Dimri "ulet këmbëkryq" në të gjithë vendin
I ftohti polar që ka përfshirë gjatë 48 orëve të fundit gjithë territorin e vendit, ka krijuar probleme serioze në akset nacionale. Nga të gjitha qarqet janë raportuar probleme në kalimin e automjeteve, me gjithë masat e marra nga drejtoritë rajonale të rrugëve dhe policia rrugore.
Kukës
Për shkak të akullit dhe dëborës, në rrugët e Qarkut të Kukësit është vështirësuar tej mase qarkullimi i mjeteve. Në aksin kombëtar të rrugës Kukës-Tiranë në disa segmente të zonës së Kalimashit dhe Shëmrisë qarkullimi i mjeteve është bllokuar të shtunën paradite për disa orë. Edhe me angazhimin e Drejtorisë Rajonale të Rrugëve, duke hedhur në trase skorie dhe kripë, përsëri për shkak të akullit qarkullimi i makinave në Kalimash, në Qafë-Shllak etj., bëhet tepër i vështirë. Në Shën Mëri dhe në Qafë-Shllak dhjetëra mjete të mbetura në akull janë tërhequr nga fadromat e Ndërmarrjes së Rrugëve. Drejtues të pushtetit vendor dhe rajonal në Kukës kanë shkuar në terren, kryesisht në aksin kombëtar të rrugës Kukës-Tiranë në Qafë-Shllak etj., nga ku raportojnë me optimizëm se rruga është kalueshme. Por një pasagjer tha me telefon se gjendja ishte skandaloze. "Kemi mbetur për rreth një orë një 5 km larg Shën Mëri të bllokuar, sepse dy kamionë janë kryqëzuar në kthesë, ka stuhi të fortë dhe jemi të frikësuar", tha ai duke shtuar në vendin e bllokuar ishin edhe dy autobusë një prej të cilëve po sillte studentët në Kukës për festat e fundvitit. Në radhë ka pasur edhe dhjetëra automjete të kosovarëve që kthehen nga Perëndimi dhe për të cilët edhe udhëtimi përtej Kukësit do të jetë i vështirë për shkak të akullit në autostradë. Ndërkaq, një pjesë e rrugëve rurale, kryesisht në afërsi të qytetit të Kukësit, përshkohen me vështirësi. Shumica e rrugëve që lidhin komunat mund të konsiderohen të bllokuara për momentin. Në aksin e rrugës Kukës-Shishtavec vetëm një numër i vogël mjetesh ka arritur dje paradite të udhëtojnë për në Kukës. Po ashtu vështirësi paraqesin rrugët Kukës-Bushtricë, Kukës-Krumë, Krumë-Qafë Prushi etj., si dhe Bajram Curri-Fierzë dhe Bajram Curri-Qafë Mali. Ndërsa mbeten të bllokuara rrugët e Zapodit, Arrnit, Grykës së Çajës, Kukës-Peshkopi, si dhe shumë fshatra të rrethit të Hasit. Shtabi i emergjencave civile në Prefekturën e Kukësit po mban kontakte të vazhdueshme me zonat e thella ku sipas burimeve deri në mbrëmje nuk janë njoftuar situata emergjente.
Dibër
Në Qarkun e Dibrës bora ka izoluar mjaft fshatra dhe komuna në zona të thella malore. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm rruga nacionale Peshkopi-Tiranë, pothuajse ka qenë e pakalueshme për shkak të akullit që e kishte mbuluar atë. Ndërsa më problematike ka qenë gjendja në rrugët e tjera nacionale atë Peshkopi-Kukës dhe Ura e Çerenecit-Klenjë-Librazhd, ku edhe kalimi me zinxhirë i automjeteve ka qenë pothuajse i pamundur për shkak të akullit dhe mungesës së hedhjes së kripës në këto rrugë. Policia e qarkullimit rrugor, ka ushtruar kontrolle duke mos lejuar qarkullimin e automjeteve pa qenë të pajisura me zinxhirë. Ndërkaq, Drejtoria Rajonale e Rrugëve në Peshkopi, ka vënë në dispozicion të rrugëve gjithë mundësitë e saj teknike dhe njerëzore për zhbllokimin e situatës në rrugët nacionale për t‘i mbajtur ata të kalueshme në çdo moment. Kështu në orët e para të mëngjesit, makinat borëpastruese dhe të ngarkuara me kripë, janë parë të përqendrohen në segmente problematike rrugore, duke pastruar dëborën dhe hedhur kripë. Kjo ka bërë që në orët e mesditës, rruga kryesore nacionale Peshkopi-Burrel-Tiranë të funksionojë pa pengesa. Ndërsa mjaft komuna dhe fshatra të thellë malorë, janë riizoluar për shkak të reshjeve të dëborës dhe uljes së temperaturave. Burime nga emergjencat civile në Prefekturën Dibër, bëjnë me dije për "Shqip" se Komuna Lurë dhe mjaft fshatra në zona të thella malore janë të izoluar, madje prej ditësh, por situata sipas tyre nuk është emergjente dhe po shkon drejt normalizimit. Më problematike situata paraqitet në komunat: Lurë, Kala e Dodës, Sllovë, Trebisht, Martanesh etj., ku po punohet për hapjen e rrugëve që lidhin këta komuna me qendrat e rretheve përkatëse.
Shkodër
Në Shkodër janë të bllokuar të gjitha rrugët rurale të komunave të Kelmendit dhe Shkrelit në Malësi të Madhe. Ndërkaq, 31 fshatra në komunat e Shalës, Shoshit, Pultit e Shllakut në Shkodër dhe komunat Iballës, Fierzës e Blerimit në Pukë, janë të izoluar me pjesën tjetër të vendit. Të bllokuara totalisht janë Qafa e Thores që lidh Malësinë e Madhe me Dukagjinin, Mali i Shoshit që lidh Dukagjinin me Shkodrën, si dhe Qafa e Bordolecit që lidh Vermoshin me pjesën tjetër të vendit. Pasditen e djeshme është bllokuar dhe rruga nacionale në Qafë Mali që lidh Shqipërinë me Kosovën, ndërkaq mësohet se në rrugë ka rënë një ortek që ka bërë dhe bllokimin e rrugës. Të gjitha rrugët nacionale në zonat malore të Qarkut Shkodrës paraqesin tepër vështirësi kalimi dhe janë në prag bllokimi për shkak të reshjeve të dendura të dëborës dhe kalimi bëhet vetëm me zinxhir.
Korçë
Reshjet e dëborës kanë krijuar probleme në rrugë dhe në zonat e larta malore. Sipas Drejtorisë së Rrugëve të Korçës, Kukësit, një pjesë e akseve nacionale kanë qenë të kalueshme vetëm me zinxhirë për shkak të segmenteve të vështira. Më problematik kanë qenë segmentet nga Cangonji deri në doganën e Kapshticës dhe aksi Qafë-Thanë-Lin, ku është i detyrueshëm përdorimi i zinxhirëve. Gjatë orëve të pasdites rruga e Qafë-Thanës sipas të dhënave nga shtabi i emergjencave civile ka qenë e kalueshme vetëm në një sens. Krahas dëborës së madhe dhe shtresave të akullit mbi asfalt është bërë edhe një trajler që ka rrëshqitur gjatë ngjitjes për në Qafë-Thanë nga rruga e Linit, gjë që ka bllokuar lëvizjen e mjeteve për të paktën gjysmë ore. Në këto zona trashësia e dëborës ka qenë më e madhe se 20 cm, megjithatë është punuar për mbajtjen hapur të akseve nacionale. Shefi i shtabit të emergjencave civile, Dhori Çekrezi, sqaron për "Shqip" se situata ka qenë e rënduar gjatë orëve të pasdites me nisjen e reshjeve gjatë ditës së shtunë, ndërkohë që edhe gjatë natës ka pasur vështirësi në disa nga akset rrugore për shkak të ngricave dhe dëborës. "Duke filluar që nga mbrëmja e së premtes situata është rënduar si pasojë e reshjeve të dëborës dhe rënies së ndjeshme të temperaturave. Gjatë mbrëmjes së të premtes dhe në orët e natës është punuar kryesisht në Qafë-Thanë, sepse trashësia e dëborës arriti deri në 20 cm. Ndërkohë që në orët e mëngjesit është bërë kriposja për shkak të ngricave. Më e rënduar situata ka qenë gjatë orëve të pasdites për shkak të reshjeve që përfshinë gjithë rajonin", ka sqaruar Dhori Çekrezi. Probleme hasen në të gjitha qafat e rrugëve në juglindje të vendit, ndërkohë që nuk konfirmohen zona të izoluara. Sipas shtabit të emergjencave civile me vazhdimin e reshjeve të dëborës pritet të ketë bllokim të zonave të larta si: Dardha, Vithkuqi, Lekasi, Liqenasi. Reshjet e dëborës gjatë pasdites në disa zona janë shoqëruar edhe me reshje shiu që ka bërë të mundur shkrirjen e shtresave të dëborës mbi rrugë. Megjithatë, sipas shtabit të emergjencave gjatë natës do të punohet me kriposjen për shkak se temperaturat janë shumë të ulëta dhe ngricat do të vështirësojnë lëvizjen e mjeteve në rrugë.
Skrapar
I ftohti që ka përfshirë gjithë territorin e vendit ka krijuar probleme dhe në rrethin e Skraparit. Burime të shtabit të emergjencave civile pranë prefektit të Qarkut të Beratit thanë dje për "Shqip", se reshjet e dëborës kanë pushtuar të gjitha zonat kodrinore e malore të këtij qarku, por që ka zbardhur e sjellë probleme në ato fshatra e komuna që ndodhen nga 500 metra e lart nga niveli i detit. Sipas informacioneve të ardhura nga të gjitha komunat deri në orën 16:00 të së shtunës, ka pasur reshje të dendura shiu dhe përmbytje të ultësirave në 5-6 komunat fushore të këtij qarku. Kjo ka sjellë probleme për qarkullimin e mjeteve dhe njerëzve, në gati 11 komunat e zonave kodrinore e malore. Burimet nga shtabi i emergjencave civile, konfirmuan se dëbora e dendur ka zbardhur plotësisht të gjitha komunat e rrethit të Skraparit, por edhe tri komunat malore të rrethit të Beratit. Fshatrat Plashnik 1 e Plashnik 2, Osmënzezë e Velçan të Komunës Sinjë, si dhe fshatrat Vokopolë, Rehovë e Dodovecë të Komunës Tërpan, fshatrat Mëndrakë e Belesovë të Komunës Lumas, fshatrat Dardhë, Qafë-Dardhë, Kostren 1 e Kostren 2 të Komunës Roshnik në rrethin e Beratit, si dhe të gjithë fshatrat e komunave: Gjerbës, Çepan, Konak, Qendër, Zhepë të rrethit të Skraparit janë të mbuluara nga dëbora. Në këto zona trashësia e borës ka shkuar në mbi 15 cm dhe rrugët rurale që lidhin fshatrat dhe komunat mes tyre, si dhe ato që shkojnë për qytetin e Çorovodës, janë paralizuar plotësisht. Krahas tyre në këto zona ka pasur edhe mungesë të energjisë elektrike, për shkak të defekteve dhe këputjeve të linjave nga erërat e fuqishme dhe ngarkesës së dëborës. Pritet që situata të bëhet edhe më e rëndë pasi reshjet e dëborës vazhdojnë të bien me intensitet të lartë në të gjithë territorin e qarkut.
Elbasan
Moti i keq ka shkaktuar probleme serioze edhe në Qarkun e Elbasanit. Si pasojë e reshjeve të dëborës është vështirësuar së tepërmi qarkullimi në segmentin e rrugës kombëtare që lidh qytetin e Përrenjasit me Maqedoninë nëpërmjet vendkalimit kufitar të Qafë-Thanës dhe me pjesën tjetër të Shqipërisë Juglindore. Në këtë segment rrugor kalimi prej mesditës së djeshme është i mundur vetëm me zinxhirë ndërsa në orët e vona të së shtunës situata në segmentin e Qafë-Thanës ka qenë problematike, pasi janë krijuar radhë të gjatë automjetesh, të cilat nuk ishin pajisur me zinxhirë dhe policia nuk ka lejuar qarkullimin e tyre. Ndërkohë që të gjitha fshatrat e thellë malorë të Qarkut të Elbasanit janë mbuluar nga dëbora, trashësia e të cilës në zonat e thella shkon deri në 40 cm. Ndërkohë, në rrethin e Gramshit dhe në atë të Librazhdit në disa segmente rrugore ka pasur edhe shkarje dherash dhe rruga është e mbuluar nga masive inertesh duke paralizuar edhe qarkullimin.