dhe me gradën më të lartë në supe, ky drejtues i lartë i Policisë së Shtetit ka akuzuar Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm, Drejtorin e Përgjithshëm dhe Zëvendës Drejtorin e Policisë për lidhje të drejtpërdrejta me grupe kriminale që shfrytëzojnë pasuritë nëntokësore në Bulqizë. Si ka mundësi që njeriun që ju kishit dërguar të ishte njëkohësisht drejtuesi dhe i besuari juaj numër një në policinë e qarkut Dibër pak muaj pas marrjes së detyrës ju akuzon ju për favorizim dhe lidhje me klanet mafioze?, tha Balla. Gjykata e Rrethit të Matit, për shkak të ndërhyrjeve të paligjshme ka vendosur gjobitjen prej afro 1 milionë euro të Komisariatit të Policisë së Burrelit. Pas gjykimit të çështjes së padisë së ngritur nga shoqëria  Supergrav Albania , togat e zeza kanë gjetur fajtor Komisariatin e Policisë së Burrelit për veprime të kundërligjshme. Sipas vendimit të dhënë nga Gjykata e Burrelit, Policia në kundërshtim me ligjin  ka shkuar në pronën private të paditësit duke përdorur autoritetin e shtetit me praninë e tyre ka mbështetur persona të panjohur në çmontimin e fabrikës, madje e ka shoqëruar dhe me makinat e policisë transportin e pjesëve të fabrikës. Po kështu,sipas gjykatësit,  janë shoqëruar në komisariatin e policisë dhe pronari i ligjshëm dhe persona të tjerë  për të cilët nuk ekziston asnjë dokument që të vërtetonte ligjshmërinë e këtij shoqërimi-thuhet në vendimin e gjykatës së Matit.

Vrasja e Xhindit

Partia Socialiste përsëriti kërkesën drejtuar qeverisë për zbardhjen e vrasësve të deputetit Fatmir Xhindi. Sipas deputetëve të opozitës, policia nuk ka asnjë emër konkret për zbardhjet e bujshme si që kanë ndodhur kohët e fundit, si vrasja e deputetit Xhindi, e kryekomunarit Veseli, apo e gjyqtarit Konomi. Kanë kaluar tre vjet nga vrasja e deputetit Fatmir Xhindi. Kush është vrasësi? A po vazhdojnë hetimet? Apo e njëjta përgjigje amorfe. Vrasja nuk është për arsye politike dhe hetimet po ecin mirë. Kanë kaluar më shumë se një vit e gjysmë  nga vrasja e kryekomunarit Remzi Veseli. Kanë kaluar 9 muaj nga vrasja makabër e gjyqtarit Skerdilaid Konomi. Opozita akuzoi strukturat e Ministrisë së Brendshme për rritje të kriminalitetit në vend si vjedhjet, grabitjet apo dhe vrasjet me pagesë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›