E Diel, 1 Nëntor 2026

Ina Rama: Verifikoni të huajt!

Kryeprokurorja Ina Rama, duke u bazuar në një vendim të Këshillit të Ministrave, ka "blinduar" prokuroritë, duke e kthyer organin e akuzës në një pikë kufitare. Mbi bazën e një VKM-je të muajit prill të këtij viti, drejtoresha e kabinetit në Prokurorinë e Përgjithshme, Miranda Bushi, ka shpërndarë në të gjitha prokuroritë e rretheve, të Apelit dhe të Krimeve të Rënda, një urdhër që të gjithë personat e huaj që paraqiten në prokurori duhet të jenë të pajisur me një kartë identiteti, pasaportë e certifikatë. Në të kundërt, ata do të shpallen "non grata" në prokurori dhe nuk do të lejohen të interesohen për mbarëvajtjen e një dosje penale apo për të realizuar kallëzimin në prokurori. Pra, të gjithë shtetasit e Shqipërisë, nëse do të duan të bëjnë kallëzim penal në prokurori, të "armatosen" me dokumente identifikimi. Burime nga akuza qendrore thanë se një urdhër i tillë është realizuar duke u bazuar në VKM-në e muajit prill.

Sanksione për punonjësit
Krahas personave të huaj që paraqiten në prokurori, urdhri i Ina Ramës është i prerë edhe për punonjësit e prokurorisë. Ata duhet të paraqiten me kartat hyrëse në institucion, me qëllim që të identifikohen lëvizjet e tyre gjatë ditës. Çdo prokuror apo punonjës i prokurorisë është i pajisur me një kartë hyrëse në akuzën ku punon dhe në rast të kundërt, nëse nuk e disponon, nuk duhet lejuar në prokurori dhe t‘i shënohet "mungesë". Megjithatë, duke u bazuar te Prokuroria e Tiranës, punonjësit që nuk e kanë një kartë "ndihmohen" nga shokët dhe çdo gjë kthehet si më parë. Ata do të duan të "justifikohen" për mungesën në punë pranë titullarit përkatës. Burime nga akuza qendrore thanë se urdhri i kryeprokurores duhet të zbatohet me përpikmëri, pasi në të kundërt do të ndëshkohen punonjësit që janë autorizuar të kontrollojnë personelin dhe personat e huaj në çdo prokurori.

Skadimi i certifikatës
Këshilli i Ministrave, në muajin prill të këtij viti ka nxjerrë një VKM për njohjen e kartës elektronike nga institucionet publike dhe jo publike. Në të thuhet se këto institucione, vendase dhe të huaja, brenda e jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë do ta njohin si dokument identifikimi letërnjoftimin. "Certifikata personale me fotografi do të përdoret si dokument identifikimi vetëm për shtetasit nën moshën 16 vjeç. Institucionet mbajnë shënim numrin personal dhe numrin e letërnjoftimit, si edhe mund të bëjnë fotokopje të letërnjoftimit të shtetasve, të cilëve u shërbejnë, nëse u nevojitet ky dokument si pjesë përbërëse e praktikës përkatëse. Në rastet kur shtetasit nuk disponojnë letërnjoftim për arsye të justifikuara, lejohet përdorimi i certifikatës personale me fotografi, si dokument identifikimi, deri më 31 dhjetor 2009, në përputhje me dispozitat e parashikuara në aktet e tjera, ligjore dhe nënligjore", thuhet në VKM, i cili vazhdon se ndaj punonjësve të institucioneve, publike dhe jopublike, vendase, në rast të moszbatimit të dispozitave të parashikuara në këtë vendim, do të merren masa disiplinore fillimisht me gjobë, në vlerën e gjysmës së pagës, në rast përsëritjeje gjobë në vlerën e një page dhe nëse ripërsëritet pezullim nga detyra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›