Dimër hesapi...
Dimër. Ftohtë dhe ngricë ndërsa udhëton. Fshatra dhe qytete të vegjël nën qiellin njëtrajtshmërisht të përhimët, gri, fare gri, nga të dy krahët e rrugës. Zakon që njerëzit rrinë varg si gardh, herë-herë i shkëputur, përherë përbri rrugës nacionale. Sikur presin të kalojë ndonjë udhëheqës për ta përshëndetur para tyre. Tek-tuk, nga oxhaqet e shtëpive kryesisht njëkatëshe duket tymi gri në të kaltër. Një nuancë fare e lehtë e ndan nga sfondi malor i veshur me borë. Fushat gjithandej po dhe ato të veshura me borë, të heshtura solemnisht, me rreshta plepash diku të prerë, diku të zhveshur buzë kanaleve të harruar, si në një botë tjetër. Asnjë gjallesë. Ecën dhe disa kilometra dhe vendos të ndalosh. Diku, aty pranë. Zonë e banuar. Nja tre fëmijë shikojnë me habi targë TR. Pastaj ia fusin vrapit njëri pas tjetrit, si pakuptimshëm. Një tufë me burra dhe djem të rinj në një peizazh dimri me borë dhe ngricë, ngjajnë si gjela deti. Buzë rrugës nacionale. Përballë kafeneve me mure të shtrembër. Përgojojnë me thashethemnaja dhe fjalë fyese, gjithkënd që kalon ca metra para tyre. Sidomos emigrantët e veshur bukur, ku mbizotëron koloriti i çelur, e kuqja, jeshilja, e verdha. Kanë ardhur nga larg, të festojnë me familjet e tyre. "Bletë punëtore", që kanë sakrifikuar për t'u kthyer nëpër kufij dhe dogana të gëzojnë prindërit e tyre. Po ku të lënë "gjelat e detit". Thashethem i madh: "U bë i biri i filanit, u bë e bijë e filanit...! Ky që... ashtu atëherë, e kjo që kështu... tani...
Një "bletë punëtore" shkëput një grup "gjelash deti" për t'i qerasur në klubin më të afërt. Mesa duket, shokë të vjetër fëmijërie. Shkojnë kokulur pas tij, drejt klubit, edhe pse ca sekonda më parë e kanë përgojuar...
Televizionet japin lajmet e ditës. Edhe gazetat që ke në dorë. Ja edhe kronikat. Të zezat më pikante. Djali vret babain. Nusja burrin. Dhëndri vjehrrën.Adoleshenti adoleshentin me thikë. Kryesisht motivet e dobëta. Për një fjalë, a ca llafe goje. Të sjellin në mend tekstin e një kënge popullore, edhe pse s'të vjen dhe aq për të vajtuar me ulërimë: "Ç'janë këto llafe moj xhane,/ Që dalin nga fshati,/ S'janë prej vërteti moj xhane,/ Janë nga inati...". Çudi, se inati, smira, zilia, haseti na paskan gjetur pasqyrim shumë mirë dhe në këngën popullore prej kohësh. Pse ky inat, zili, smirë, haset?! Që nga ta ketë burimin vallë?!
Një rrip toke bëhet sebep për një gjakderdhje dhjetëravjeçare mes dy komshinjve. Kushëriri vret kushëririn. Vëllai vëllain. Borxhliu borxhdhënësin. Një tip krenari vret pa menduar për punë krenarie. Si në kohë të kaubojsave. Të kujtohet një shprehje latine e shqipëruar: PËRULJA E MUND KRENARINË!
Disa aksidente kanë copëtuar ca njerëz fare pasagjerë dhe miq të shoferit, që ia jep mendja e dehur ta ngasë me 140 km në orë. "Burrëri" e madhe të shkelësh gazin në dërrasë. Për vete ka shpëtuar. Shpejtësia, alkooli ose parakalimet e gabuara, si gjithmonë fajtore. Asnjëherë mungesa e sinjalitikës. Shpërblime pati. Krimet jashtë familjes "i mundin" hera-herës ato brenda familjes. Një i opozitës i përfolur për korrupsion në kohë të qeverisjes së majtë të mëparshme, qenka "strukur" ndër VIP-at e koalicionit të një partie të vockël të majtë. Pa shih, pa shih...! Ç'qerratallarë! Sa mirë mendojnë: Kur të ndahen "thelat" e në fitoftë e majta, më mirë të bie të jesh në gjindjen e PS-së për punë posti. "Dhjamë" ka plot për të kaluar kohën opozitare. Ku i dihet... mbase të lenë me gisht në gojë, po je në PS! Radhë e madhe. Kurse po je në një parti të vockël, i dyti, i treti apo i pesti, bëhen më mirë hesapet...!
E fik televizorin, hedh mënjanë gazetat. S'të hahet as darkë. Të pështjellohen në stomak imazhet e para dhe të lexuara. Të gjitha aty i ke. Ndjehesh makabrisht i ngopur. Kërkon të shtrihesh, të flesh, të harrosh, por jo të shpëtosh... Me shpresën se s'do të të dalin nëpër ëndrra. Por, ëndrrat si ëndrrat, s'i ndalon dot. Ju rruan... atë që përmend miku im Agron Llakaj nëpër satirë. Që me demek e mbajnë vetëm kafshët mbas...