Kreu i OSBE: Të nisë sa më shpejt dialogu politik. Duhet një axhendë e gjerë reformash
Kreu i OSBE-së, Ministri i Jashtëm lituanez, Audronius Aubalis, i bëri thirrje sot qeverisë dhe opozitës në Shqipëri që të rikthejnë dialogun politik dhe të ecin përpara me reformat.
Përplasjet e vazhdueshme në lidhje me procesin e apelimit që pasoi zgjedhjet lokale të tetë majit kanë nxjerrë në pah nevojën për reformë të mëtejshme elektorale, por mbi të gjitha ka treguar dhe njëherë nevojën urgjente që dy partitë e mëdha politike të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme. I bëj thirrje qeverisë dhe partive të opozitës të tejkalojnë polarizimin dhe mosbesimin dhe ti japin fund ngërçit politik në vend, tha ai.
Ne presim vlerësimin final të ODIHR, që mund të mbështesë procesin, por nuk mund të ketë vonesa në rivendosjen e dialogut politik. Ky hap i parë është i domosdoshëm nëse institucionet demokratike të Shqipërisë, veçanërisht parlamenti, të funksionojnë.
OSBE, përfshi prezencën në Shqipëri dhe ODIHR, janë gati të ndihmojnë qeverinë dhe partitë politike për të rënë dakord, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe në një mënyrë transparente, për një axhendë të gjerë reformash, përfshi reformën zgjedhore.