E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilemë sociale/Si polakët, apo si gjermanët?

02-09-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Një gazetë italiane e rëndësishme e katër viteve më parë, “Corriere della Sera”, që gjeta ndër gazetat e zverdhame të mëparshme, në disa rafte që përmbanin materiale hershme, më zgjoi kureshtjen për temën ende të pambyllur të konservatorizmit apo të liberalizmit në marrëdhënie me vajzat e djemtë e familjes. Ç’është e vërteta, zgjoi habi ai numri i madh prostitutash shqiptare në brigjet e Adriatikut, të Tirrenit, apo në vende të tjera europiane. Disa prej femrave tona kanë rënë edhe në fatkeqësi mirëbesimi. Por, siç më duket, kjo nuk përbën shumicën. Një pjesë më e madhe e tyre, e femrave, duke u thyer disa kufizime ndërmjet seksesh, në kohën e diktaturës, sikur deshën të rivalizojnë me djemtë në aventurat për një jetë më të mirë. Filluan veshjet nxitëse, transparente, madje edhe provokuese. Sot është e vështirë të gjesh vajza edhe të shkollave të mesme, madje edhe në nëntëvjeçare, që të mos merren me pamjen e jashtme: pak të kuq buzësh, rimeli po se po dhe zbukurimet, nga të shtrenjta e gjer te të lirat, në qafë.
Ajo që shkaktoi hutim dhe, shpesh, jo pa pasoja, ishte mungesa e shkallëzimit, gradualitetit, në këtë hap drejt kapërcimit të vendit me tipare tradicionale, në etjen për modernizim. Por modernizmi, që u bë si modë, i çoi shumë letrarë të rinj në hermetizëm.
Në një libër analizash për kapërcime të menjëhershme të një vije demarkacioni nga mbyllja, në hapje të shpejtë, më ka mbetur në mend krahasimi me operacionin e syve. Pas operacionit të suksesshëm, sytë fashohen dhe fashat zbulohen avash-avash, ditë pas dite, nga një mjedis i errët në më të çelëtin. Kalimi nga errësira në dritën e menjëhershme, do të sillte verbim, sipas okulistëve. Në këto raste jepet këshilla e grekëve të lashtë, “pan metron, ariston”. Pra, çdo gjë me masë!
***
Tani vijmë te çështja e nudizmit, që trajton ajo gazeta që cekëm në fillim të shkrimit. Titulli i shkrimit “Corriere della Sera-s” është: “Polakët kundër nudizmit”. Citojmë: “Asnjë nudist nuk do të duket në Detin Baltik. Është një shfaqje e turpshme. A mos duhet të shfaqemi si majmunët në kopshtin zoologjik?” Sipas Corriere della Sera-s, me hyrjen e Varshavës, para disa javësh (dhjetor, 2007) në zonën Shengen, polakëve iu hoq ajo vijë ndarjeje në Ishullin e Usedomit. Në vitin 1945 në këtë ishull pjesa lindore i përkiste Polonisë, kurse ajo perëndimore i takonte Gjermanisë. Polakët kërkojnë të qenurit me cipë në vend të shthurjes së zakoneve. Ata ngulmojnë për një  qëndrim të përkorë në vend të atij të të shfrenuarve. Meqë gjermanët janë në gjendje më të ngritur ekonomike, sipas polakëve ata janë edhe më të hazdisur. Gjermanët, sidomos ata të Lindjes, ishin mësuar në këto huqe që në kohën e Republikës Demokratike Gjermane. Për këta, ngjyra e hijshme e bronxit në trupat njerëzorë, në thekjen në diell pa asnjë mbulesë trupore, është një praktikë tradicionale dhe një zakon nga i cili nuk heqin dorë kollaj. Madje, kur shkonin në ishullin e Usedomit  me avionin, e fillonin zhveshjen në fluturim! Sipas deputetit polak të Svienujshes, Eduard Zajaçit, nudizmi në ishull është një fyerje për katolicizmin e Varshavës. Ndërsa të tjerët, nudistët, ankohen se polakët i spiunojnë duke i fotografuar dhe duke i parë me dylbi! Kleriku polak Kazimierzk është shprehur se nudistët janë mëkatarë.
***
Gojët e liga po na e përflasin ultramodernistin tonë, Edi Ramën, se po mendon që të vërë njerëzit e tij në parlament që të dekretojnë nudizmin edhe në vendin tonë. Por duket se është bërë pishman kohët e fundit, se do të gjente belanë nga parlamentarë (edhe të sojit të tij), ndonëse atë e gënjen mendja se qëndrimet dhe mendimet e tij përvetësohen me entuziazëm nga të gjithë shqiptarët! Madje edhe nga të përndjekurit politikë, paçka se u nxori bazyretin e Enver Hoxhës në Pezë me saze, me birrë e me drogë për minorenet! Por duket se ndonjëherë i vjen mendja në vend dhe po mendonte: “Hiqmu qar, mos më bjer zarar!”.
Kjo çështja e nudizmit te ne përgjason më tepër me polakët. Këta, për edukatën katolike, siç e pamë. Ne, për hir të traditës, e cila duhet kapërcyer gradualisht, nëse nuk duhet të na kujtohen ato fashat e okulistit. Nudizmi nuk është në traditën tonë. Këtej, përgjasemi me Poloninë katolike. Plazhistët në vendin tonë, me përjashtim të fëmijëve nën moshën e pubertetit, nuk lejohen të dalin lakuriq plazheve, qofshin edhe në ato private. E kemi fjalën vetëm për dy, tre, e shumta katërvjeçarët. Nuk kemi parë ndonjë sociolog shqiptar që të na dalë kaq “liberal” sa të përkrahë në shkrimet apo me thëniet e tij,  nudizmin në plazhet tona.
Megjithatë Edi Rama, qoftë edhe goxha burrë, sipas natyrës së tij ekscentrike, është vënë shumë herë në gjendje që të mos kuptohet askurrë prej opinionit publik shqiptar, qoftë për nudizmin, qoftë për vathët në veshë, qoftë për ekstravagancat e tjera. Meqenëse është posesiv, nuk e kish përmirësuar imazhin e vetvetes. I mbetej vetëm aradhja e propagandistëve të tij të majmunizuar. -Nuk keni të drejtë të merreni me privacy-n e individëve.  Jeta private është tjetër gjë!
Shumë kritikë të qëndrimit shoqëror të Ramës ranë në këtë kurth. U quajtkërka amorale të merresh me jetën intime, me vathë apo me lakuriqësinë e tjetrit. Kjo duket se duhet të mbulonte imoralitetin e individit, aq më tepër kur është me funksione publike. Kështu, askush nga të robotizuarit e Ramës nuk pipëtinin për Inën e mitur të tregimeve të tij, për rrahjet e femrave me të cilat ai kishte marrëdhënie, për shkatërrimin e jetës së një vajze të virtytshme dhe me talent të spikatur artistik. Por cili nga këta njerëz pa individualitet moral ia lejonte mbesës atë “antologji” me tregimin e Inës e më titullin “Ina, Ina, hiqi brekët!”. Cili nga këta do të dëshironte që motra e vet të rrihej në trotuarin e “Zogut të zi”?
Krahasimet me Bill Klintonin, Berluskonin, Kahnin e FMN-së janë si ato yjet e San Remos, që duhej të justifikonin flamurin tonë me yllin e kuq mbi shqiponjën dykrenare! Në rastin e parë, Monika Levinski e joshi vetë presidentin, ashtu siç ngjau me Ylli Pangon, që fitoi një gjyq milionash përkundrejt një provokatoreje, ngjarje për të cilat majtizmi ynë i indoktrinuar është ustà! Për ata që s’e dinë, Levinski angazhohej në hotele me pesë yje për të treguar ngjarjen e saj erotike me presidentin. Por italianët ia prenë në mes intervistën, kur morën vesh sesa peshohej në miliona kjo gallata e Monikës!
Vijmë te Berluskoni. Ishte i jetës mondane, por asnjëri nga paparacët nuk e ka nxjerrë dot të dhunshëm. Dihet se kjo dynja ka shumë femra që të ofrohen gratis apo për një interes ëndjesh nënë luksin e një fragmenti kohor zbavitës. Sa për drejtorin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ai doli i pafajshëm, për akuzat që i bëri ajo kamarierja marokene. Dhe mos të harrojmë se, pa e verifikuar me tamam ngjarjen, Kahni u paraqit me duar të lidhura dhe i tërhequr në ëmënyrë turpëruese nga policia. Pikërisht ai që shihet si kandidaturë e mundshme për presidencën franceze!
Ja edhe ai muhabeti i privatësisë, që ne e paskemi më për zemër se shtete me demokraci shumë më të lartë se jona!  Sa për një shaka të thjeshtë, më forcë të madhe hipnotizuese se Rasputini paska ky Rama ynë ? Rasputini zvetënoi një pallat të tërë perandorak të Nikollës së Dytë. Ky yni dëshiron të përdhosë një demokraci të tërë, të përftuar me aq mund e sakrifica! Por, siç duket, i ka ardhur të këndojë këngën e fundit të nositit!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›