E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, ndërtuesit kërcënojnë me grevë

Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë njoftoi dje gjatë aktivitetit të vet kombëtar se ka në plan të organizojë një grevë njëmujore, duke bllokuar punën dhe duke mos paguar detyrime fiskale, në rast se qeveria nuk heq dorë nga disa masa që i kanë bllokuar aktivitetin, nuk i shlyen detyrimet e prapambetura për punët publike apo nuk zhbllokon planin rregullues të qyteteve. "Përfaqësuesve të veçantë të biznesit po u bëhen etiketime të ndryshme për interesa të klimës së acaruar politike dhe jo në rrugën korrekte administrative e ligjore. Etiketime të tilla ka pasur edhe për anëtarë të shoqatës sonë", tha dje Maksim Muçi, drejtor ekzekutiv i shoqatës.

Ndërtuesit u shprehën njëkohësisht të shqetësuar për krizën ekonomike dhe për krizën politike në vend dhe thanë se për një numër të konsiderueshëm kompanish, gjendja është vështirësuar deri në atë pikë sa po hyjnë në procedurat e falimentit.

"Në shoqatë kanë qenë e do jenë ndërtues me simpati të ndryshme politike, por interesi ekonomik që mbron shoqata është jashtë rreshtimeve politike, ai na shërben të gjithëve, të punësuarve, furnitorëve dhe ekonomisë së vendit", tha Muçi.

"Përsërisim me ngulm kërkesën tonë për bisedime me përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve Publike, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Drejtësisë për të filluar diskutimin për marrjen në konsideratë të vërejtjeve të vazhdueshme tona lidhur me rregulloren e licencimit, manualin e çmimeve në ndërtim, pagat e referencës, tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë, vendimin për pjesëmarrjen në tenderat e infrastrukturës mbas kryerjes së 70 për qind të punimeve, ligjin e prokurimeve etj., duke stabilizuar një bashkëpunim të rregullt me këto institucione shtetërore", thanë ndërtuesit.

"Në rast të mospërmbushjes së këtyre kërkesave, atëherë i propozojmë aktivit që SHNSH-ja të marrë masa për ndërprerjen e punës për një muaj në kantieret e anëtarëve të saj dhe si rrjedhojë edhe mosderdhjen e asnjë detyrimi për këtë periudhë".

Ndërtuesit janë lobingu më i rëndësishëm ekonomik në vend. Aktiviteti i tyre zë 10 për qind të ekonomisë kombëtare, ndërsa pagesat e tyre në arkën e shtetit në formën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar gjatë viteve të shkuara kanë qenë më shumë se 20 për qind e totalit të të ardhurave nga ky zë.

Sektori i ndërtimit hyri në tetor në vitin e dytë të krizës. Ndërmarrjet e këtij sektori u përballën me rënie drastike të shitjeve të apartamenteve, gjë që u shkaktua nga rënia e fluksit të kreditimit. Një pjesë e vogël e kompanive përfituan nga investimet publike në infrastrukturë, por buxheti i shtetit akumuloi dhjetëra milionë euro detyrime të prapambetura kundrejt tyre. Ndërtuesit kërkuan dje që qeveria të planifikojë në shpenzimet e veta për vitin 2010 edhe shlyerjen e këtyre detyrimeve, duke iu frikësuar idesë se mos pagesat vonohen edhe më shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›