E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditët e fundit të regjimit

13-07-2012 / Nga Ilirian Dahri

Në procesin e tranzicionit në Siri nuk ka më hapësira për Assadin - ka nënvizuar Shtëpia e Bardhë, sepse “Assad ka humbur besueshmërinë”. Duket qartë se regjimi i Assad-it është në ditët e fundit të tij.“Bashkësia ndërkombëtare – ka shtuar zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Karney - duhet të punojë në mënyrë konstruktive dhe të bashkëpunojë për të zgjidhur situatën në Siri. Shtetet e Bashkuara po shohin progres në rrugën e ndërtimit të një konsensi të gjerë”. Por për administratën Obama ka një pikë të forte dhe të pakundërshtueshme: “Në procesin e tranzicionit dhe në të ardhmen e Sirisë presidenti Assad nuk mund të luajë më asnjë rol”. Ndërkaq edhe nga opozita siriane kanë ardhur deklarata të ndryshme: “Ngjarjet në Siri janë jo vetëm mosmarrëveshje mes popullit dhe qeverisë por mund të konsiderohen si një revolucion i vërtetë” – ka nënvizuar Abdel Basset Sauda, president i Këshillit kombëtar sirian, një prej përfaqësuesve të koalicionit të opozitës siriane që ndodhen jashtë shtetit, në fillim të bisedimeve me ministrin e jashtëm rus Lavrov. Nga ana tjetër burime të opozitës siriane kanë deklaruar se ambasadori sirian në Irak ka lënë detyrën në shenjë proteste kundër shtypjes që po vazhdon nga ana e regjimit sirian të Assadit. Pikërisht ky diplomat i cili në të shkuarën kishte patur lidhje të ngushta me regjimin sirian dhe veçanërisht me forcat e sigurisë është diplomati i parë që braktis detyrën. Ndërkaq sekretari i Nato-s, Rasmussen i ka kërkuar Rusisë që të angazhohet për të lehtësuar një zgjidhje politike dhe për të përdorur influencën e saj mbi Damaskun për një zgjithje të lehtë politike – ka deklaruar Rasmussen gjatë vizitës së tij  në Kosovë. Në të njëjtën kohë gjatë intervistës së tij në Kosovë, Rasmussen ka nënvizuar se bashkësia ndërkombëtare duhet të përpiqet “për të favorizuar zbatimin e planit 6-pikësh të Kofi Annan” ky i fundit në cilësinë e mediatorit ndërkombëtar i angazhuar për të gjetur një rrugëdalje paqësore në krizën siriane. Sepse gjtihmonë sipas Rasmussen kjo është “platforma më e mirë e mundshme për të gjetur një zgjidhje politike për problemet e Sirisë”. Ndërkaq të paktën 35 persona kanë gjetur vdekjen në Siri sipas Komiteteve lokale të koordinimit të opozitës duke ju referuar bombardimeve në lokalitete të ndryshme dhe përleshjeve të forcave qeveritare dhe rebelëve edhe në lagjet e Damaskut. Në të njëjtën kohë, në luftime mes trupave të rregullta dhe dezertorëve të bashkuar të Ushtrisë së lirë siriane ka patur viktima. Bombardimet kanë të qenë të shumta dhe sipas Vëzhguesit kombëtar për të drejtat e njeriut në Siri, kanë humbur jetën dy civilë. Por agjencia qeveritare Sana ka konfirmuar se dhuna është përqendruar në “grupet terroriste të armatosura”. Më tej agjencia ka shtuar se forcat e armatosura kanë përmbyllur ushtrimet e tyre të cilat kanë zgjatur rreth pesë ditë. Natyrisht në këtë klimë dhune, ndërmjetësimi i Kofi Annan është vërtet i çmuar. I dërguar nga Kombet e Bashkuara dhe Lidhja Arabe, Annan është duke tentuar të gjejë një pikë takimi me presidentin Bashar al-Assad. Më pas Kofi Annan është nisur drejt Teheranit për t’u konsultuar me aleatin kryesor të Sirisë në rajon: por ministri i Jashtëm Iranian, Ali Akbar Salehi, ka deklaruar se sirianët duhet të jenë të lirë të zgjedhin liderin e tyre në zgjedhjet e vitit 2014, dhe deri atëherë vendet e huaja duhet të evitojnë gjakderdhjet. Edhe në datën 30 qershor, Vendet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të mbledhur në Gjenevë me Kofi Annan kishin diskutuar formimin e një qeverie tranzitore në Siri pa e patur të qartë rolin që do të luante Assad në këtë qeveri. Natyrisht situata është e patolerueshme sepse deri më tani kanë humbur jetën më tepër se 15 mijë njerëz në më pak se 1 vit e gjysmë. Nga ana tjetër vetë Assad në një prej intervistave të tij ka deklaruar se pengesa kryesore për zbatimin e planit të paqes të Annanit janë disa vende që sipas tij po ofrojnë një mbështetje politike me armë dhe para “për terroristët në Siri”. Nga ana tjetër presidenti Asad mund të humbasë edhe një aleat të rëndësishëm siç është Rusia që është një prej furnizuesve kryesorë me armë për këtë vend. “Rusia nuk do të dorëzojë në Siri avionë luftarakë Yak -130 deri sa situata të jetë e paqëndrueshme – është shprehur nëndrejtori i Shërbimit federal për bashkëpunimin teknik dhe ushtarak. Është hera e parë që Rusia distancohet nga regjimi i Assad –it. Ndërkaq një delegacion i opozitarëve të regjimit të Assad –it është takuar me ministrin e jashtëm rus Lavrov. Rrëzimi i regjimit të Assad –it është vërtet i afërt.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›