E Diel, 1 Nëntor 2026

OSSH kredi për shlyerjen e borxhit te debitorëve

Nga Aurora Sulce
OSSH do të marrë kredi për të shlyer likuiditetet e importit të energjisë. Marrja e kredisë është domosdoshmëri, për shkak të gjendjes jo të mirë financiare, të krijuar nga mosshlyerja e detyrimeve nga institucionet shtetërore 

TIRANE-Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka nisur procedurat për marrjen e një kredie për të shlyer likuiditetet e importit të energjisë. Burime zyrtare pranë OSSH-së shpjegojnë se kjo kredi nuk do të ishte e nevojshme në rast se institucionet shtetërore do të kishin paguar detyrimet. Por, për shkak të borxhit të tyre, OSSH-ja gjendet në një situatë jo të mirë financiare, c’ka e bën të domosdoshme marrjen e kredisë.
Sipas të dhënave të OSSH-së, vetëm ujësjellësat kanë një borxh prej 13 milionë euro për periudhë 2007-2008. Burime zyrtare pranë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes shpjegojnë se ndërsa janë rritur ndjeshëm arketimet tek konsumatorët familjarë dhe bizneset, probleme po vërehen me institucionet shtetërore. Nga të dhënat rezulton se niveli i arkëtimeve tek familjarët ka arritur në 82 për qind, tek bizneset në 98 për qind, ndërsa niveli i humbjeve ka rënë në 28 për qind. Drejtuesit e OSSH-së shpjegojnë se është paradoks që familjarëve dhe privatëve t’u kërkohet që të paguajnë dhe u ndërpritet energjia, ndërkohë që shteti vetë nuk shlyen detyrimet dhe rezulton debitori më problematik pranë kompanisë që ndodhet në prag të privatizimit.

(d.b/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›