Dilema e gabuar: universitet privat, apo shtetëror?
Megjithëse u duk se universitetet private e fituan të drejtën e qytetarisë në mjedisin politik, social e akademik shqiptar dhe mund të ndiqnin normalisht rrugën e tyre të zhvillimit dhe konsolidimit, ngjarja apo dukuria e diplomës Bosi absolutisht e papranueshme dhe negative, hapi dhe një herë kutinë e Pandorës për këtë sistem të ri të tmerrshëm piramidal shkatërrues që i kanoset Shqipërisë. Ekspertë, analistë, politikanë, akademikë që kanë qenë e janë dyshues ndaj fenomenit të universiteteve private, që përgjithësisht janë po kaq inert e dyshues ndaj sektorit privat dhe tregut, që kalë beteje kanë populizmin dhe rolin e tribunit të popullit, nxituan të anatemojnë gjithë sektorin privat në arsimin e lartë, apo dhe atë të cikleve të tjera.
Në vend që ngjarje të tilla negative si diploma Bosi, që me të drejtë e tronditin gjithë shoqërinë në besimin e saj te dija dhe universitetet të provokonin një debat kombëtar mbi cilësinë e universiteteve shqiptare, mbi organizimin dhe funksionimin e tyre në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare, mbi rolin e tyre në zhvillimin e dijes dhe kapitalit social në Shqipëri, mbi vlerën e vërtetë të diplomave tona, mbi tendencat botërore në zhvillimin e arsimit të lartë etj., debati devijoi te dilema e gabuar: universitetet private, apo shtetërore? Cilët janë djajtë dhe engjëjt? Cilët duhen përkrahur dhe ndihmuar dhe cilët duhet të shihen e trajtuar me syrin e njerkës? Mënyra se si shtrohet kjo dilemë sot i ngjan krahasimit dhe identifikimit që mitologjia greke u bënte kunatave grindavece ku njërën e identifikonte me ditën dhe tjetrën me natën. Ato nuk mund të ishin kurrë bashkë në të njëjtën kohë.
Në këtë këndvështrim është e domosdoshme që të analizohen e qartësohen disa pyetje e pikëpyetje, keqinterpretime apo keqkuptime mbi shkaqet e lindjes dhe rolit që luajnë universitetet private në shoqëritë moderne apo vendet që sot njihen për zhvillim të shpejtë ekonomik e social, të kuptojmë se sa afër apo larg jemi ne me tendencat botërore. Duhet kuptuar se ky fenomen nuk është as shpikje shqiptare, as thjesht biznes, as abuzim korruptiv, dhe as shpërdorim me shoqërinë dhe dijen. Përkundrazi, është një kërkesë globale, një tendencë që e kërkon koha dhe zhvillimet bashkëkohore, është një nga përgjigjet që kërkon shekulli XXI në fushën e dijes dhe profesionalizimit, është përgjigje ndaj sfidave të kapitalizmit dhe globalizimit. Të gjesh një kleçkë, e madhe apo e vogël qoftë, në një apo disa universitete private dhe pastaj të anatemosh gjithë sektorin, është qëndrim dhe këndvështrim jorealist e sektar, është një lloj miopie në raport me çka po ndodh përreth nesh, në Europë apo në botë.
Katër sfidat thelbësore të arsimit të lartë universitar sot janë: a) përballimi i presionit të masivizimit; b) plotësimi i financimeve dhe parave të domosdoshme për zhvillimin e tij; c) garantimi i cilësisë dhe standardeve; d) roli i ri i universiteteve në shoqëritë kapitaliste që pothuajse dominojnë gjithë botën.
Le ti shikojmë me radhë se çfarë përgjigjeje po u jepet në botë, veçanërisht në vendet e zhvilluara dhe ato me zhvillim të shpejtë, këtyre tendencave.
Masivizimi përballë vështirësive të financimit
Në shkallë botërore aktualisht numërohen mbi 170 milionë studentë, numri më i madh i imagjinuar ndonjëherë në histori, numër që vetëm gjatë 10-12 viteve të fundit është dyfishuar po ta krahasojmë me vitin 2000. Por, ndërkohë që arsimi universitar po konsiderohet çdo ditë e më tepër si një motor i fuqishëm i zhvillimit ekonomik e social, shpenzimet apo financimet publike e kanë thuajse të pamundur që të mbështesin këto ritme të jashtëzakonshme rritjeje të numrit të studentëve. Pothuajse të gjitha vendet e botës po përballen me vështirësitë që sistemet tradicionale të garantimit falas apo gjerësisht të subvencionuar të studentëve apo universiteteve po ndeshin përballë kësaj mase në rritje të numrit të studentëve dhe, mbi të gjitha, garantimit të cilësisë. Një model i tillë po bëhet gjithnjë e më problematik nga pikëpamja financiare dhe vendet e zhvilluara, sidomos nën shembullin e vendeve anglosaksone, kanë hapur një debat substancial për ta rithemeluar kontratën sociale të deritanishme ndërmjet arsimit të lartë universitar dhe shoqërisë. Prindërit dhe studentët, por dhe mjaft aktorë të tjerë privatë apo rajonalë, po thirren që të kontribuojnë për shpenzimet universitare. Kjo logjikë po gjen shtrirje edhe në Europën kontinentale, e njohur historikisht si bastion i arsimit universitar publik falas. Konkluzioni i përgjithshëm është se shkalla e zhvillimit të një vendi dhe pasuria e tij luajnë një rol thelbësor në përcaktimin e cilësisë së universiteteve, fakt që penalizon dukshëm dhe rëndë vendet e varfra dhe ato në zhvillim, që edhe pse mund të bëjnë sakrifica të mëdha me buxhetet e tyre publike, përsëri nuk mund të arrijnë garantimin e cilësisë së kërkuar të universiteteve.
Vendet që hyjnë në këtë grup (përfshirë këtu edhe Shqipërinë që vazhdon të jetë në nivelet 2.8-3.5% të PBB për gjithë arsimin, dhe vetëm 0.3-0.6% të PBB për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor), edhe sikur të adresojnë jo 1 apo 2% të PBB, por 3 apo 4% të PBB për universitetet, nuk do të arrijnë kurrë as ti afrohen nivelit mesatar të shpenzimeve për arsimin universitar dhe kërkimin shkencor të vendeve të zhvilluara. Është barrë e rëndë që tia ngarkosh ekskluzivisht buxhetit të shtetit një detyrë të tillë, ndërkohë që universitetet private e kanë më organike thithjen dhe mobilizimin e fondeve jashtë kësaj skeme shtetërore apo buxhetore. Nëse i referohemi, për shembull, strukturës së financimit të universiteteve në SHBA, formulë që po përpiqen ta zbatojnë dhe shumë vende të tjera, 34% e fondeve të universiteteve janë fonde publike, 20% janë të ardhura nga regjistrimet dhe shërbimet për studentët, 19% janë sponsorizime, 7% janë dhurata apo donacione të ndryshme, 20% janë të ardhura që universitetet i garantojnë si shërbime ndaj të tretëve. Financimet vijnë nga tri burime themelore: financimet publike; financimet private, biznesi apo organizata të ndryshme; të ardhurat nga regjistrimet. Universitetet elitë në këtë vend, për të cilat ne flasim dhe u referohemi shpesh, si Harvard, Princeton, Yale etj., janë universitete private që financohen 100% nga burimi i dytë dhe i tretë i përmendur më lart.
Diploma universitare: e mirë publike, apo e mirë private?
Mbrojtësit e tezës së subvencionimit apo financimit 100% të universiteteve si detyrë apo detyrim nga shteti, përdorin si argument faktin se edukimi universitar është konsideruar gjithmonë si një e mirë publike që kontribuon në mirëqenien e shoqërisë, në edukimin e qytetarëve të devotshëm, në përmirësimin e kapitalit human dhe favorizimin e zhvillimit ekonomik. E vërtetë. Për shumë e shumë dekada e ndoshta shekuj, kjo ka qenë motoja e vërtetë e raporteve të shoqërisë me universitetet e saj. Por, në 30-40 vitet e fundit duket se diçka po ndryshon në vetë thelbin e problemit. Veçanërisht arsimi universitar po konsiderohet si një e mirë private nga i cili përfitojnë esencialisht individët, çka do të thotë se universitetet dhe studentët duhet të marrin më shumë përgjegjësi financiare për kostot e studimit dhe diplomimit. Zvogëlimi i fondeve publike si pasojë e masivizimit nxjerr në plan të parë detyrën e universiteteve për të gjeneruar të ardhura të tjera, masa e të cilave duhet ta kalojë ndjeshëm atë të subvencioneve shtetërore. Shteti mund të japë brenda mundësive të tij një pjesë financimesh me logjikën paraja te studenti, mund të subvencionojë degët me interes kombëtar, studentët e varfër apo ata ekselentë etj., por pjesa tjetër duhet të financohet apo vetëfinancohet me burime të tjera. Universitetet duhet të luftojnë vetë për ti
