Dinamo-Vllaznia, finalja e Superkupës

Dinamo, kampione e vendit për sezonin 2007-2008 dhe Vllaznia, fituese e Kupës së Shqipërisë për vitin e kaluar, do të diskutojnë të dielën në "Qemal Stafa" (ora 18:00), finalen e Superkupës, ku në bankinat respektive nuk do të jenë as trajneri Ilir Daja dhe as malaziasi Dervish Haxhiosmanovic, të cilët u dhanë ekipeve edhe trofetë përkatës.
Nis kështu sezoni futbollistik 2008-2009 me finalen e 15-të të Superkupës, teksa Dinamo është edhe fituesja e parë historike e saj, kur mposhti në vitin 1989 Tiranën (2-0), njëherësh edhe fituesja e fundit e këtij trofeu, me atë fitore 4-2 ndaj Besës një vit më parë.
17-herë kampionët e Shqipërisë, të cilët u eliminuan në mënyrë të turpshme nga serboboshnjakët e Modricës (dy humbje 2-0, 2-1), synojnë nën drejtimin e kroatit Zllatko Dalic fitimin e Superkupës, ndaj një Vllaznie teorikisht të lodhur pas humbjes tri ditë më parë Napolin (0-3) në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës UEFA.
Dinamo, që ka ndërruar tre trajnerë brenda 90 ditëve nga përfundimi i sezonit të kaluar, vuan mungesën e shumë lojtarëve me të cilët fitoi titullin kampion. Ndeshja kundër Vllaznisë së drejtuar nga Agim Canaj, parashikohet të jetë e vështirë, pasi tekniku i bankinës shkodrane ishte ai që ndërtoi blutë gjatë Kampionatit të 69-të Kombëtar.
Për Dinamon kjo është hera e pestë që diskuton një finale Superkupe, teksa e ka fituar vetëm njëherë atë, pikërisht ndaj Tiranës në edicionin e parë të saj. Tre finalet e tjera të humbura janë ato me Flamurtarin (1990) e Tiranën (2002, 2003).
Vllaznia, që e fitoi Kupën e Shqipërisë nën drejtimin malaziasit Dervish Haxhiomanovic, i vetmi trajner i huaj që ka fituar në Shqipëri edhe kampionatin e Kupën, kërkon të përmirësojë imazhin e paraqitjes së dobët ndaj italianëve të Napolit. Vllaznia do të luajë finalen e katërt të një Superkupe, teksa e ka fituar dy herë në vitin 1998 kur mposhti me penallti Apoloninë (5-4), pas kohës së rregullt e shtesave që përfunduan me rezultatin e barabartë 1-1 dhe ndaj Tiranës (2-1) në vitin 2001.
KURIOZITET E SUPERKUPËS
* * *
Në 14 finalet e zhvilluara të Superkupës, janë shënuar gjithsej 37 gola përgjatë 90 minutave apo shtesave.
* * *
Golin e parë në një ndeshje Superkupe e ka shënuar Eduart Abazi në finalen e vitit 1989 Dinamo-17 Nëntori (Tirana) 2-0 dhe të fundit Oriand Abazaj në finalen e vitit 2007 në takimin Tirana-Besa (4-2)
* * *
Janë katër lojtarët që kanë shënuar nga dy gola: Sulejman Demollari (Dinamo), Sajmir Patushi (Vllaznia, Tirana), Mahir Halili (Tirana) dhe Elvis Sina (Tirana).
* * *
Gjatë finaleve janë shënuar 3 gola me penallti: Sulejman Demollari (Dinamo-Tirana 2-0, 1989), Sokol Kushta (Flamurtari-Dinamo 3-3, 1990) dhe Sokol Kushta (Tirana-Teuta 1-0, 1994).
* * *
Goli më i shpejtë është shënuar nga Eduart Abazi (Dinamo-Tirana 2-0, 1989) dhe Sokol Kushta (Tirana-Teuta 1-0, 1994), që të dy në minutën e 4-t të takimeve respektive.
* * *
Goli më i vonshëm është shënuar në minutën e 115 nga Hekuran Jakupi(Ebasani) në finalen e vitit 1992 Elbasani-Vllaznia 3-2.
* * *
Fitoren më të thellë e ka realizuar Tirana kur ka mundur 6-0 Dinamon në finalen e vitit 2002. Ato minimale 1-0 janë arritur 3 herë: Flamurtari-Partizani (1991), Tirana-Teuta (1994) dhe Tirana-Teuta (2000).
* * *
Tirana është ekipi që ka diskutuar më shumë finale të Superkupës me 10 të tilla, duke fituar 7 prej tyre
* * *
Nga 10 finale të diskutuara Tirana ka humbur 3 prej tyre me Dinamon (1989), Vllazninë (2001) dhe Partizani (2004).
* * *
Dy finale janë zgjidhur nga gjuajtjet e penalltive. Në vitin 1990 Flamurtari-Dinamo 3-3 (5-4 p) dhe në vitin 2005 Tirana-Teuta 0-0 (5-4 p).
Të gjitha ndeshjet e Superkupës
1989 Dinamo-Tirana 2-0
1990 Flamurtari-Dinamo 3-3 (5-4 p)
1991 Flamurtari-Partizani 1-0
1992 Elbasani-Vllaznia 3-2 (pas kohës shtesë)
1993 Nuk u dha. Partizani ishte fitues i dyfishtë: Kampionat dhe Kupë
1994 Tirana-Teuta 1-0
1995 nuk u luajt
1996 Nuk u dha: Tirana ishte fitues i dyfishtë: Kampionat dhe Kupë
1997 nuk u luajt
1998 Vllaznia-Apolonia 1-1 (5-4 p)
1999 Nuk u dha. Tirana ishte fitues i dyfishtë: Kampionat dhe Kupë
2000 Tirana-Teuta 1-0
2001 Vllaznia-Tirana 2-1
2002 Tirana-Dinamo 6-0
2003 Tirana-Dinamo 3-0
2004 Partizani-Tirana 2-0
2005 Tirana-Teuta 0-0 (5-4 p)
2006 Elbasani-Tirana 0-2
2007 Tirana-Besa 4-2
Fituesit
7 Tirana
2 Vllaznia
2 Flamurtari
1 Partizani
1 Elbasani
1 Dinamo