E Diel, 1 Nëntor 2026

Strasburgu angazhon Komisionin e Venecias për reformën zgjedhore

02-09-2011 / Gazeta 55

Këshilli i Europës e konsideron të mbyllur kapitullin e zgjedhjeve të 8 majit dhe i kërkon Komisionit të Venecias të asistojë në përmirësimet e ardhshme të legjislacionit zgjedhor në Shqipëri

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbborn Jagland, duke vënë theksin te nevoja e reformës zgjedhore në Shqipëri, kërkon ndihmën dhe asistencën edhe të Komisionit të Venecias. Nëpërmjet një letre, me anë të së cilës i është drejtuar Komisionit të Venecias, Jagland kërkon “një opinion me përmirësimet që duhet ti bëhen legjislacionit të zgjedhjeve, që duhet të aplikohet në Shqipëri”.
Në një letër dërguar presidentit të Komisionit të Venecias, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbborn Jagland shkruan midis të tjerave se, “Ju padyshim jeni njohur më situatën që pasoi zgjedhjet lokale në Shqipëri në veçanti mosmarrëveshjet për  zgjedhjen e kryebashkiakut të Tiranës. Unë e kam ndjekur situatën shumë nga afër dhe adresova çështjet tek autoritetet shqiptare dhe konsideroj që Këshilli i Europës duhet të bëjë gjithçka është e mundur që në Shqipëri të mos përsëriten ngjarje të tilla në të ardhmen. Unë do t’ju isha mirënjohës nëse Komisioni i Venecias do të mund të hartojë një opinion me përmirësimet që duhet ti bëhen legjislacionit të zgjedhjeve, që duhet të aplikohet në Shqipëri  duke marrë në konsideratë edhe eksperiencën në zgjedhjet e fundit”.
Me këtë kërkesë, njëherazi Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, e konsideron të mbyllur kapitullin e zgjedhjeve vendore të 8 majit në Shqipëri, ndërsa i jep një përgjigje edhe Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Gramoz Ruçit, duke injoruar dhe shmangur kërkesën e selisë rozë të Tiranës, sipas së cilës, përmes një shkrese dërguar Thorbborn Jagland, kërkonte që Komisioni i Venecias të përcaktonte “ligjshmërinë për procesin zgjedhor të 8 majit”.
Sekretari i përgjithshëm i  Këshillit të Europës nuk përjashton një vizitë në Shqipëri gjatë vjeshtës, siç thuhet në faqen e tij zyrtare në funksion të zbatimit të opinionit të Komisionit të Venecias në dhjetor.
Në letrën dërguar kryeministrit Sali Berisha më 10 qershor, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorborn Jagland përveçse njoftonte adresimin e problematikës së zgjedhjeve shqiptare në komisionin e Venecias i bënte thirrje liderëve politik që të kapërcenin mosmarrëveshjet dhe të dialogonin.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›