Dilemat e Idrizit
Që Partia për Drejtësi, Unitet dhe Integrim nuk do të përfshihej në ndryshimet e fundit në kabinet, nuk ishte shumë e besueshme deri para këtyre ndryshimeve. Mediat janë përpjekur të publikojnë dje disa nga detajet se pse Berisha dhe Idrizi nuk ranë dakord në negociatat mes tyre, ku një ndër më kryesorët, ka qenë gjithmonë sipas medias, kërkesa e Berishës për emrin e anëtarit të ri të kabinetit qeveritar dhe ngulmimi i tij për të qenë në këtë post vetë Shpëtim Idrizi.
Por çfarë do të thoshte kjo për një deputet që është zgjedhur me votat e majta dhe të hynte në një kabinet të djathtë? Shumë mund të mendojnë se nuk ka pse të ketë ndonjë dyshim për këtë, sepse edhe Ilir Meta, në të njëjtën mënyrë hyri në qeveri, madje edhe pas publikimit të skandalit të përgjimit të bisedës së tij me ish ministrin, duket se në zgjedhjet lokale fitoi më shumë vota.
Ajo që kuptohet nga lëvizja më e fundit e këtyre dy forcave politike, është fakti se kemi një aleancë shumë të brishtë PD-PDIU, e cila funksionon pjesërisht në disa nivele të qeverisjes. Por me kontradikta. Idrizi nuk mund tia falë demokratëve mungesën e ndihmës në zgjedhjet vendore, ndërkohë që deklaronte në atë kohë se LSI dhe PD po i vidhnin votat në pushtetin vendor.
Një parti që për herë të parë futej fuqishëm në zgjedhje dhe arriti të fitojë në shkallë vendi mbi 60 mijë vota, është një potencial që do ti duhet koalicionit të Berishës, i cili është gati të bëjë aleancë me komunistët, sikurse ndodhi, për të mbajtur pushtetin. Por pretendimet e Idrizit janë se shumë vota i janë vjedhur, ndaj, sikurse shihet edhe harta e zgjedhjes së këshillave të qarkut apo vetë krerëve të këshillave bashkiakë nëpër rrethe, çamët, nuk e kanë pasur fare problem që të lëvizin me ato parti apo koalicione, që u ofrojnë më shumë favore. Duket se Idrizi po i kthen Berishës reston e zgjedhjeve. Nga ana tjetër, përfshirja e vetë Idrizit në qeveri, do ta linte atë jashtë kauzës për të cilën partia e tij po funksionon: të drejtat e komunitetit çam. Ai pret të miratojë një rezolutë në kuvendin e Shqipërisë, gjë që do të jetë ndoshta shumë e vështirë, sepse do ti shkaktonte Berishës turbulenca në marrëdhëniet me Greqinë. Por nëse Idrizi nuk do të ngulmojë për një veprim të tillë, do të thotë se forca e tij politike do të konsiderohet thjesht si një parti e ngritur për të marrë pushtet, dhe jo për të mbrojtur interesat e një komuniteti. Edhe Berisha këtë duhet të ketë pasur parasysh kur do të ketë propozuar vetë Idrizin për ministër në kabinet, por sikurse u bë e qartë nga ndryshimet e djeshme në qeveri, ka qenë një tentativë e dështuar. Partia e Idrizit gjendet edhe në një tjetër dilemë, atë të çështjes kombëtare. Pavarësisht përpjekjeve të shumta që janë bërë nga kjo forcë në gjithë Shqipërinë, ka pak gjasa që iniciativa të ecë përpara, pa një strategji të qartë nga ana e PDIU. Deri tani, dy deputetët e kësaj partie, përfshi edhe vetë kryetarin, kanë bërë në parlament lëvizje jo të zgjuara politike që i kanë vënë përballë akuzave të shumta dhe të shpesh-herëta të shtypit dhe analistëve. Rasti më i fundit ishte prezenca në Kuvend e dy deputetëve, pikërisht për të votuar ligjin për regjistrimin e popullsisë.
Nëse Idrizit i është thënë se prezenca e atyre dy votave do ti garantonte bashkëpunimin në të gjitha nivelet e qeverisjes, atëherë duket se kjo ka qenë vetëm një mënyrë për ta tërhequr atë në kuorumin e pjesëmarrjes.
Tani, partia çame do të duhet të mendohet mirë se për kë forcë politike apo për cilin koalicion do ti investojë 60 mijë votat e veta. Prova tjetër është në shtator, kohë kur është premtuar edhe miratimi i rezolutës çame në Kuvend. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë Shpëtim Idrizit nuk ka pse i nevojitet aleanca me Berishën, sepse do të dukej se vendos në pozita inferiore një komunitet me të cilin ai u ngrit dhe krijoi partinë.
