E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dimri i fundit i PS-së

17-06-2011 / Gazeta 55

Me Asamblenë e së shtunës, në PS nis faza finale e përjashtimit të grupeve armiqësore ndaj Edi Ramës. Në vjeshtë nis viti zgjedhor për strukturat partiake, të cilat gjatë dimrit do të pastrohen, jo veç nga nanoistët e mbetur, por edhe nga “dështakët” e 8 majit. Fatmir Xhafa do shpallet fajtor për Kolegjin Zgjedhor, Besnik Bare për Tiranën, por pritet të nisë edhe një seri hetimesh staliniste ndaj komisionerëve dhe numëruesve të partisë. Ngritje në përgjegjësi do të përfitojë Saimir Tahiri, i cili së bashku me shpurën edviniste do të udhëheqë fazën finale të privatizimit të PS-së në një celulë personale kamikaze të ish-kryebashkiakut

Rikthehet gjuetia e shtrigave në Partinë Socialiste. Aksioni i spastrimit politik të partisë starton duke nisur nga punimet e nesërme të Asamblesë kombëtare, ku do të “priten” kokat e atyre që s’kanë dhënë kontributin e pritur si dhe të padëshiruarit që prej javësh të tëra kanë bojkotuar vendimet qorrsokake të PS-së, për të thyer një tjetër bojkot, atë të Kuvendit të Shqipërisë. Paralajmërimet e para nga selia rozë kanë qenë për deputetët e dalë tashmë jashtë ‘orbitës’ së çmendurisë, paaftësisë dhe absurditetit të promovuar nga Edi Rama. Fat i paqartë mbetet për 2 deputetët “rebelë” Kastriot Islami dhe Andis Harasani. Komentet e ditëve të fundit të dy ligjvënësve kanë qenë vërtetë të ashpër si dhe me goditje e akuza të drejtpërdrejta ndaj kryesocialistit Edi Rama, për dështimin elektoral të opozitës në zgjedhjet vendore të 8 majit. Por aksioni i spastrimit s’do ndalet me kaq, pasi logjikisht deputetët në fjalë kanë pranuar vetë-largimin nga PS, edhe pse nga selia rozë ende s’ka dalë një vendim i qartë për të ardhmen e Harasanit dhe Islamit. Dy deputetët në fjalë kanë mbajtur ‘peshë’ një kërcënim ndaj kryetarit Rama që ndoshta rezulton i vërtetë, se nga PS do ketë të tjera largime, edhe pse këto mund të vijnë si rezultat i vendimeve të forumeve drejtuese të partisë më të madhe në opozitë. Dhe siç duket vërtetë ashtu do të ndodhë. Në analizën post-zgjedhore, asambleja kombëtare e Partisë Socialiste do nxjerrë në “shesh” të burrave, përgjegjësit e humbjes elektorale të 8 majit. Gjasat janë që, Edi Rama të mos kërkojë llogaridhënie për humbjen me epërsi votash në shkallë kombëtare, por të fokusohet te rezultati zgjedhor në bashkinë e Tiranës. Edi Rama s’ia fal dot organizatorëve të tij, faktin që 4 vjet më parë fitorja e tij në Tiranë ishte disa mijëra vota, ndërsa jo më larg se para 6 javësh, ai u “njoh” me humbjen. Nën drejtimin e tij, Partia Socialiste shënoi në Tiranë humbjen më të thellë që është njohur ndonjëherë këto 20 vite. Ai ka si synim t’i shpëtojë kësaj njolle që jo lehtë mund të kapërdihet. Por, për këtë është mendua edhe “seria” e sulmeve ndaj komisionerëve dhe numëruesve. Strategji kjo që ri-vjen në skenën akuzave dhe përbaltjeve pas 2 vjetësh. Për të drejtuar gishtin ndaj përgjegjësve të humbjes së ithët në Tiranë, dhe për të zbuluar grupet armiqësore në Parti, Edi Rama mbledh Asamblenë kombëtare socialiste, ku edhe do hidhet dritë mbi dezertorët. Fatmir Xhafaj rriskohet seriozisht në gjyqin e ditës së nesërme, për faktin e vetëm se paditë e Partisë Socialiste në Kolegj shoqëroheshin nga suporti i tij juridik dhe si i tillë, dështimi me kërkesat eunuke dhe pa baza ligjore të opozitës, bie kryekëput mbi Fatmir Xhafën. Absurde në dukje por selia rozë ka plotësuar tashmë procesverbalet e përjashtimit si dhe ka bërë gati ankesë-padinë, që do i klasifikojë ata si tradhëtarë dhe të padëshiruarit e Partisë. Akuza për grup-armiqësor e pret edhe Fatmir Xhafën. Përballë “fortunës” për të qëndruar me çdo kusht në parti, pas humbjes së bashkisë, “këputja” e kokave të dezertorëve, është stimuli më i mirë për t’i treguar bazës socialiste se fajtor nuk ishte ai, por grupi armiqësor që kishte punuar për kundërshtarin... Por, gjuetia e shtrigave, s’ndalet me kaq. Përgjegjësit dhe armiqtë e Partisë do kërkohen në Tiranë. Besnik Bare s’i ka realizuar mirë detyrat e Partisë dhe si i tillë ai do marrë “dënimin”. Bare, si kryetar i Partisë Socialiste dega Tiranë, shihej nga Edi Rama si një potencial i fuqishëm elektoral. Ai i besoi atij kryeqytetin, ndërsa vetë do kujdesej për betejat politike. Por, rezultati është thellësisht disfavorizues dhe si i tillë ka çuar në humbjen e bashkisë më të madhe në vend. Edi Rama s’mund t’ia falë “profesorit” neglizhencën dhe shpërfilljen që ai demonstroi në qytetin e Tiranës. Arratia që pritet të marrë grupi armiqësor dhe dezertorët e Edi Ramës në zgjedhjet lokale të 8 majit, do të zëvendësohet nga ri-noshët e papjekur si dhe pa profil politik, por hapi i tyre karrierist lidhet fort me spiunllëqet dhe paaftësinë e tyre për të dalë në dritën e të vërtetës... Kësisoj, PS shkon gjithnjë e më shumë drejt një shpure hispanikësh dhe servilësh, të cilët pritet ta kthejnë atë në celulë private të ish kryetarit të bashkisë. Kësisoj, Sajmir Tahiri pritet të konfirmohet në pozitën e njërit prej atyre që do përndiqen nga Edi Rama.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›