E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komenti/Flladitje me freskore puplash

17-06-2011 / Nga Ardian Roshniku

Në gazetën “Shqip”, e cila flet me gjuhën e “Zërit të Popullit” dhe të “Shekullit” “, u botua një shkrim,  para vendimit  të Kolegjit Zgjedhor,  me titullin,“Edvin Rama një dizaster” i analistit të njohur Mustafa Nano. Ky shkrim kontradiktor për disa qe i pranueshëm, për shumicën i qartë. Nga leximi u kuptua se bëhej fjalë për një avokati të zakonshme në shërbim të PS, e ndjekur nga një qortim shoqëror për drejtuesin e saj Edvin Rama. Pak a shumë kishte pamjen edhe të një trysnie ndaj Kolegjit Zgjedhor, para marrjes së vendimit. Nuk mungonte as fjalori i njohur fshatçe  i përzier me terma nga fjalorët e huaj, kundër mazhorancës e drejtuesve të saj, mohues i gjithçkaje të arritur deri më sot në Shqipëri. Por ngadhnjimi i Aleancës për Qytetatin, me diferencë të dukshme votash në rang vendi, dëshmon se punët kanë shkuar mbarë, jug–veri, duke larguar tymnajën e shpifjeve dhe rrenave.
Kur votimet kanë marrë fund, analisti Nano shfaq shqetësimin e natyrshëm prej militanti partiak, përse Rama mori përsipër për të katërtën herë garën për Kryetar Bashkie. Sipas tij, nëse do të ishte një tjetër, sigurisht do të dilte triumfues ndaj kandidatit Lulzim Basha, sepse PS na qenkësh “partia numër një në vend”. Veçse për një pohim të tillë, duhen argumente të fuqishme dhe jo fjalë në hava, aq më keq fyerje apo heshtje për cilësitë e arritjet e demokratit Lulzim Basha, që siç shprehet edhe vetë analisti i majtë Mustafa Nano, është pa dyshim një star i vërtetë.
Sesi u krijua partia që mbron analisti, flet qartë ndryshimi i emrit nga Parti e Punës (Komuniste) në Parti Socialiste, flet gazeta e saj me emrin e pandryshuar, “Zëri i Popullit”, me miratimin e kryekomunistit Ramiz Alia. Për këtë arsye Partia Socialiste qysh nga viti 1992  s’ka qenë kurrë partia numër një në vend, madje as në vitin e rebelimit komunist 1997, përkundrazi Partia Demokratike, viktima e ekstremistëve të majtë, apo e komunistëve, ka qenë partia më e dashur në vend. Megjithatë në këtë mes duhet të veçohen dy periudha, njëra 1992- 2005, (përjashtuar vitin 1998), dhe tjetra 2005 - 2011. Në të parën Kuvendi punoi normalisht, u zhvillua debati e pati disa herë konsensus midis partive për miratim ligjesh. Pas vitit 2005, kur në krye të Partisë Socialiste u zgjodh Edvin Rama, ajo pushoi së qëni Parti dhe u kthye në një masë kokëforte antidemokratike. Truri i saj nuk është vetëm drejtuesi me probleme mendore, por një grup i caktuar me prejardhje të pastër komuniste. Qysh nga kjo kohë grupi parlamentar i PS shfaqi një egërsi të paparë kundër PD, me shpifje e kundërshtime ndaj elektrifikimit, ndërtimit të autostradave dhe anëtarësimit në NATO, kundër rritjes së pagave e uljes së taksave, kundër investitorëve të huaj, heqjes së vizave, statusit të kandidatit në Bashkimin Europian etj. Vijoi me mosnjohjen e rezultatit të votimeve parlamantare dhe pas vitit 2009, është pothuaj jashtë sallës së Kuvendit, mbushur me urrejtje edhe kundër LSI-s, me përjashtim të tre a katër vetëve.  Mungesa e gjatë  në Kuvend,  nuk është  vetëm një veprim kundër pluralizmit demokratik, por edhe shkelje e rëndë e traditës sonë kuvendore. I gjithë ky kundërshtim u shoqërua me protesta e greva mashtruese  militantësh  partie e zyrtarë bashkish, të mbartur me autobusë nga rrethet. Ky varg trazirash e kundërshtimesh, i organizuar dhe i nxitur nga kryetari i PS, do të sillte 21 janarin leninist të rebelimit 2011, me një grup goditës drogmenësh të paguar, me zjarre, bomba e armë të fshehta, para Kryeministrisë. Së fundi, e ka radhën mospranimi i humbjes së Bashkisë së Tiranës, e cila gjatë këtyre viteve asfiksoi kryeqytetin e Shqipërisë. U duk një kundërshtimi i ri, sërish i dhunshëm, i mosnumërimit  të votave, me dyndjen e një  turme zyrtarë bashkish para KQZ, me bllokimin e rrugëve, djegien e gomave dhe fyerjen e Kolegjit Zgjedhor para vendimit. Këto janë ngjarje të rënda që u panë nga e gjithë bota dhe argumente që vërtetojnë se PS, jo vetëm s’është numri një në vend, madje s’është as parti, por një grup pa vlerë e që nuk shpreh dëshirat e bindjet e qytetarëve shqiptarë.
Nuk ka aspak rëndësi, nëse Edvin Rama merr pjesë ose jo në votimet vendore, shkruan një letër të hapur në dhjetë orë, kërcënon si armik në kohë lirie bashkëkombasit e vet, fatal është shkatërrimi i rolit të opozitës dhe i vetë PS, vepër e kasketave të vjetra, si Ruçi, Dokle e Gjinushi, me bijtë e nipat e bllokmenëve, si Klosët, Bushatët, Gjonët, Ngjelat, tok me ta intrigantët e mafiozët, enveristët Milo e Angjeli me kompani dhe poetët e paaftë, si Zogaj, të mbështetur edhe nga akademiku fantazmë Qose. Gjërat duhet të thuhen ashtu siç janë në të vërtetë, ndryshe askush nuk të beson. Pra, të flladitësh me pupla fajtorët e vërtetë në këto ditë të nxehta, është një miratim për bëmat e tyre të rrezikshme, kurse ngacmimi me kthetra, një gjest jo prej analisti, ndaj atyre që mendojnë ndryshe, punojnë e lodhen për një jetë më të mirë, në atdheun tonë të bukur, i cili pas disa vitesh do të jetë një Zvicër me det në brigjet e Ballkanit.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›