E Diel, 1 Nëntor 2026

Dilemat për krijimin e stisur të termit “kosovar”

E di, koha e idealistëve tashmë mund të kujtohet vetëm si relikt. E di, tashmë idealizmin e ka zëvendësuar hipokrizia, burokracia e të tjera marifete me të cilat ballafaqohet njeriu ynë sot. Një komb pa ideal, vështirë se do të mund t’i rezistojë rrebesheve të kohës, që herë-herë dinë të jenë fatale për ekzistimin e një tërësie nacionale, territoriale etj, etj. A po rrezikon ta provojë këtë Kosova, dikur idealiste? A po rrezikon ta provojë këtë njeriu shqiptar, idealisti i dikurshëm? Të jesh shqiptar nga Kosova dhe jo vetëm shqiptar, do të thotë të jesh njeri pa identitet. Në Kosovën shtet të pavarur njeriu ynë është zhveshur nga çdo element kombëtar. Ne kemi një flamur të huaj, një himn të huaj, shumë gjuhë të huaja, dhe në Kosovën tonë, asgjë tonën! Është i pamohueshëm fakti se e një rëndësie të veçantë do evidentuar ajo që ne tashmë jemi të lirë, por brenga është se institucionet tona fatkeqësisht nuk po punojnë sa duhet për krijimin e një shteti dhe të një qytetari me identitet. Zhveshja nga çdo element kombëtar të njeriut tonë sot, nuk guxon të shikohet me një indiferentizëm çfarë aktualisht po ngjet. Kjo duhet konsideruar si diçka brengosëse e cila nuk guxon te na lërë ndërgjegjen e qetë. Periudha e tranzicionit nëpër të cilën po kalon vendi ynë, ka vënë në pah shumë devijime me të cilat po ballafaqohet qytetari i Kosovës. Vendet në tranzicion rëndom i ka karakterizuar një çorientim i cili të shumtën ka gjet rrugën e tij të drejtë, rrugë kjo e cila ka mundësuar, funksionimin e një shoqërie si të vënë në binar. Në Kosovë po ngjet e kundërta, ne sikur po punojmë që kjo periudhë në tranzicionit të zgjatët deri në pambarimësi. Fatkeqësisht në këtë drejtim po punojmë të gjithë, pa përjashtim, duke filluar nga institucionet me karakter edukativ siç mund të jetë radio e televizioni në këtë rast, deri te ato që për nga rëndësia kanë peshë paksa më të vogël. Termi “kosovar” i cili ka hyrë në fjalorin tonë që moti, mirëpo që kohëve të fundit po merr nuanca të një emërtimi tjetër, duhet mënjanuar aq sa është e mundur, pra duhet shikuar si diçka tendencioze, ngjashëm sikurse termin “Shqipëri e madhe”. Intenca e gjithë kësaj polisemie e thurur me ose pa vetëdije çon kah kosovarizimi i shqiptarëve, e sidomos kur kësaj i shtohen elementet e reja që identifikojnë Kosovën shtet, siç janë ta zëmë; himni, flamuri etj, etj,. Tendenca e cila mëton krijimin e identitet kosovar është e dëmshme dhe antikombëtare dhe si e tillë nuk guxon të gjejë shtrirje edhe më, në këtë pjesë të globit, ngase do konsideruar si rrezik permanent i cili krahas një shteti të ri ka krijuar një komb të ri, të quajtur kosovar gjë që nuk është ë pranueshme as për pakicat, e aq më pak për shqiptarët të cilët përbëjnë mbi 90% të popullsisë së përgjithshme. Sipas sociologes franceze, Dominique Schnapper, me shtet, nënkuptojmë “bashkësi të qytetarëve”, mirëpo në Francën e sociologes në fjalë, nuk mund të jesh edhe francez edhe shqiptar në të njëjtën kohë. Gjithnjë në këtë linjë, kërkoj që “teoritë” e askujt mos të gjejnë praktikën në vendin tim. Termi kosovar ashtu sikurse edhe “Shqipëri e madhe” janë pjellë e armiqve tanë që fatkeqësisht po gjejnë përkrahje edhe në institucionet relevante të shtetit të Kosovës. Paradoksi qëndron në faktin se më shumë se të tjerët ne krijojmë utopi rreth identitet tonë. Ta zëmë përpjekja për krijim e një gjuhe “kosovare” e cila kërkon të hedhë në baltë tërë atë sakrificë që u bë për njësimin e gjuhës shqipe, është jashtëzakonisht e dëmshme dhe si e tillë shpie në rrugë qorre. Këto e të tjera defekte më të cilat po karakterizohet Kosova sot, hapin debatin për mundësinë e bërjes së Shqipërisë etnike, e drejtë kjo edhe ndërkombëtarisht e garantuar, përndryshe pas hiq më shumë se dhjetë viteve, Shqipëria e idealeve tona dikur, do të shndërrohet në një shtet fqinjë që na ndanë shumëçka. Andaj gjërat e tilla duhet luftuar si të keqën më të madhe; individualisht, në mënyrë institucionale, e qysh tjetër jo. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›