Edi Rama midis Raport-Progresit të KE-së, Enver Hoxhës, Ramiz Alisë dhe Adil Çarçanit
Progres-Raporti më i fundit i Komisionit Evropian, përpos komenteve e leximeve ndryshe të tij, na bëri të mësojmë një gjë të re. Këtë “të mirë” na e bëri dje Edi Rama, kryetari i Partisë Socialiste, “partizani” i “politikës së re” që aspiron për “leader” opozite.
E pra, ai Edi Rama, na “hapi sytë” dje, kur ndërsa të gjithë për dekada me radhë, e dinim se ka pasur kohë të Enver Hoxhës, apo edhe kohë të Ramiz Alisë, dje, ai aspiruesi për “leader” opozite dhe “partizani” i “politikës së re”, na bëri me dije se deri tani kemi besuar vetëm rrena, sepse koha që ai i referohej paska qenë koha e të ndjerit Adil Çarçani.
Për Edi Ramën, jo rrallë herë është folur e aluduar për afeksionet e tij për familjet që diktaturën e kishin ngritur në institucion në Shqipëri, ashtu sikurse është folur edhe për klonimin e tij në politikën aktive të postdikaturës shqiptare, gjithmonë me ndikimin, orientimin dhe ndihmesën e këtyre familjeve. Natyrisht, përballë këtyre dyshimeve për këto lidhje jo vetëm afektive, Edi Rama është brenda vetes së tij, ose e thënë ndryshe, është brenda perceptimeve të tij, për Enver Hoxhën e Ramiz Alinë, aq sa të mos i konsiderojë ata si përgjegjësit kryesorë pse “shqiptarët nuk ushqeheshin dot, ndërsa Televizioni Shqiptar u tregonte pamjet e sukseseve nën udhëheqjen e byrosë politike”.
Për perceptimin e Edi Ramës, në përpjekjen e tij të djeshme për t’ju kundërvënë qeverisë shqiptare dhe Kryeministrit Sali Berisha, për “habinë” dhe “skandalizimin” që i kishin shkaktuar atij sukseset e evidentuar edhe në Progres-Raportin e KE-së, ai, aspiruesi për “leader” opozite dhe “partizani” i “politikës së re”, përdorte si të vetmin argument për të kundërshtuar këtë Progres-Raport, krahasimin, jo më të pagjetur, por më të pafytyrshmin, kur duke pasur ende frikë të zërë në gojë emrat e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, ia faturon sjelljet dhe veprimet e kohës tyre, kohës së “të ndjerit Adil Çarçani, kur shqiptarët nuk ushqeheshin dot, ndërsa Televizioni Shqiptar u tregonte pamjet e sukseseve nën udhëheqjen e byrosë politike”.
Vallë të jetë e vërtetë, që në perceptimin e Edi Ramës, aspiruesit për “ledaer” opozite, “partizanit” të “politikës së re”, është ngulitur, për të keqen edhe jo vetëm të Adil Çarçanit, ideja se nuk ka pasur kohë të Enver Hoxhës, apo Ramiz Alisë?!
Duhet të jetë shumë dritëshkurtër kushdo që do të sforcohet të besojë këtë perceptim të Edi Ramës, që as më shumë e as më pak, nuk duhet lejuar ta zhvillojë më shumë këtë perceptim të tij. Në të kundërt, ai do të tentojë të na imponojë këtë perceptim, sikurse tentoi të bëjë me imponimin e perceptimit që ai kishte “për perceptimin që shqiptarët kishin për vdekjen e Kosta Trebickës”.
Afërmendsh, mund të mos jetë e vërtetë, por nuk mund të rrihet pa i dhënë zgjidhje dyshimit për atë që do të ketë pas këtij perceptimi të perceptimeve, dalje në shesh për të protestuar për rehabilitimin, bie fjala, të figurave të Enver Hoxhës e Ramiz Alisë, e për të “kryqëzuar” të ndjerin Adil Çarçani.
Në leximin me vëmendje të deklaratës së djeshme të Edi Ramë para gazetarëve, tashmë të zbardhur e zeza mbi të bardhë, shihet se meraku i vetëm i tij dje, ishte t’ia faturonte dekadat e humbura të Shqipërisë, për shkak të Enver Hoxhës e Ramiz Alisë, të vetmes “viktimë” të ndjerit Adil Çarçanit.
Sa për atë tjetrën, të besuarit se Edi Rama doli dje para gazetarëve për të kundërshtuar përfundimet e Progres-Raportit të KE-së për Shqipërinë, nuk është e vërtetë.
Kjo nuk është e vërtetë, jo vetëm pse fjala “progres”, vetë nuk lë shkak për keqlexim e keqinterpetim të këtij Progres-Raporti, sikurse bie fjala po të kishim të bënim me një “Regres-Raport” të mundshëm të KE-së për Shqipërinë, por edhe për faktin se Edi Rama, nuk tha asgjë për raport-progresin.
Ah po. Ai doli dje para gazetarëve, për të na lajmëruar se “komenti ynë i detajuar për Progres-Raportin e dalë do të bëhet publik në ditët në vijim, pasi të kemi analizuar imtësisht çdo paragraf të tij”.
Dhe për të justifikuar këtë dalje të tij të djeshme para gazetarëve, pas disa ditëve të munguara dhe në kushte kur Erion Braçe dhe Taulant Balla i kishin marrë terren, ai zgjodhi të kundërshtonte dje evidentimin, konfirmim dhe nënshkrimin e përfundimeve të Raport-Progresit të KE-së, nga Kryeministri Sali Berisha.
Natyrisht, me daljen e ti të djeshme të tipit “të dalë ku të dalë”, Edi Rama brenda sinqeritetit të tij të pavullnetshëm, nuk kishte si të thoshte asgjë më shumë se Kryekomisioneri evropian për zgjerimin, Oli Rehn, i cili nga Brukseli deklaronte se, “Shqipëria ka intensifikuar përpjekjet të luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Edi Rama nuk kishte si të thoshte asgjë më shumë edhe se Ambasadori i KE-së në Tiranë Helmuth Lohan, i cili artikulonte se, “Kjo është arsyeja se përse në Progres-Raportin e këtij viti nuk përdoret e njëjta gjuhë apo terminologji që është përdorur një vit më parë”.
Në thelb qëndrimet e vlerësimet e këtyre dy zyrtarëve ndërkombëtarë janë e njëjta gjë, ose më saktë konfirmime të njëra-tjetrës. Por sigurisht këto qëndrime e vlerësime janë të ndryshme, nga ai perceptim që ka Edi Rama për zhvillimet dhe reformat e qeverisë, për matjen e vlerësimin e të cilave ai ka të vetmen njësi të tijën matëse, që nuk e kapërcen nivelin e perceptimit të perceptimeve...
...