E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Politika të nisë urgjentisht dialogun për reformën zgjedhore

20/07/2011  U zhvillua dje takimi i tretë i Stabilizim-Asocimit ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së

Këshilli i Stabilizim-Asocimit midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë në takimin e tretë të zhvilluar dje ka analizuar ecurinë e zbatimit të 12 prioriteteve të konstatuara në opinionin e Komisionit, që u bashkëngjit refuzimit për dhënien e statusit si vend kandidat Shqipërisë. Nga ana e saj BE-ja i bëri thirrje dje qeverisë dhe opozitës që të rivendosnin urgjentisht dialogun politik dhe për të kapërcyer bllokimin e gjatë politik. Ky dialog do të ishte i domosdoshëm për funksionimin normal të një shoqërie demokratike dhe institucionet e saj, duke përfshirë edhe funksionimin efektiv të Parlamentit, si dhe për avancimin e integrimit evropian të vendit”, - theksuan ndërkombëtarët

Deklarata e KSA-së

Në deklaratën e përbashkët për shtyp Këshilli i SA-së ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së theksoi konkluzionet e Këshillit të BE-së të 14 dhjetorit 2010, që mirëpriti opinionin e Komisionit për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësimin në BE. Këshilli vuri në dukje se Shqipëria do të duhet të intensifikojë përpjekjet e saj, në veçanti në zbatimin e dymbëdhjetë prioriteteve kyçe të përcaktuara në Opinionin e Komisionit për Shqipërinë.

Këshilli i inkurajoi fuqimisht partitë politike për të kapërcyer bllokimin e tanishëm politik, duke krijuar një dialog konstruktiv e të qëndrueshëm politik për të siguruar funksionimin e duhur të parlamentit. Më tej Këshilli i SA-së theksoi konkluzionet e Këshillit të BE-së të datës 20 qershor 2011, i cili theksoi se BE-ja e kishte ndjekur nga afër zgjedhjet vendore të vitit 2011 dhe vuri në dukje se ato u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë transparente dhe konkurruese, edhe pse me vështirësi procedurale. BE-ja kritikoi përkeqësimin e gjendjes politike dhe rritjen e tensioneve që pasuan zgjedhjet dhe zhvillimin e procesit. Ndërsa vë në dukje vendimet nga Kolegji Zgjedhor, BE-ja theksoi se është thelbësore që procesi zgjedhor, duke përfshirë edhe procedurën e ankesave dhe shpalljen e rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja, duhet të përfundojë me transparencë, të pavarur dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor ekzistues. Është gjithashtu thelbësore për të gjitha palët të njohin sundimin e ligjit mbi çdo interes tjetër. BE-ja u bën thirrje të gjithë liderëve politikë për të mbështetur finalizimin e procesit zgjedhor me qetësi, në mënyrë konstruktive dhe me një fokus në të ardhmen evropiane të vendit. BE-ja do të ndjekë nga afër vlerësimin e procesit nga misioni i OSBE–ODIHR-it. Gjithashtu BE-ja u bëri thirrje dje qeverisë dhe opozitës që në bashkëpunim me shoqërinë civile, të bien dakord mbi reformën zgjedhore të plotë, duke trajtuar të gjitha rekomandimet e OSBE–ODIHR-it në vitin 2007, 2009 dhe 2011.

Deklarata e ministres së Integrimit pas përfundimit të takimit

Bregu: BE tha se zgjedhjet përfunduan dhe Shqipëria duhet të shohë përpara

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, në një raportim për mediet nga Brukseli pas përfundimit të takimit të Këshillit të Stabilizim-Asocimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian theksoi se “pavarësisht se pala evropiane është shprehur e shqetësuar për situatën zgjedhore të krijuar në vendin tonë, ajo e ka cilësuar atë si një kapitull të mbyllur”. Më tej Bregu shtoi se “qëndrimi nga pala evropiane ka qenë i qartë dhe i prerë: të ketë një kontribut real të opozitës në Parlament”, - tha ministrja e Integrimit. Ndër të tjera ajo shtoi se nuk duhet të interpretohen në mënyrë anësore dhe nuk duhet të spekulohet me deklaratat e këtij këshilli. Ndër të tjera Bregu tha se i gjithë thelbi i takimeve ishte që “zgjedhjet kanë përfunduar dhe se Shqipëria tani duhet të shohë përpara. Të shohësh përpara, do të thotë që të mos bëhesh bllokues për reformat integruese të vendit. Do të vlerësohet një kontribut konstruktiv për axhendën evropiane nga ana e opozitës, pra që ai të mos jetë vetëm pjesëmarrës. Një ndryshim i kursit të opozitës për të bashkëpunuar mbi reformat e vendit do të ishte shumë i vlerësuar”, - përfundoi ministrja e Integrimit.

Nga deklarata e djeshme e përbashkët e Këshillit të SA-së

BE: Ja ku duhet të përqendrohen reformat për integrimin europian

BE-ja vuri në dukje dje synimin e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Europës për t’i kërkuar Komisionit të Venecias një mendim se si të shmangen situata të ngjashme me ato që u krijuan në zgjedhjet e 8 majit në të ardhmen. Për më tepër, BE-ja i bëri thirrje qeverisë dhe opozitës që urgjentisht të rivendosnin dialogun politik dhe për të kapërcyer bllokimin e gjatë politik. BE-ja u kërkoi autoriteteve shqiptare për të ripërtërirë dhe për të forcuar përpjekjet në axhendën e reformave dhe zbatimin e tij. Këto janë thelbësore për të arritur shkallën e nevojshme në përputhje me kriteret e Kopenhagës, duke përfshirë dymbëdhjetë prioritetet kryesore të identifikuara në Opinionin e Komisionit Evropian në nëntor 2010 mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim. Këshilli i SA-së ka vërejtur mangësi lidhur me çështjen e të drejtave pronësore, zbatimin e sundimit të ligjit dhe sekuestrimet. Përpjekje të mëtejshme janë të nevojshme për reformat strukturore dhe në përmirësimin e transportit dhe infrastrukturën energjetike, mbështetur në përparimin e mirë të bërë në këtë fushë.

Reformat

Këshilli i SA-së përshëndeti progresin e bërë gjatë vitit të kaluar në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA). Tatimet për automjetet e përdorura dhe aplikimin e tarifave rrugore janë në një linjë me MSA-në. Forcimi i kapaciteteve administrative të Shqipërisë për zbatimin e efektshëm të MSA-së duhet të vazhdojë.

Progresi

Këshilli i SA-së vuri në dukje progresin e bërë në fusha të tilla si lëvizja e lirë e mallrave, konkurrenca dhe politikën e NVM-ve. Këshilli i SA-së përshëndeti rolin konstruktiv të Shqipërisë dhe bashkëpunuese të huaja dhe politikave rajonale, si dhe pjesëmarrjen e saj aktive në nismat rajonale në Evropën Juglindore dhe shkëmbeu mendime lidhur me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

Detyrat

Këshilli theksoi se Shqipëria duhet të intensifikojë përpjekjet e saj në zbatim të 12 prioriteteve të përcaktuara në opinionin e Këshillit të Europës. Këto prioritete kyçe të përqendrohen në stabilitetin e institucioneve që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, reformën gjyqësore, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformën zgjedhore, reformën e administratës publike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat pronësore.

Negociatat

Këshilli vlerësoi se Shqipëria ka arritur një shkallë të caktuar të stabilitetit makroekonomik, por rikujtoi se hapja e negociatave për anëtarësim do të shqyrtohet nga Këshilli Evropian në përputhje me praktikën e vendosur, pasi Komisioni ka vlerësuar se Shqipëria ka arritur shkallën e nevojshme në përputhje me kriteret e anëtarësimit. Deklarata e komisionarit për Zgjerimin

Fyle: Opozita në parlament, bojkoti nuk pranohet nga BE

BRUKSEL- Përpjekjet e bëra nga Shqipëria për të marrë statusin e vendit kandidat në BE është diskutuar gjerësisht në takimin e tretë mes BE-së dhe Shqipërisë, që u mbajt dje në Bruksel. Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Stefan Fyle, ka bërë publike deklaratën e përbashkët të zyrtarëve të BE-së, ku i kërkohet Shqipërisë t’i rikthehet dialogut, pasi vendi ndodhet në ngërç politik, që duhet zgjidhur. “Është koha që forcat politike t’i kthehen dialogut politik, t’i kthehen parlamentarizmit. Sfidë kryesore mbeten reformat elektorale dhe kushtetuese, janë jetike dhe urgjente. BE-ja është e përgatitur që ta lehtësojë këtë detyrë”, - tha Fyle. Sipas komisionerit, i takon qeverisë dhe opozitës të tejkalojnë stanjacionin politik për të përmbushur aspiratat që kanë për në BE. “Opozita dhe qeveria të gjejnë një zgjidhje për stanjacionin politik. Kam parasysh aspiratat për BE-në dhe kornizën ligjore. Duhet të punojnë për institucionet demokratike. Unë besoj se opozita duhet të marrë pjesë në seancat e Parlamentit, sepse shumë ligje kanë nevojë për votat e saj. pyetur për qëndrimet e opozitës shqiptare, Fyle tha se BE-ja nuk e pranon bojkotin, rrugë kjo e ndjekur nga PS-ja. “Të keni një opozitë konstruktive, që të marrë pjesë në parlament. Të mos marrësh pjesë nuk është pjesë e BE-së, bojkoti nuk pranohet nga BE-ja”, tha Fyle më tej. Për të kaluar stanjacionin politik Fyle ka rekomanduar hartimin e reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE–ODIHR-it. Sipas tij, nga mungesa e kornizës ligjore edhe zgjedhjet në Tiranë nuk ishin të mira, çka treguan se kjo kornizë duhet të ndryshojë. “Zgjedhjet në Tiranë nuk ishin të mira, demonstruan se korniza ligjore ka nevojë për ndryshime. Korniza ligjore ka nevojë për një reformë të thellë sipas rekomandimeve të OSBE-së. Do të presim edhe raportin e OSBE-së për këto zgjedhje”, - shtoi Fyle.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›