Diktatura që hëngri bijtë e vet

Pavijoni përfshin ngjarje të ndodhura në Shqipëri nga fillimi i vitit 1945 deri në rënien e regjimit komunist.
Në stendat e pavijonit të ri janë paraqitur ngjarje të tilla si: formimi i organeve të diktaturës komuniste, proceset e para të mëdha gjyqësore (gjyqi special dhe gjyqe të tjera ndaj kundërshtarëve të regjimit, rezistenca antikomuniste, kryengritja e Postribës dhe lëvizje të tjera antikomuniste veçanërisht në veri të Shqipërisë), formimi i grupeve opozitare dhe gjyqet e ashpra ndaj tyre, gjyqet ndaj teknicienëve dhe inxhinierëve të shkollës amerikane, gjyqet ndaj deputetëve dhe të tjerëve, rrënimi ekonomiko-financiar i vendit, inskenimi i bombës në ambasadën sovjetike dhe pushkatimi i 22 personave të pafajshëm pa gjyq, reagimi ndaj regjimit komunist nga jashtë, përndjekja e shqiptarëve të Kosovës dhe Çamërisë, goditja dhe shkatërrimi i klerit në Shqipëri, “diktatura ha bijtë e vet”, izolimi i Shqipërisë dhe reagimi i shqiptarëve ndaj vetizolimit, pushkatimi dhe burgosja e personaliteteve shtetërore dhe intelektualëve të fushave të ndryshme, burgjet e shtetit burg, kampet e internimit dhe ato me punë të detyruar, gra të ekzekutuara dhe të burgosura, stalinizmi në Shqipëri, torturat dhe mjetet e torturave, vend ekzekutimet, vrasjet në kufi 1990, rënia e diktaturës komuniste.
Në stendat e lartpërmendura jepet një informacion i gjerë për një nga dramat e mëdha të shqiptarëve për gati 50 vite të diktaturës komuniste, dokumentacion i gjerë për këtë dramë si dhe për mijëra viktima, qindra fotografi, një pjesë e të cilave publikohen për herë të parë. Pjesë e pavijonit janë edhe dhjetëra objekte të dhuruara nga ish-të përndjekur dhe familjet e tyre.
Në pavijon janë vendosur 3 monitorë, ku do të jepen filma dokumentarë për periudhën 1945 deri në rrëzimin e komunizmit. Krahas ngritjes së pavijonit, është përgatitur nën kujdesin e drejtorit të MHK, Prof. dr. Luan Malltezi, edhe botimi me foto dhe dokumente të shumta titulluar: “Terrori Komunist në Shqipëri”, i cili paraqet interes për publikun.