E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zogu I nuk mund të gjykohet sipas Galeaco Çianos

13-07-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Historiografia e 100-vjetorit të Pavarësisë nuk mund të bëhet nga historiografë të indoktrinuar

Një artikull në një gazetë të korrikut ka okielon “Plani i pushtimit fashist në ditarin e Kontit Çiano”. Dhe nëntitullin: “Italianët: bisedime të fshehta me krerët jugosllavë për të ndarë Shqipërinë midis tyre”. Autorja e shkrimit, për fat të mirë, ka dhënë një pjesë të rëndësishme të ditarit të Galeaco Çianos. I jep mundësinë lexuesit, kështu, sesi edhe ky ditar është shtrembëruar nga denigruesit e Monarkisë të cilët nuk duan (apo nuk e dinë), që Çiano ka qenë antishqiptar, i akuzuar si i tillë edhe nga Aleksandër Lesona dhe nga Françesko Jakomoni. I pari ka qenë diplomati i parë italian që ka krijuar marrëdhëniet ndërmjet A. Zogut dhe Italisë. I dyti, në kohën e këtyre marrëdhënieve që përfunduan me traktatin e miqësisë me Italinë e Musolinit, ka qenë në atë kohë  ambasador në Shqipëri  dhe, më vonë, zëvendës i Viktor Emanuelit III, në Tiranë. Të dy autorët e cituar janë përkthyer në shqip dhe janë botuar nga Shtëpia Botuese “55”.
Ditari i Çianos fillon më 6 janar 1939 dhe vazhdon me pjesëzat e ditarit të tij (11 të tilla), që përfundojnë më 5 mars 1939. Sipas një përmbledhjeje të autores së shkrimit,  e vërteta e komprometon, vërtet, Çianon, si antishqiptar që kërkon të ndikojë te dhëndri i tij, Musolini, në pushtimin fashist të Shqipërisë. Por pa mundur, amà, që ta bindë Duçen për këtë aksion të pamundur, siç vërtetohet nga Aleksandër Lesona. Marrëdhëniet e para të A. Zogut me Musolinin fillojnë qyshkur presidenti i  Republikës, në kohën kur diplomati Italian, Lesona, me ndërmjetësinë e të dërguarit të Zogut, Jak Koçi, u ngarkua nga Zogu për bashkëbisedim me Duçen. Lesona tregon për njohuritë që duhej të merrte për A. Zogun, kur ky ishte thuajse i panjohur për Benito Musolinin. Në kronologjinë e  këtyre marrëdhënieve, Konti Çiano ishte krejt jashtë loje. Përcaktimi që i bëri Lesona Duçes ishte: - Ai që ju dëboi nga Vlora, tani kërkon të jetë aleati juaj”. Zogu ishte i mendimit se kjo aleancë  do ta bënte Musolinin që të ishte zotërues i Adriatikut e, për pasojë, i detit Mesdhe me kolonitë italiane në veri të Afrikës dhe bregdetin shqiptar nga Butrinti e gjer në kufi me Malin e Zi, që do të kontrollohej nga ai”. - Kjo do të shënohet në paktin dypalësh, - i kishte thënë Zogu Lesonës, por do të përmbante edhe një klauzolë që do të mbetej sekrete: Që, në rast të ndonjë sulmi nga Veriu ose nga Jugu, Italia do të shpallte se nuk do të mbetej neutrale.
Zogu ia kishte thënë copë Lesonës se donte të verifikonte, kështu, se asnjë pakt Itali-Jugosllavi nuk ekzistonte. Lesona e quante Zogun irredentist dhe shkruante se ishte shumë i vështirë në përpilimin e traktatit të marrëveshjes me Italinë, ndaj së cilës i thoshte diplomatit Italian se përfitimi i Duçes do të ishte mjaft i madh në “Mare Nostrum” përkundrejt një shume tepër të vogël që kërkonte, aq sa për të paguar ushtrinë kombëtare që s’ishte paguar prej disa muajsh. Lesona dëshmon, pas asaj që thoshte se A. Zogu ishte një negociator i vështirë dhe se “vetëm kur flitej për vëllezërit e tij në Veri ose në Jugë, ai tregonte shenja mallëngjimi dhe sinqeriteti”. Që më 6 janar 1939, shumë kohë pas Lesonës me Jak Koçin, tanimë me Seregjin, Çiano shkruan se “Zogu kërkon një ndërmjetësim Italian ndaj jugosllavëve për trajtimin e pakicave (korrigjim: shumicës shqiptare, shënim) që jeton në Kosovë…”.
Ritheksoj antishqiptarizmin e Galeaco Çianos, kur 92 % shqiptarë të Kosovës i quan “pakicë” dhe 8 % kolonë serbë i quan shumicë. Nuk është e vështirë të kuptohet qartësisht sesi ky fakt historik thelbësor kthehet kryengulthi dhe sesa naiv tregohet një historian shqiptar që antizogizmin e tij, në kundërshtim flagrant me objektivitetin historik e mbështet te një falsifikator, si Çiano. Dhe është një verbëri tendencioze që trajtimi i shumicës (dhe jo i pakicës shqiptare) në Kosovë nga ana e Mbretit Zog të pasqyrohet si “argument” kundër Zogut. Në çdo thënie antishqiptare të serbëve, mund të bëhet krahasimi, nga ana tjetër, me qëndrimin antishqiptar të E. Hoxhës, në bashkëpunim me Titon, të cilin e propozon si sekretar I të KQ të P. Komuniste shqiptare, që nënkupton një kolaboracionizëm skandaloz ndaj pushtimit të Shqipërisë, jo vetëm de facto, gjatë luftës, por edhe de jure, pas luftës. Gjer këtu  nuk ka mundur të shtyhet as Kuislingu, që u akuzua  si apogjeu i kolaboracionizmit, për kompromisin e hyrjes së trupave gjermane në Norvegji, gjë që do të ishte jetësuar edhe pa Kuislingun, me konsekuenca shumë më të rënda për Norvegjinë. (Këtë të vërtetë, a e njeh ai që e ka bërë flamur Galeaco Çianon, për denigrimin e Monarkisë dhe të Zogut?). Më 19 janar 1939 pas një gjuetie lepujsh me Stojadinoviçin, Çiano kishte folur për ndarjen e  Shqipërisë (ndërmjet serbëve dhe italianëve), duke i bërë hesapet pa hanxhinë. Historikisht kjo ëndërr abstrakte e Çianos është këqyrur me skepticizëm edhe nga Duçja, që ia njihte ekzaltimet dhëndrit të tij. Ky farë dhëndri e tradhtoi edhe aleancën e Musolinit me gjermanët, të cilët e ekzekutuan si tradhtar Çianon, të lidhur në një karrige, me kurrizin nga plotoni i ekzekutimit. As Duçja, as e bija, Eda, nuk bënë dot asnjë orvatje  për ta shpëtuar këtë aventurier nga dënimi kapital. Pra, të mbështetesh në ditarët e një njeriu të tillë për të gjymtuar figurën historike të Ahmet Zogut I, pa ditur çka thënë Lesona për këtë njeri të pabesueshëm si Galeaco, është një bumerang ndaj së vërtetës. Më 6 gusht Çiano kujtohet se marrëdhëniet me Beogradin “mund të mos realizohen!”. Në takim me Musolinin, ky “beson se shkarkimi nga detyra i Stajodinoviçit është një grusht shteti i vërtetë nga ana e Beogradit, që donte ta parandalonte forcimin e diktaturës fashiste në Jugosllavi. Kjo tregon se Çiano dhe i shkarkuari i Beogradit, kishin gjetur koka-kokën! Ja, pra, që Stojadinoviçi na doli një blof i Çianos. Më 7 shkurt ’39 hesapet pa hanxhinë bëhen në një trajtë tjetër: “Karta jugosllave ka humbur në 90 % të vlerës së saj”: Le të mbajë Çiano 10 %-shin! Mbetet ngushëllimi që citohet: “Ndërmarrja nuk do të merret me bashkëpunimin me Jugosllavinë”. Inkoherenca e Çianos është e qartë. Suksesi i mbetet vetëm Italisë. Më 10 shkurt na del diçka tjetër. Ndërhyrjet gjermane (që u bën pikënisje për Luftën II Botërore - shënim), shkaktojnë pakënaqësi të forta në opinionin publik italian”. Më 14 shtator Çianos i mbeten vetëm thashethemet: “Ne duhet të trazojmë ujërat si oktapodë”. Por ajo që i intereson lexuesit shqiptar është: Sa i vërtetë është zvetënimi i figurës së Zogut, me bibliografi thelbësore, pra të vetme, ditarët e Çianos? Le ta vazhdojmë leximin më 16 shkurt: “Shqipëria është shqetësuar. Kemi marrë një telegram nga atasheu ynë ushtarak në Tiranë, i cili e ka shqetësuar Duçen. Telegrami vinte në dukje se mbreti Zog donte të urdhëronte mobilizimin e pjesshëm. Ambasadori i Italisë në Tiranë, në atë kohë, ishte larguar me avion në Romë. Ai kishte pasur takim më parë me mbretin (Zog). Dhe kishte pohuar se në Beograd ishte diskutuar ndarja e Shqipërisë, por kishte pas qenë pjesërisht dhe gabimisht i informuar. Më tej  Zogu kishte përmendur përçapjen e një revolte të brendshme të refugjatëve (në Itali) që s’ishte e vërtetë (sipas italianëve). Ajo fjala mobilizim  dhe denoncimi i ndarjes së Shqipërisë me Beogradin, i mohuar nga italianët, nuk tregon nënshtrim të monarkut shqiptar nga një invazion i mundshëm i trupave italiane. Në të vërtetë, për rrethana të vigjiljes së Luftës II Botërore, pas një muaji e disa ditë nga ky ditar që lexojmë në një gazetë të vendit tonë, u bë mësymja e trupave të Musolinit ndaj Shqipërisë.
Këtu duhen pasur parasysh dy elemente: 1. Zogu ndaj Musolinit nuk u tregua aspak si Enveri ndaj Titos. 2. Zogu u largua nga Tirana për të mos rënë rob i pushtuesve, siç kishte ndodhur me mbretin Leopold të Belgjikës. Zogu qëndresën ndaj ushtrive okupuese e bëri me anë të Abaz Kupit, në kohën kur komunistët e grupeve, të çorientuar nga pakti Molotov-Ribentrop, nuk bënë ndonjë qëndresë të organizuar. De Goli vetë fillimisht e bëri Rezistencën ndaj trupave gjermane jashtë Francës.
Kështu, vetëm duke e shpjeguar subjektivisht ditarin e një aventurieri, cilido që synon të denigrojë Zogun dhe regjimin e tij, bie detyrimisht në kundërthënie. E. Hoxha, aventurier politik si Galeaco Çiano, nuk ka të drejtën legjitime të shpërthejë ndaj A. Zogut, së paku për dy motive të rëndësishme: 1. Se ka pasur nga Zogu favore të pamerituara në kohën kur, si bursist mediokër, shkoi në Montpelié të Francës, jashtë kritereve të ministrisë së Arsimit për dhënien e bursave jashtë shtetit. Duke qenë student joserioz dhe humbës i bursës për ngeljen në klasë, Enveri pati privilegje të tjera në Konsullatën shqiptare në Bruksel. Pavarësisht nga ndihma e Eqerem bej Libohovës, Zogu, me gishtin e vogël, mund ta katandiste si peshku pa ujë. S’e bëri. Këtu mund të hapet një diskutim i madh, në dëm të integritetit moral të Enverit. Koha do të deklasifikojë materiale të tjera në dëm të E. Hoxhës. 2. Motivi i dytë i rëndësishëm që e ka bërë Enverin të shpërthejë ndaj Zogut tërbimin e tij, është se ai regjim mund të shërbejë si shkallë krahasimi ndaj përkushtimit të shtetarit shqiptar, të shigjetuar në mënyrë meskine, me shitjen e interesave kombëtare të despotit komunist në funksion të karriges së tij të përgjakshme. E. Hoxha ishte i ndërgjegjshëm për vasalitetin e tij ndaj armiqve shekullorë të popullit e të kombit tonë.
A thua se historianët enveristë nuk e dinë qëndrimin antikombëtar të shefit të tyre aventurier, që bëjnë vazhdimësinë e politikës helmuese të të vetmit person që nuk e bëri destalinizimin në vitin 1956 e më tej? Kam dëgjuar njerëz të paanshëm që shprehen: - U lumtë atyre, gjersa lejohen të mbrojnë diktaturën komuniste në demokrací! Por veçse të mos mbështeten në dërrasa të kalbura, si Galeaco Çiano. Jakomoni, në librin e tij që e cekëm, e tregon edhe ai antishqiptarizmin e Çianos dhe respekt për librin e Aleksandër Lesonës, që është objektiv në vlerësimin historik të presidentit dhe monarkut shqiptar. Kapitulli VI dhe VII i Lesonës është botuar, siç e thamë, nga “55-a” por është ribotuar edhe nga një e përditshme shqiptare. Duket se admiruesi i Çianos nuk ka haber fare për kohën kur Lesona ishte titullari ekskluziv i këtyre marrëdhënieve, në kohën kur Çianon nuk e pyeste njeri, në atë kohë. Kur Galeaco Çiano u bë ministër Jashtëm, ai në ballot e Mbretërisë shqiptare quhej donaiolo nga damat e pallatit; nuk gëzonte simpatinë e monarkut tonë  dhe njëra nga princeshat e kishte refuzuar ftesën për kërcim të këtij njeriu të pabesë, që thurte kurthe për pushtim.
Së fundi, ndaj helmuesve të atmosferës së besueshme të festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë, me artikuj propagandistikë të stilit enverist, e quajmë të domosdoshme të bëjmë krahasimet e nevojshme të regjimit despotik të Enver Hoxhës, me atë të regjimit të A. Zogut I. 1.Zogu ka bërë vetëm një gjyq politik të mirëfilltë, me dënime 2-3 vjet. Ishte gjyqi me të pandehur Q.Stafën, Z. Malën e disa komunistë të tjerë të grupeve. Sa gjyqe politike ka bërë E. Hoxha, madje edhe ndaj nacionalçlirimtarësh që i ka quajtur fashistë, me dënime kapitale, njerëz këta që ishin krejtësisht të pafajshëm? Ndërsa, që t’i rikthehemi gjyqit të komunistëve, këta u liruan para kohe, në vigjilje të pushtimit italian. 2.Në regjimin e Zogut kishte 4-5 te përditshme, përveç revistave, disa prej të cilave kishin frymë revolucionare. Mund të përmendim “Botën e Ré”, ku shkruan Shefqet Musaraj, Aleks Çaçi, Dh.S. Shuteriqi, Platonicus (Veli Stafa), Andrea Varfi, Petro Marko, e të tjerë, që u aktivizuan në shtypin e regjimit të ri, të pasluftës. “Nëna” e Maksim Gorkit, përkthyer nga Tajar Zavalani, ishte ekspozuar në vitrinat e librarive, bashkë me shkrimet e tjera të Maksim Gorkit. Po në regjimin e diktaturës enveriste? Dhimitër Xhuvani do të ndëshkohej për veprën “Tuneli”. Munush Jero, për një vepër teatrore (“Njollat e murrme”) do të përfundonte në burg. Petro Marko, po ashtu, që të mos përmendim edhe shkatërrimin e familjes, që shoqëronte burgosjen e njerëzve të artit dhe të atyre që u quajtën “armiq”. Poetë si Vilson Blloshmi, Genc Leka, H. Nela, Zadeja e të tjerë, do të ekzekutoheshin. T. Lubonja dhe F. Paçrami do të burgoseshin për devijim liberal, ndërsa shefi i tyre në hierarkinë e artit e të kulturës, dilte i palagur. Dhe regjimi i Zogut na dalka “tiranik”, kurse regjimi i “demokracisë Popullore” të E.Hoxhës, na vlerësohet për “humanizmin” e tij vrastar, nga ithtarë të cilët i faleshin përmendoreve të tij të panumërta, ndërsa sot i kap një zemërim alla-Çiano kundër themeluesit të shtetit ligjor në Shqipëri. 3. Arratisja nga ferri komunist ndëshkohej shpesh me plumb kresë, edhe pasi kapej i gjallë. Jo vetëm, por shëtiteshin kufomat me traktor për të tmerruar popullin dhe ata që nuk i besonin mjerimit perëndimor të propagandës enveriste, sipas së cilës punëtorët (me vetura dhe me ofiçina vetjake)... flinin nën urë! Në kohën e Zogut  cilido i hipte tragetit, flinte rehat në të dhe, në mëngjes, mbërrinte në Bari, vetëm për të hequr një dhëmballë! Paçin hijen e tyre ata që nuk i bëjnë këto dallime dhe i përmbysin kokëposhtë këto të vërteta. 4. Në kohën e Zogut ekonomia ishte gjithmonë në rritje, në sajë  të tregtisë së lirë dhe frangu letër ishte disa cent më i lartë se  frangu ar. Ndërsa në kohën e E. Hoxhës, me dyqanet bosh, duhej të gdhiheshe nëpër radhët nga mesnata në mëngjes, dhe nuk arrije të merrje qumësht për fëmijët, në atë regjim tallonash. E kjo reklamohej si lulëzim ekonomik... 5. Mund të flitet edhe për ndërtimet arkitektonike, me model ministritë, në krahasim me furriqet me korridore ku s’kalonin dot dy persona etj. Mund të flitet për politikën kombëtare, gjithmonë mosbesuese ndaj fqinjëve tokësorë, të mbufatur me tokën tonë autoktone, që binte ndesh me bashkim-vëllazërimin hipokrit. Mund të flitej për Rendin e vendosur pas anarkisë, që kishte pasuar shtetin e lirë të të paharruarit Ismail Qemali. 6. Gjykatat jepnin vendime të drejta, që analizoheshin në një revistë juridike. Në krye të Diktimit, Thoma Orollogaj, njëri ndër juristët me emër në Europë, e hodhi poshtë vendimin e gjykatës në favor të një të pásuri tokash në Starovë dhe e drejta iu dha fshatarëve të këtij fshati. Meqë u përmend Orollogaj, ky personalitet që vetë nacionalçlirimtarët e propozuan për të kryesuar seancat në Mukje, pas mbarimit të luftës u akuzua padrejtësisht dhe u dënua me vdekje. Pas ’90-s, një historian e quajti kolaboracionist duke u mbështetur në propagandën fashiste që i quajti të gjithë deputetët e Zogut se i kishin ofruar Kurorën e Skënderbeut Viktor Emanuelit III, kur një pjesë deputetësh ishin arratisur me Mbretin, një pjesë tjetër ishin internuar në Ventotene dhe një pjesë ishin arrestuar në burgun e Tiranës, fill pas 7 prillit të vitit 1939! Sikur Orollogaj të bënte një gjest të tillë, - të dhuruesit të kurorës - do të ishte i fotografuari i të gjitha gazetave fashiste, për famën që kishte si njeri i ndershëm. Në fakt, pak ditë para pushtimit, në një seancë parlamentare të kufizuar, me dyer të mbyllura, Thoma Orollogaj kishte mbajtur një fjalë, në të cilën bënte thirrje për rezistencë. Ja, pra, sesi ekstremet bashkohen. Sesi sindroma e “kolaboracionizmit” fashisto-komunist, vazhdon edhe në ditët e ndërrimit të sistemeve! Kur një segmenti të bulevardit nga Korpusi i Universitetit te Kodrat e Liqenit, gjer në Unazën te Stacioni i Trenit, iu dha emri i A.Zogut I, u ngritën mjaft intelektualë të indoktrinuar me thirrje patetike kundër këtij emërtimi. Po kur kjo copëz bulevardi mbante emrin e Stalinit, cili protestoi nga këta? Apo se Stalini nuk paskësh qenë kriminel, por i adhuruari i Enver Hoxhës! Me këtë mendësi këta njerëz hipokritë hiqen tani se u qan zemra për Bashkimin Europian?

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›