RIORIENTIMI DEMOGRAFIK - Qytete paralele apo shoqëri periferike?
Lëvizja e lirë, riorientimi demografik i popullsisë, ka sjellë tashmë një realitet të padyshimtë, që shfaqet në krijimin e disa qyteteve të mbipopulluara, me mbingarkesë të jashtëzakonshme urbane, me probleme sociale, pothuaj të pamënjanueshme. Nuk mund të mohohet, se shoqëria shqiptare ndodhet përballë fenomenit të krijimit të "poliseve paralele", të qendrave periurbane me ngarkesë të lartë demografike e sociale, me përqindje të lartë papunësie, me çrregullime sociale e ambientale.
Në këto zona duhet ndikuar me të gjitha mjetet, që të orientohen me mënyrën e re të qytetërimit, të ndryshuar pas largimit të tyre nga fshati për në zonat periferike të qyteteve. Deri tani një pjesë prej tyre kanë mundur të sigurojnë në mënyrë kaotike kushtet ekzistenciale, por pa standardet e tjera të jetës qytetare. Këto "shoqëri periferike", nuk mund të jetojnë të izoluara nga bërthama metropolitane. Çështja është që ato të përfshihen në këtë bërthamë, përmes procesit më të shpejtë të urbanizimit dhe jo të ndodhë e kundërta, që këto zona të mbipopulluara pa rregull, të sjellin deformacione në standardet e arritura të qytetërimit tonë. Duhet të jemi realistë, se nga mënyra se si janë konceptuar dhe ndërtuar ato, kanë defekte që bëjnë të vështirë aplikimin e standardeve qytetare, nëse nuk ndihmohen për t'i plotësuar ato. Këto zona të superpopulluara, kanë një organizim të tillë, që pengojnë kushtet për "privaci" dhe "intimitet social", si parakushte të jetës qytetare, sepse ndërtimet e shtëpive janë bërë pa rregulla e vendosje sipas standardeve urbane. Jo vetëm në zonat tona periferike, por dhe në nivel global, është studiuar se intensiteti i problemeve sociale që sjell mbipopullimi i qyteteve është më i rëndë kur ai bëhet në "kushtet e varfërisë". Ndaj, nuk është fare për t'u çuditur që popullsia e re e vendosur në periferi të Tiranës, Vlorës, Durrësit, etj., shfaq në mënyrë të dukshme gjendje stresi, ankthi, zemërimi, pse jo edhe konfliktualiteti, që vjen nga varfëria, nga mungesa e kushteve për jetë normale.
Çështja është se kush e ka të drejtën, të paralajmërojë dhe të "frenojë" këtë situatë kaotike të orientimit demografik të popullsisë, që po braktis fshatin dhe që po vërshon pa u ndalur drejt qytetit, me shpresën për një jetë më të mirë, e cila po kthehet në zhgënjim social ? Kush do të ndërhyjë në mënyrë demokratike dhe ligjore për të frenuar mbipopullimin e Tiranës e cila, siç duket, me nivelin aktual të zhvillimit, duket se nuk e ka "bazën ekonomike" të mjaftueshme për të absorbuar dyndjen që po vazhdon pa fund. Nuk është fare marksiste ideja se zhvillimi i një qyteti si "njësi sociale", nuk mund të jetë normal nëse nuk ka bazën e nevojshme ekonomike për punësim, strehim, ushqim, etj. Pasojat e mbipopullimit sot mund të duken si "shaka politike", por që nesër për brezat që po rriten, mund të bëhen një "bombë sociale" montimi i së cilës ka filluar pjesë-pjesë të bëhet që tani. Me fjalë të tjera, duhet të mendojmë të përshpejtuar për të zgjeruar bazën ekonomike të qyteteve tona, nëse jemi të bindur që kjo është rruga e zhvillimit, duke e lënë riorientimin demografik të popullsisë në mënyrë spontane dhe krejt të lirë. Na duhet të mendojmë më shumë për qytetet tona, që ato të zhvillohen duke ruajtur dhe konsoliduar "përmasën" qytetare dhe njerëzore".